Gazeta Shekulli

Kamerat e survejimit: Hapi i rradhës drejt një shoqërie të kontrolluar

“…Padyshim që nuk kishte asnjë mënyrë për të kuptuar nëse ishe duke u survejuar në çdo moment; sa shpesh, apo në çfarë sistemi “Policia e Mendimit” mund të aktivizonte fishën tënd të përgjimit. Ishte tashmë e kuptueshme se ata shikonin këdo në çdo kohë. Ti duhej të jetoje – dhe jetove nga zakoni që u kthye në instikt – me supozimin se çdo zhurmë që bëje dëgjohej, dhe përveç se në errësirën e plotë,  çdo moment ekzaminohej”           

                                                                                                                                                                            Orwell – “1984”

            Qindra kamera survejimi nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme pritet të pushtojnë së shpejti hapësirat publike në Tiranë e më vonë në të gjithë Shqipërinë. Ishte kjo gjetja unikale e Ministrit Basha për të luftuar krimin në rritje dhe mungesën e sigurisë në vend. Duke propaganduar anët pozitive të mbulimit të Tiranës me një sistem të gjerë video-survejimi, ministri kërkoi të na bënte të ndiheshim të sigurt, por harroi pasiguritë dhe anët e errëta të këtij projekti me ndikim të madh në të drejtat dhe liritë civile të individit.

Gjatë dekadës së fundit, teknologjia ka përparuar në mënyrë dramatike, duke rritur mundësinë e strukturave shtetërore për të survejuar dhe përgjuar qytetarët e saj në kohë reale. Kjo në mënyrë të pashmgangshme bën realitet skenare të asaj që njihet si ´shoqëria Orwelliane´ ku qytetarët janë të survejuar në mënyrë konstante nga një “Big Brother”. Në këto kushte forcimi i pushtetit autoritar shoqërohet me nevojën për kontroll të marrëdhënieve, veprimeve pse jo dhe mendimeve të njerëzve. Dhe ashtu si rënia e besimit në strukturat shtetërore, edhe vet shteti ka humbur besimin tek qytetarët e tij, duke kërkuar t´i ketë ata nën vëzhgim të plotë, 24 orë në 24.

            Shumë prej nesh do të pranonin të hiqnin dorë nga disa të drejta dhe liri personale, me kushtin për t´u ndier më të sigurt në jetën e përditshme. Megjithatë duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë e këtij aksioni masiv në survejimin e pandërprerë të popullsisë, nevojitet të paktën një konsensus minimal në shoqëri. Ndërkohë baza e të gjithë debatit duhet të bazohet në ligj pasi pretendohet se jemi një vend që i ka rrënjët në shtetin ligjor.

Mungesa e kornizës ligjore, hapësirë për abuzim

Ashtu siç rishtaz ndodh, projektet madhore në Shqipëri janë monopol i një grushti njerëzish me pushtet të padiskutuar që natën firmosin vendime dhe ditën nisin implementimin pa shkuar në detaje. Në këtë aspekt, nëse analizojmë kornizën aktuale ligjore për të rregulluar një sistem të gjerë videosurvejimi e për të garantuar të drejtat themelore të njeriut, kuptojmë se është tërësisht i mangët ose gati inekzistent. Një Udhëzim i vitit 2010 (Nr.3, datë 5.3.2010), pa forcën e duhur ligjore, përpiqet të rregullojë në mënyrë vullnetare, pa shkuar në thellësi, përdorimin e kamerave të survejimit në ambjente të ndryshme publike dhe informacionin që vilet nga to. Por ky udhëzim nuk është programuar për një përhapje kaq të gjerë të fenomenit të survejimit por për përdorim të kufizuar.

Korniza ligjore aktuale duket se lejon përdorimin a video-survejimit nga policia, pa ndonjë ndalesë specifike nga gjykatat, siç bëhet në rastin e përgjimeve për shkaqe hetimi. Ndërkohë edhe “Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dështon të mbrojë në mënyrë specifike të drejtat e qytetarëve ndaj aplikimit të kamerave vëzhguese në çdo ambjent publik, apo të limitojë qartë kushtet e përdorimit të tyre në dobi të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ende nuk dihet nëse projekti për të survejuar Tiranën, ka marrë bekimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale apo Avokatit të Popullit, që sipas ligjit duhet të konsultohen para veprimeve të tilla me efekte të jashtëzakonshme në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Në këtë kuadër, aktualisht nuk ka rregulla të detyrueshme legale për të limituar sulmet ndaj privatësisë dhe përdorimit abuzues të sistemeve të video-survejimit. Këto rregulla nevojiten për të ndërtuar konsensus publik mbi çështje të rëndësishme si; nëse video-survejimi do të regjistrohet, në çfarë kushtesh, sa gjatë do të ruhet, kush mund t´i përdorë, cilat janë procedurat që organizata ndër-qeveritare duhet të zbatojnë në shkëmbimin dhe arkivimin e regjistrimeve, si zbatimi i këtyre rregullave do të kontrollohet dhe cilat janë dënimet për abuzuesit.

            Fatkeqësisht në mbrojte nuk të vjen as Kushtetuta e Republikës, e cila nuk përmban asnjë nen në lidhje me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.  Por pavarësisht vështirësisë për të gjetur në ligj një përcaktim të përshtatshëm në mbrojtje të privatësisë, këtë e gjejmë në dokumentat  bazë ndërkombëtare. Kaq do të mjaftojë për ta shpallur antikushtetues këtë aksion. Nenin 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe Neni 12 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut përcaktojnë qartë se “...askush nuk duhet të bëhet objekt i interferencave arbitrare në jetën e tij private, familje apo shtëpi, as sulme ndaj reputacionit apo nderit të tij. Gjithkush ka të drejtën e mbrojtjes me ligj ndaj këtyre sulmeve”. Por ku është ligji në mbrojtje të qytetarit? Aktualisht mungon një platformë kontrolli ligjor dhe gjyqësor ndaj këtij survejimi ashtu siç bëhet në rastin e përgjimit të telefonave apo informacionit elektronik.

Sisteme të tilla masive survejimi duhet të projektohen jo vetëm për të mbrojtur shqiptarët nga krimi dhe terrorizmi, por edhe për ruajtur dhe respektuar të drejtat themelore të njeriut si privatësia, ruajtja e informacionit personal, liria e shprehjes apo liria e grumbullimit dhe e protestës.

Abuzimi i mundshëm dhe keqpërdorimi i sistemit

Një ndër problemet kryesore për të krijuar sisteme kaq të gjera survejimi është se eksperienca na tregon se ato mund të abuzohen, për vetë faktin se këto ato janë tepër të fuqishme e mbartin në vetvete mjaft informacion delikat. Në këtë aspekt ekzistojnë disa mënyra abuzimi apo keqpërdorimi. Kërcënimi kryesor është arkivimi dhe përdorimi i të dhënave të rregjistruara, në dëm të personave apo grupeve të veçanta, nga individë apo institucione për qëllime përfitimi, denigrimi apo pse jo shantazhi. Kamerat e survejimit shtetëror në hapësira publike mund të synojnë jo vetëm aktet kriminale, por në një sistem abuziv mund të përdoren edhe ndaj oponentëve të pushtetit apo kritikëve që lehtësisht mund të bien viktimë e kamerës së fshehtë ku thonjëzat mungojnë. Për sa kohë do të mungojë një kontroll public, i pavarur e transparent i këtij sistemi, qytetarët do të jenë të kërcënuar.

E keqja wshtw se sapo krijohen, sisteme të tilla survejimi me siguri ato zgjerohen edhe më tej në të ardhmen, në një kohë që cilësia e përgjimit do të rritet, me zë apo me rezolucion të lartë që me lehtësi do të identifikojë gjithçka mbi një person, me kilometra larg. Më tragjikja qëndron në faktin se shqiptrarët nuk do të survejohen, por më keq akoma; do të përgjohen. Në respektim të të drejtave të tyre, njerëzit duhet të informohen se janë duke u kontrolluar nga kamera survejimi me shenja dalluese nëse kamerat nuk janë të ekspozuara. Kjo do të lejonte zgjedhje të bazuara në informim si dhe përgjegjshmërinë e qytetarëve që janë subjekt survejimi. Por në rastin e Shqipërisë, kamerat do të vihen kudo dhe në vende të fshehta, në përgjim të kriminelëve të mundshëm dhe jo vetëm.

 

Video-survejimi, një mënyrë e papërshtatshme?

Por a janë kamerat masive të survejimit të popullsisë, një mjet efektiv për të parandaluar krimin dhe aktet ilegale. Teorikisht po, pasi keqbërësit do të jenë nën vëzhgim të plotë dhe do të hezitojnë të kryejnë një krim që regjistrohet në kamera. Por statistikat nuk provojnë të njëjtën gjë. Një pjesë e mirë e studimeve janë realizuar në Britaninë e Madhe, e cila më shumë se çdo vend tjetër ka përqafuar përdorimin në masë të gjerë të kamerave të survejimit. Rrjeti britanik i survejimit publik është më i madhi në botë dhe përbëhet nga rreth 4.2 milionë kamera ose një për çdo 14 persona. Studimet e shumta në fushë kanë treguar se video-survejimi nuk ka patur ndonjë ndikim të madh nga ana statistikore në uljen e krimit. Disa studime individuale tregojnë sukses të rezultateve në uljen e kriminalitetit në disa tipe krimi si vjedhja e automjeteve. Por, pjesa dërrmuese e këtyre studimeve tregojnë se përdorimi i kamerave nuk ka patur ndikim esencial në uljen e numrit të përgjithshëm të kriminalitetit. Madje në këtë kuadër pretendohet se kamerat e survejimit aktualisht nuk e reduktojnë krimin, por e zhvendosin atë diku tjetër.

Ndërkohë vlen të përmendet se këto sisteme operohen nga njerëz të cilët sjellin me vete edhe paragjykime dhe anshmëri tw pashmangshme, duke targetuar grupe të veçanta dhe lënë hapësira për diskriminim. Në Britaninë e Madhe psh. bazuar në një studim, njerëzit me ngjyrë kishin rreth dy herë më shumë gjasa që të survejoheshin. Ky fakt duhet të shqetësojë grupet e të drejtave të njeriut në vend.

Një tjetër argument është se prezenca në rritje e kamerave të survejimit ka edhe efekte negative psikologjike tek njerëzit. Kur individë apo grupe të caktuara janë të ndërgjegjshëm se po survejohen apo përgjohen me paralajmërim apo fshehurazi, tregojnë ankth, sjellje të kushtëzuara dhe të kufizuara nga frika se mund të tërheqin vëmendjen e kamerave disiplinuese. Kjo shkakton frenim të vullnetit dhe sjelljes së lirë në publik. Kujtojmë se e drejta e privatësisw minimale, nuk duhet të kufizohet vetëm në shtëpi apo ambjente të izoluara, por edhe në ambjente të hapura.

Epilogu …

Pasi na damkosën me çipin në pasaportë e kartë identiteti, ku ruhen të dhënat personale, duke arritur kontroll virtual mbi ne, tashmë Ai/Ata mund të na gjurmojnë edhe vizualisht. Kjo sipërmarrje mund të pranohej nëse do të ndodhte në një vend të zhvilluar europian, të përgjegjshëm e me standarte të larta të transparencës dhe kontrollit demokratik në përdorimin e sistemeve të zhvilluara të survejimit, ku implementimi është paraprirë nga një proçes i detajuar e gjithëpërfshirës në përgatitjen e kornizës ligjore, trajtimin e rreziqeve të mundshme, konsultimin me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Por në rastin tonë realizimi i këtij projekti po bëhet në Shqipëri, një vend i njohur për një sistem politik të korruptuar e pushtet abuziv. Po bëhet me një proçes të mbyllur, të fshehtë pas dyerve të kyçura të ministrive, kur befas mësojmë gjatë një fjalimi politik lajmin sensacional, mbi shpikjen e re që do të “…çojë Shqipërinë drejt Europës”. E gjithë kjo lë vend për mjaft diskutim.

Mendohet se së shpejti burokratët do të kontrollojnë çdo lëvizje tonën, me pretendimin se gjithçka bëhet në dobi të sigurisë kombëtare, në një kohë që kërcënimi kryesor i sigurisë kombëtare mbetet korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor, abuzimi i pushtetit, lufta politike e varfëria. Një pyetje që të shkon ndërmend është: Përse nuk propozohet vendosja e kamerave të survejimit në çdo zyrë të administratës publike për të ndaluar korrupsionin?


(Link ne shkrim te ngashme




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code