Në javët e fundit, debati politik mbi kartat e identitetit është ashpërsuar ndjeshëm. Kjo pasi dështimi i pajisjes së qytetarëve me dokumentet e përfolur biometrikë, mund të rrezikojë suksesin e zgjedhjeve parlamentare.     Por, në një tjetër perspektivë më të largët vihet re mungesë absolute e diskutimeve, debateve dhe informacionit mbi cenimin e të drejtave themelore të njeriut e lirive individuale apo kolektive që mund të preken me aplikimin e kartave biometrike.     Le të fillojmë me faktin se një shoqëri demokratike, siç pretendohet të jetë ajo e jona, është ajo shoqëri ku njerëzit janë të lirë të vendosin mbi çdo gjë që prek interesat e tyre personale.     Deri dje, informacioni biometrik mund të merrej vetëm nga kriminelët, me justifikimin se ata janë kontingjent krimi dhe duhet të mbahen nën kontroll të vazhdueshëm... Por sot, me aplikimin e dokumenteve biometrikë duket se të gjithë futemi në kategorinë e kriminelëve potencialë.     Duket se shteti nuk na beson më. Mungesa e besimit bëhet reciproke, sepse kur shteti nuk ka besim tek qytetarët e tij, ai krijon një ndjenjë të pakëndshme në publik, i cili kupton se të drejtat e tij në demokracinë liberale po cenohen.     Është për t'u shqetësuar fakti se fushata e nxituar, madje deri detyruese e shtrënguese e pajisjes me dokumente biometrikë në Shqipëri, është bërë pa asnjë debat publik.     Ky proces duhej të ecte hap pas hapi që në zanafillën e tij. Së pari, duhej të përgatitej korniza e plotë ligjore për dokumentet e identifikimit biometrikë, pasi ka një mangësi totale të legjislacionit mbi këtë "shpikje" të re.     Së dyti, duhej të realizohej një debat mbi efektet anësore të kësaj nisme me aktorë të ndryshëm nga akademia, shoqëria civile dhe institucionet publike.     Së treti, të mundësohej një kohë e mjaftueshme për futjen graduale të pasaportave dhe dokumenteve të identifikimit me të dhëna sensitive, si shenjat e gishtave jo duke u bazuar në teknikat detyruese (siç po ndodh aktualisht), por në vullnetarizëm.     Megjithatë, gjërat në Shqipëri edhe një herë u zhvilluan shpejt e shpejt dhe keq. Besoj se ne si publik shqiptar dimë shumë pak mbi privatësinë dhe të dhënat personale, të cilat mund të keqpërdoren dhe abuzohen nga palë të treta.     Si rrjedhojë, përpara se të bëhej shpalosja e "biometrizimit" të popullsisë do ishte e nevojshme t'i bënim vetes disa pyetje: A është analizuar dhe debatuar sa duhet përpara se procesi të nisë? A është informuar publiku mbi informacionin personal që do të japë dhe pse ai do të përdoret?     Ka pasur ndonjë vlerësim të sigurisë dhe sa të aftë jemi ne për të mbrojtur këtë informacion? Me kë do të ndahet ky informacion? ... Asnjë nga këto pyetje nuk ka marrë ende përgjigje specifike në rastin e Shqipërisë, për të vetmen arsye se nuk ka pasur asnjë debat publik.     E nxitur dhe e mbështetur me fanatizëm nga Komuniteti Europian, fushata e pajisjes me pasaporta biometrike është në ekspansion në BE, pas miratimit të ligjit mbi implementimin e pasaportave biometrike në qershor 2006 nga Parlamenti Europian.     Sipas këtij vendimi, në të ardhmen, në të gjitha pasaportat do të përfshihet një çip, i cili do të mbajë informacionin personal (fotografinë e fytyrës, shenjat e gishtërinjve e të dhëna personale). Ky çip do të jetë i lexueshëm në distancë.     Pothuajse të gjitha shtetet europiane po fusin në përdorim pasaportat biometrike, por pa shenja gishtërinjsh. Ndër të parat që nisi aplikimin gradual të këtyre pasaportave ishte Britania e Madhe, por si pasojë e debateve të shkeljes së të drejtave të njeriut në të ende nuk përfshihen shenjat e gishtërinjve.     E njëjta gjë edhe për Suedinë dhe Norvegjinë. Në Francë e Gjermani, ndonëse me ritme të ulëta, pasaportat biometrike kanë nisur të lëshohen dhe që nga viti 2007, në të përfshihen edhe shenjat e gishtërinjve.     Por besohet se Shqipëria do të jetë i pari vend në Europë plotësisht i 'biometrizuar' në pak muaj kohë. Kjo do t'i bëje shqiptarët popullin e parë, madje në gjithë globin, lehtësisht të gjurmueshëm dhe aspak të vështirë për t'u gjetur në çdo cep të Shqipërisë, Europës apo më gjerë.     E gjithë kjo na bën të besojmë se jemi në prag të krijimit të një shoqërie tërësisht të survejuar, ku Shqipëria po funksionon si një laborator testi, ku në të ardhmen, çdo lëvizje, çdo veprim - dikush mund të pretendojë madje edhe mendimet tona - do të gjurmohen, monitorohen, regjistrohen dhe klasifikohen.     Deri diku justifikohet dëshira institucioneve ndërkombëtare për të rritur besueshmërinë e dokumenteve të udhëtimit, ulur mashtrimin, luftën kundër terrorizmit dhe rritjen e sigurisë dhe efektshmërisë së udhëtimeve ajrore.     Por është për t'u shqetësuar, madje për t'u alarmuar, se pajisja me dokumente biometrikë mund të jetë pjesë e një infrastrukture të gjerë mbikëqyrjeje që përfshin sistemin kombëtar, por edhe atë global, nëse ky informacion shkëmbehet me palë të treta që mund të jenë struktura ndërshtetërore (Interporli, agjencitë shtetërore të migrimit) apo kompani private (kompanitë ajrore dhe aeroportuale, bankat).     Problemi më i madh qëndron se hapësira digjitale nuk përkon me atë territoriale dhe përvetësimi i informacionit personal biometrik është mjaft i diskutueshëm dhe shumë i vështirë për t'u rregulluar dhe, për më tepër, për t'u kontrolluar.     Bazuar në ligj, çdo individ ka të drejtën për t'u informuar se për çfarë arsyeje e qëllimi informacioni i tij personal do të përdoret.     Por ky princip rrezikon të zhvlerësohet nëse informacioni personal i klasifikuar, nuk do të mbetet i tillë, për sa kohë ai del jashtë territorit dhe përdoret e shkëmbehet me aktorë të tjerë, të cilët janë jashtë mundësive dhe kompetencave për t'i kontrolluar dhe monitoruar në aktivitetin e tyre.     Një numër i madh organizatash të të drejtave të njeriut dhe grupe që mbrojnë të drejtat civile vazhdojnë të protestojnë mbi aplikimin e dokumenteve biometrike në shtetet të ndryshme.     Sistemi biometrik i pasaportave shpesh shikohet si një përgjigje efektive ndaj terrorizmit. Por nëse nuk arrijmë ta shikojmë këtë proces me syrin kritik, rrezikon të përfundojmë me qeveri kombëtare që zhvillojnë databaza të fytyrave, gjurmëve të gishtave dhe irisit të syve të të gjithë popullatës, duke na vënë në kushtet e një "Big Brother"-i Orwellian, nën ombrellën se "këto masa të sofistikuara nevojiten për të jetuar më të sigurt". Sa më i madh të jetë informacioni personal në duart e një regjimi, aq më i madh është risku që ai të keqpërdoret.     Dhe është e qartë se ka një tendencë, madje një mani të institucioneve shtetërore, por jo vetëm, për të marrë informacion edhe kur ai nuk nevojitet vërtet.     Aplikimi i dokumenteve biometrike mund të krijojë skema kategorizimi përfshirëse dhe përjashtuese sipas individëve përkatës, duke nxitur politika diskriminuese bazuar në informacionin e mbledhur për secilin person.     Është e pranueshme se e drejta e privatësisë nuk është absolute në hierarkinë e lirive dhe të drejtave të njeriut nëse ajo cenon të tjera të drejta themelore, si p.sh. e drejta e jetës.     Megjithatë, mundësia e anonimitetit nuk mund të braktiset në rastet kur ajo mund të ruhet. Shumë thelbësore është që çdo kufizim i lirive tona, në një shoqëri demokratike, të bëhet nëpërmjet konsensusit dhe vullnetarizmit, pas argumenteve bindëse se ky kufizim ia vlen për të jetuar më mirë e është i justifikuar ligjërisht.     Prekja e lirive themelore të njeriut nëpërmjet metodave detyruese rrezikon të precipitojë në një regjim të ashpër autoritar.     Si rrjedhoje, debati publik, i monopolizuar nga aktorët politikë në kuadër të procesit të pajisjes me karta identiteti, duhet të kalojë në një tjetër dimension, ku të flitet mbi të drejtat dhe liritë tona themelore personale, krahas debateve politike mbi zgjedhjet parlamentare.  



Leave a Reply.


Google Analytics tracking code