peshkupauje
Gazeta Shekulli


Një pedagog i shkencave politike në Universitetin e Bolonjës, vite më parë pa e fshehur keqardhjen gjatë një referati u shpreh: “…revolucionet kanë mbaruar, heronjtë kanë vdekur e të tjerë skanë lindur…”.  E megjithatë rezulton se që nga viti 1991 kanë ndodhur plot 11 revolucione elektorale në mbarë globin me emërtime e ngjyra të ndryshme (Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Etiopi, Gjeorgji, Kirgistan, Madagaskar, Peru, Serbi, Togo, e Ukrainë). “Revolucionin elektoral” përkufizohet nga studiuesi britanik M. McFaul duke përcaktuar katër tipare kryesore: (1) zgjedhjet e manipuluara shërbejnë si katalizator për protesta elektorale; (2) opozita i drejtohet mënyrave të jashtëzakonshme kushtetuese (duke përfshirë protesta masive), (3) pretendimi i bazuar se opozita ka fituar zgjedhjet e ka autoritetin e duhur për të marrë pushtetin, dhe (4) të dy krahët, pozita dhe opozita shmangin përdorimin e dhunës. Nëse zinxhiri i këtyre 4 elementëve prishet, atëhere humbet nocioni revolucion duke u asociuar me të tjera metoda anti-kushtetuese siç është grushti i shtetit. Pikërisht fakti që njerëzit dalin në rrugë për të mbrojtur votën e tyre i jep në vetvete revolucioneve elektorale një sens legjitimiteti në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Por fatkeqësisht një ‘revocuion’ mund të quhet i tillë vetëm nëse është i suksesshëm e nuk mund ta quhet i tillë në proçes. Prandaj për të etiketuar atë që po ndodh në Shqipëri duhet të presim zhvillimet politike.

Bazuar në studime të ndryshme që trajtojnë mbijetesën e regjimeve autoritare post-komuniste apo sukesin e një revolucioni elektoral mund veçohen 3 aktorë kryesorë: Pozita, Opozita dhe Shoqëria.

Studiues si Lucan Way e Barbara Geddes, dalin në përfundimin se stabiliteti i një regjimi autoritar varet më së shumti nga fuqia organizative e partisë që ka pushtetin e kontrollon institucionet publike. Regjimet e bazuara në një parti të vetme të institucionalizuar janë mjaft të qëndrueshme dhe të durueshme, çka provohet edhe në rastin e Shqipërisë. Mungesa e fraksioneve në një parti të institucionalizuar përreth një boshti (lideri) teorikisht e bëjnë më të vështirë përmbysjen politike. Kjo sepse partia në pushtet lehtësisht mund të monopolizojë vendim-marrjen e pushtetin duke shpërndarë shpërblime dhe favore për të besuarit. Në periudha afatgjata këto kanë kosto të lartë pasi duhet të sigurojnë bashkëpunimin e mbështetësve, të parandaljnë ndonjë “tradhëti” të mundshme e në të njëjtën kohë të shfuqizojnë mbështetësit opozitarë. Paralelisht strukturat shteterore e ato mbështetëse, në mënyrë aktive përpiqen të imponojnë politikat e tyre në organizmat e shoqërisë civile që në vendin tonë janë lehtësisht të manipulueshme pasi nuk luajnë një rol kryesor.

Në anën tjetër, lëvizjet opozitare janë jetike për të realizuar ndryshim politik duke u shoqëruar nga sfida për të mbledhur e siguruar mbështetje. Në këtë kornizë s’mund të anashkalojmë faktorin ndërkombëtar. Ndryshe nga Serbia që gjatë revolucionit të saj përjetoi një presion ndërkombëtar drejt demokratizimit, e lidhur ngushtë me shanse reale për integrim europian, Shqipëria ka patur pak ose aspak mbështetje të faktorit ndërkombëtar në këtë proçes. Kjo mund të spiegohet me faktin se që nga viti 1990 donatorët e ndryshëm kanë shpenzuar miliona euro për të promovuar programet e ndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë sipas modelit perëndimor në vendin tonë. Hezitimi i tyre për të mos mbështetur revolucionin “shumëngjyrësh” në Shqipëri vjen pasi nëse kjo ndodh, do të pranohej dështimi i tyre në të gjitha programe e mëparshme për ndërtimin e demokracisë.

Në këtë kontekst edhe shoqëria luan një rol të vendimtar në proçes. Në një kohë që liderët revolucionarë mund të jenë të aftë të sigurojnë një impuls e mund t’i prezantojnë popullit një strukturë intelektuale që i ndihmon ata për të kuptuar kauzën dhe vizionin për të ardhmen, liderët nuk mund të shkojnë më tutje se sa njerëzit presin nga ata në veçanti duke krijuar një tranzicion të ri brenda atij ekzistues. Si rrjedhojë kohëzgjatja e proçesit mund të dëmtojë besimin e njerëzve të cilët po kuptojnë kostot e larta të një revolucioni të shtrirë në kohë që prek interesat e tyre personale, të pavarura nga dëshirat e revolucionarëve. Kontekstet sociale në  botën kapitaliste përgjithësisht pengojnë dëshirën për përmbysje të sistemit, qoftë ky edhe revolucion elektoral, pasi mund të perceptohet si destabilitet për të sotmen e pasiguri për të ardhmen. Sot shoqëritë kontemporane  favorizojnë konkurrencën më shumë se sa unionet, ambicjet personale më shumë se drejtësinë sociale. Në këtë kontekst teksa studiojmë efektet e revolucioneve elektorale nuk duhet të anashkalojmë personalitetin dhe nevojat humane përtej kornizës politike. Prandaj revolucioni “shumëngjyrësh”  kërcënohet nga vet ne, anëtarët e shoqërisë (kapitaliste) që theksojmë interesin vetjak dhe mund të bëhemi pjesë e një grupi vetëm nëse mendojnë se kjo do të rrisë përfitimet personale (mirëqënie dhe pushtet) duke u shqetësuar më pak për përfitimet kolektive.

Çfarë po ndodh në Shqipëri nuk është aspak unikale, përkundrazi duket imitim i revolucioneve që më parë kanë ndodhur. Shumë prej nesh ruajnë në kujtesë mijëra njerëz që demostronin në rrugët e Serbisë, Gjeorgjisë, Ukrainës apo Kirgistanit për zgjedhje të lira e për t’i dhënë fund regjimeve të korruptuara post-komuniste. Por përmbysjet e regjimit nëpërmjet lëvizjeve popullore jo domosdoshmërisht rezultojnë në zhvillimin e demokracisë. Kjo sepse revolucionet elektorale shpesh janë vet simptoma të problemit të demokracive hibride dhe autoritare, më shumë se sa zgjidhje për të patur në vetvete zgjedhje të lira. Zgjedhjet e pandershme janë vetëm një në morinë e mangësive në vendet me pseudo-demokraci. Duke adresuar të metat elektorale dhe ndërrimin e lidershipit nuk është se transformohen shumë tipare që karakterizojnë regjimet hibride dhe autoritare ashtu siç zgjedhjet e lira nuk prodhojnë automatikisht demokraci. Në këtë kornizë revolucionet elektorale kanë një perspektivë mjaft të kufizuar për të adresuar të gjitha çështjet që mbajnë peng demokratizimin në regjimet autoritare.

Teksa fokusohemi në vjedhjet elektorale dhe në shkeljen e të drejtave politike (e drejta e votës), lëmë gati tërësisht në hije zgjidhjen e çështjeve jetike të vendit si korrupsioni, klientelizmi, mungesa e zhvillimit të kulturës politike, mungesa e transparencës në vendim-marrje etj. Duket se zgjedhjet e manipuluara janë vetëm maja e ajsbergut në krizën e demokracisë hibride që Shqipëria ka ndërtuar pa shumë përpjekje gjatë 20 vieteve të fundit.




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code