kosovotwopointzero

Vetëm pak ditë më parë skandali politik i rradhës me shpejtësinë që teknologjia e informacionit ofron në ditët e sotme, bëri bujë tek mbarë shqiptarët. Themi skandali i rradhës sepse Shqipëria në mënyrë periodike dhe konstante gati çdo ditë goditet nga skandale të natyrës korruptive që për hir të së vërtetës kanë lënë në hije skandalet rozë të vipave në shtyp që supozohet të na argëtojnë. E kështu ne jetojmë me skandale e politikanë skandalozë…




Për t’i rënë shkurt, aktualisht një figurë mjaft e diskutueshme në vend, me histori të gjatë në politikën shqiptare, i shquar për ‘fleksibilitetin’ e tij në lidhjen e aleancave si me të djathtët edhe me të majtët, por edhe per ekstremizmin në rast se preken interesat e partisë së tij bëri ‘bis’. Zv. Kryeministri Meta, mund të quhet i përkëdheluri i një sistemi qeverisës hibrid që Berisha (lideri absolut i të djathtës dhe njëkohësisht i qeverisë) ngriti me guxim pas zgjedhjeve problematike të vitit 2009. Por pa u zgjatur në detaje që i njohim, ky politikan arrogant u kap ‘në kamerën e fshehtë” të një ish mikut të tij, duke bërë dallavere shumë-milionëshe e ndere / favore personale me ish-partnerin e tij të besuar në biznes, politike, qeverisje e shoqëri. Por që tani, si pasojë e konflikteve personale u kthye kundër. E hapi barkun duke treguar të gjitha. Debati zhvillohet në arenën e hapur të televizioneve e gazetave e ne, sehirxhinj të heshtur e të duruar, të gjithë dëgjojmë e komentojmë nga pak. Ky skandal i pasuar nga debate të forta i ka të gjitha; zhvillohet “live”, ka intrigë, ka tradhëti, ka afera të prishura korruptive, luftë klanesh, hakmarrje personale, interesa politike të mëdha... Eshtë një ngjarje që do të lërë kujtime dhe pse jo të gjithe presin reagim, ndryshim, rregullim, dënim … Kështu mendojme ne… publiku i thjeshtë, spektator tragjik i aferave të pista rutinë të njerëzve me pushtet që hanë kokat e tyre… në kurrizin tonë. Jo se këto gjëra shqiptarët nuk i dinin. I dinin mirë. Në 20 vjet demokraci ne i njohim mirë liderët tanë, me të gjitha ligësitë e tyre që megjithëse nuk dënohen, vështirë se mund tëe harrohen. Por është ndryshe ta dëgjosh nga goja e kriminelit, krimin. Të rrënqeth…


Me disa miq të mi, pasi braktisëm nje dokumentar interesant për universin dhe galaktikën, si rrallë ndonjëherë si në rastet e një ndeshje “Champions League”, u ulëm të shohim “teatrin” televiziv ku i ftuar ishte ministri nën akuzë, në përballjen e parë me disa gazetarë. Duhej të mbrohej për akuzat, synonte të rifitonte nderin e përdhosur. Hahahahaha…. Sa kemi qeshur…. çfare komedie… në përpjekje për të mbuluar me dhe, jashtqitjen e tij, Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ish-Ministri i Jashtëm, njëkohësisht Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Zoti Ilir Meta po flet broçkulla, po flet budallallëqe në kohë reale, që edhe emisioni me humoristik televiziv do ja kishte zili… hahaha….

Por më pas oooohhhhhhh çfarë dëshpërimi, çfarë zhgënjimi, çfarë merzitjeje e depresioni… ky gangster me kollare po na drejtohet të gjithëve ne pa përjashtim. Mendon, vërtet beson, shpreson se këto broçkulla të trasha i përshtaten shqiptarëve, në veçanti votuesve të tij që ai i ka aq për zemer. Sa frustrim e dhembje të dëgjosh njeriun e dytë të qeverisë, nga kokat më të mëdha të shtetit, të të drejtohet ty, me një forcë argumenti dhe arsyetimi kaq të ulët, duke legjitimuar korrupsionin, duke justifikuar mitmarjen, duke institucionalizuar vjedhjen… sa turp e keqardhje për shqiptarët që fyen drejtëpërdrejtë, si pa të keq nga elita politike në vend, e krimbur në pasuri, që pretendon se mund ‘të paguajë me para’ çdo dëm që shkakton.

Po ne çfarë të ndjejmë tani. Po përjetojmë një krizë emocionale… të qeshim se si legenat po legenosen edhe më keq në përpjekjet e tyre të dëshperuara për të ruajtur cipën dhe ndonje copë moral që mund t’u ketë mbetur, apo të qajmë me fatin tonë se ky njeri na drejton, na menaxhon taksat, e na kërkon shtet ligjor. Ulur para ekranit vazhdojmë të qeshim e qajmë në këtë tragji-komedi. Kjo sepse historia po përsëritet. Argëtohemi me atë që po i ndodh këtij gangsteri me nam në politikë që me në fund doli hapur. Në anën tjetër lodhemi e durojmë talljet, nonsenset e tij i cili përfaqëson të gjithë ata që janë pjekur e djegur me skandalet korruptive, por çuditërisht vazhdojnë të na drejtojnë…

Pasi mbrëmja ‘argëtuese’ mbaroi, duket se dokumentari mbi universin e galaktikën dhe debati politik në televizion lidhen më së miri e kanë diçka të përbashkët: largësinë – shqiptarët jetojnë në Tokë e qeverisen nga Dielli, i cili qëndron i pacënuar nga forca gravitacionale e Tokës. Ndoshta është koha të largohemi të gjithë drejt Marsit, andej nga erdhëm miliarda vjet me parë…

… ora 8 e mengjesit. Bie zilja. Çohem për në punë dhe rutina ime fillon përsëri, aty ku e lashë një ditë më parë. Mendoj, dua të mos prekem nga skandali e jeta ime përsëri të vazhdojë me të njëjtin ritëm… por në fakt gabohem se një lëmsh më është mbledhur në grykë, një lëmsh që rritet çdo ditë… me skandalet e njëpasnjëshme të politikanëve tanë që luajnë me paratë, pasuritë natyrore të vendit dhe si pa të keq edhe me jetën e shqiptarëve…




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code