Gazeta Shqip

Beogradi i Ri. Ora 13:00. Ulur në "Music Cafe", në kërkim të një rrjeti "wireless", një zë familjar, shumë i pastër, del nga impianti muzikor. Është Elsa Lila, në një këngë italiane të saj. Njerëzit vazhdojnë të rrufisin të qetë kafenë, të shijojnë tortat e shumëllojshme pa u shqetësuar, ndërsa kamerierët shumë të zënë, nuk e humbin ritmin. Padyshim që askush nuk e njeh Elsa Lilën. Vetëm unë, besoj, shqiptari i vetëm rreth e rrotull, i ulur në këtë kafe, në një qendër të madhe komerciale. Gjigante në hapësirë, shumë luks në brendësi, me mjaft shkëlqim e drita vezulluese. Njerëz të veshur mirë dalin nga dyqanet 'firmato': "Zara", "Adidas", "Springfield", "Jack and Jones". Kjo qendër komerciale, së bashku me një zinxhir aktivitetesh biznesi nën logon "Delta" më tregojnë që i përket një mafiozi serb, mik i ngushtë i famëkeqit Millosheviç. Ndryshe nga i ashtuquajturi "Kasap i Ballkanit", Miroslav Mishkoviç doli shumë i fituar nga konfliktet dhe luftërat në ish-Jugosllavi, e vazhdon të gëzojë privilegjet e biznesmenit me nam në Serbi. Një shprehje serbe, me humor, thotë: "Kosova i përket Serbisë, ndërsa çdo gjë tjetër i përket Mishkoviçit". Ai vazhdon të mbetet njeriu me më shumë influencë në Serbi dhe një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Dikush edhe ekzagjeron, duke thënë se është nga personat më të kamur në të gjithë Evropën. Nuk çuditem aspak, pasi kam parë gjithë këtë qendër. Por pamja ndryshon menjëherë sapo del nga porta rrotulluese e "Delta City".

***
Beogradi është qytet shumë i madh. Dy milionë njerëz mendohet të jetojnë dhe, si i tillë, mbulon një sipërfaqe shumë të gjerë. Për këtë arsye, transporti publik është jetik për një qytet të përmasave të tilla, pa përmendur mijëra makina private që vërshojnë anembanë. Nëse shikon çmimet e karburantit, janë dukshëm më të ulëta se në Shqipëri, duke e bërë më komode mbajtjen e një automjeti privat. Por në të kundërt, Beogradi është mjaft i organizuar me autobusë, tram, trolley dhe një biçim metroje, që të lidh me pjesët periferike të qytetit. Autobusët e natës vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit, duke shmangur çmimet e kripura që ofrojnë taksitë e shumta. Infrastruktura është në nivele të kënaqshme, me rrugë të bollshme dhe trafiku nuk është shqetësues, me përjashtime të rralla. E megjithatë pasi kalon pak kohë, kupton se Beogradi është qytet më kompleks se ç‘duket në shikim të parë. Ka mbledhur njerëz nga shumë vende të Serbisë e më gjerë. "Kështu ka qenë gjithmonë", më tregon Milan, një mik serb që e njoha herën e parë që isha në Beograd. Për shumë dekada, Beogradi ka qenë qendra e Jugosllavisë, ose ndryshe e përkëdhelura e Republikës Federale të Jugosllavisë. Të jep përshtypjen e një qyteti legjendar, që i ka humbur krejtësisht shkëlqimi në vite, ndërsa ndërtesat e vjetra mbajnë mbi vete pluhurin e historisë, që përzihet me atë të qytetit të zhurmshëm, me fasada gri e të parikonstruktuara. Në rrugë has rishtas markën legjendare të plakur "Zastava" të kohës së Titos, që rënkon dhimbshëm në tym të zi. Dhe menjëherë, pak metra më tutje, si me magji e gjen të transformuar në një model plot luks e finesë italiane, "Fiat", që ka blerë licencën e "Zastavës", pak vite më parë. Si një metropol i vërtetë, "qyteti i bardhë" nëse e përkthen nga serbishtja, është një mish-mash i njerëzve me kulturë e bekgraund të ndryshëm, me të ardhura të ndryshme e me probleme të ndryshme. Pyeta dhe mësova se rroga mesatare në Beograd nuk i kalon 300 eurot, ndonëse ka një disbalancë të madhe midis të pasurve e të varfërve. Vështirë për të përballuar një jetesë relativisht të shtrenjtë, që të ofron kryeqyteti serb. Nëse krahason, çmimet e artikujve kryesorë janë të ngjashëm me të Tiranës, ndoshta edhe më të lira, por qiratë e shtëpive janë shumë më të larta. Kjo, për arsye edhe të zhvendosjes së madhe të popullsisë drejt Beogradit gjatë 20 viteve të fundit.

***
Autobusi nr. 95 të çon në qendrën e Beogradit, që ka një shtrirje të madhe, e organizuar me rrugë të gjera, ndërsa trotuaret janë të mbushura me makina të parkuara, zgjidhje për të përballuar nevojat për parkim të një numri shumë të madh të automjeteve. Pallatet e vjetra e të reja të stilit të Titos ndërthuren me kisha e ndërtesa të shekujve të mëparshëm. Ka hapësirën e një metropoli të vërtetë, me parqe dhe bulevarde të rregulluar kujdesshëm në rrugën kryesore. Njerëzit kanë një pamje të ngrysur dhe ecin të heshtur. Rruga e këmbësorëve, e famshme në Beograd, "Knez Mihajlova", ka si portë hyrëse një pallat të vjetër hijerëndë, shumëkatësh, me pamje madhështore, të dallueshme nga të tjerët. Për çudi, mban emrin "Pallati Albanski". Ndonëse tabelë nuk ka, të gjithë në Beograd e njohin me këtë emër, i vënë gjatë periudhës së regjimit të Titos. Një vendtakim perfekt për dikë që nuk e njeh mirë qytetin. Natyrisht që rruga më e njohur është ajo e këmbësorëve, e cila të çon drejt Kështjellës madhështore të Beogradit, në këmbët e së cilës bashkohet Sava me Danubin. "The silicone Valley" e quajnë ndryshe serbët rrugën kryesore të këmbësorëve, për të ironizuar femrat e shumta të modifikuara me silikon, që preferojnë të bëjnë shoping në këtë zonë. Jo shumë larg "pallatit shqiptar", në një rrugë të tërthortë, e shtruar me kalldrëm, e që të jep përshtypjen se ndodhesh në një qytet të vjetër, që nuk ka asgjë të përbashkët me Beogradin, gjen të shkruar në alfabetin cirilik: "Ulica Skutari". Disa blloqe më tutje, në distancë të shkurtër nga rrënojat e disa pallateve të bombarduara, monument i sulmeve të NATO-s në vitin 1999, gjendesh në rrugën "Kosovska". Kuptoj që rrugët e Beogradit mbajnë shumë emra të vendeve të ish-Jugosllavisë e më gjerë, zakon i diktatorit Tito për të promovuar miqësinë dhe bashkëjetesën ndëretnike në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë.


***

Jeta e natës është shumë e larmishme. Një strehë e sigurt për bende muzikore vendase e të huaja, ku në fundjavë gjen di xhei (DJ) të njohur të huaj, por edhe rezidentë të talentuar pas muzikës elektronike. Por jehona e koncerteve rrok është edhe më e gjerë, si dhe mijëra klube të llojeve të ndryshme. Padyshim që nuk mungojnë as këngëtarët e njohur të "turbo-folkut" shumë të dashur për publikun serb, ku top-listën e udhëheq Ceca, me performancat e saj gjysmëlakuriqe të formave ekstreme të trupit. Siç më tha Maja, një shoqe serbe, në verë Ceca kishte mbushur sheshin me 200 mijë spektatorë, saqë edhe grupet legjendare si "Bjello Dugme" do ta kishin zili. Por në fund të fundit, Beogradi është qytet i madh. Padyshim që gjen atë që ti kërkon, pavarësisht nivelit kulturor apo shijeve muzikore.


***

Në një kafe pranë Teatrit Kombëtar pres Nadian, beogradase "denbabaden" që sa herë e takoj më jep receta dhe këshilla se si "të mbijetoj" në kryeqytetin serb. Nadian e njoha vite më parë në Portugali. Krejt rastësisht. Nuk më harrohet reagimi i saj dhe mimika e fytyrës kur iu prezantova dhe i thashë se isha nga Shqipëria. Nuk kishte faj. Nuk kishte takuar ndonjëherë shqiptar në jetën e saj. Por shumë shpejt u bëmë miq të mirë, e tani ajo mezi pret verën që të më vizitojë në Shqipëri, ku ka dëgjuar për bukuritë mahnitëse të Jonit. Për orë të gjata flasim se si shqiptarët nuk shikohen me sy të mirë në Serbi, për çështjen e Kosovës, për kontradiktat e shumta që na karakterizojnë si dy shtete fqinjë aspak miqësorë. Në fund, me një ndjenjë të theksuar keqardhjeje, e pranon se Kosova u ka ikur, por përsëri beson se një ditë drejtësia, siç thotë, do të dalë në pah. Në Serbi ka një botëkuptim të përgjithshëm negativ, mbushur me stereotipe e paragjykime për çfarëdo që mban emrin shqiptar. Një "brain wash" intensiv dhe i gjatë në kohë, i bërë nga media dhe politika ekstremiste. Madje për disa, më thotë Nadia, ndjenja antishqiptare është mjaft e theksuar dhe mund të krijojë edhe përplasje. Nuk çuditem, pasi e di që ky qytet mund të strehojë të gjithë, që nga aktivistët e paqes deri tek ekstremistët nacionalistë të Voislav Sheshelit, i cili ka mbështetje të gjerë në Serbi. Prandaj më këshillon që, kur të takoj disa miq të saj ose edhe njerëz të rastësishëm, është më mirë të mos e tregoj origjinën time të vërtetë, thjesht për të mos krijuar ndonjë provokim a incident të rastësishëm. Këshilla e saj nuk më pëlqen, por unë e kuptoj shqetësimin që ajo ka për mua. "Ky është realiteti", më thotë ajo me keqardhje. E megjithatë, nuk ndjehem aspak i tensionuar, e për më tepër i kërcënuar. Eci i shkujdesur në rrugët e Beogradit. Jam me fat që "Koshevo", erë shumë e ftohtë nga juglindja, që fshikullon Beogradin në dimër, ende nuk ka nisur...

Pak net më parë, shikoja pa shumë interes stacionin B92, i njohur në Serbi për vlerat e tij "liberale" dhe "alternative", si dhe për qëndrimet e hapura anti-Millosheviç gjatë viteve ‘90. Bëhej fjalë për një dokumentar të tipit "investigativ", në lidhje me të ashtuquajturin skandal të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë, hipoteza të paprovuara e të dala për herë të parë në librin e Karla Del Pontes. Në dukje, i realizuar shumë bukur në stilin e dokumentarëve hollivudian, me sekuenca të montuara me profesionalizëm të pamjeve autentike dhe fiktive, me qëllim për të sugjestionuar rrjedhjen e ngjarjeve. Ishte shtëpia e verdhë në Tropojë, e ricikluar aq shumë në median serbe si vendi i akteve çnjerëzore, ku serbëve u hiqeshin organet. Shtëpia e verdhë (siç quhet edhe në librin e Del Pontes) tregohej me dyer e dritare të mbyllura, e pasuruar me filmime të tjera të zonës e banorë të plakur e të lodhur. Dokumentari ishte ndërthurur me pamje të marra borxh ose të regjistruara enkas në klinika të tjera, ku aktrohej një transplant organesh joreal dhe synohej të tregohej se si historia mund të kishte ndodhur në atë shtëpi ogurzezë. E shoqëruar me një muzikë tipike të filmave "thriller", e një zë misterioz, pretendohej të jepeshin "evidenca" të forta në lidhje me këtë trafik. Ndërrova kanalin me neveri. Më pas mendova se ç‘imazh kanë serbët për shqiptarët, kur ndër informacionet e shteruara për Shqipërinë është ky dokumentar tendencioz, dhe ndoshta qindra lajme politike mbi Kosovën. Ndoshta u dukem si kasap, pasi kanë parë këtë kryevepër gazetarie të TV B92. E ndërkohë, mendimi më vijoi me pyetjen se ç‘informacion kanë shqiptarët për serbët, mendoja dokumentarin e fundit të transmetuar mbi serbët në TV-të shqiptare, lajmet e fundit mbi Serbinë...

Pak ditë më parë, vizitova shtëpinë e Nadias. Më priti nëna e saj, një grua e mbajtur mirë, rreth të 50-ave, që nuk reshte së piri duhan. I dhurova një shishe të konjakut legjendar "Skënderbeu", shumë popullor në ish-Jugosllavi. Më ftoi në dhomën e ndenjes, e mobiluar rëndë, me dollapë po të rëndë masivë të stilit të vjetër dhe shumë fotografi bardhezi. Në njërin cep ishte vendosur flamuri serb dhe një kryq ortodoks. Me një anglishte të çalë, por shumë të kuptueshme, ajo më uroi mirëseardhjen. Më tha se ishte shumë e gëzuar të priste miq nga Shqipëria. Ashtu isha edhe unë. Pastaj, me një të folur miqësore, nuk harroi të më përmendë pikëpamjet e saj për Kosovën, duke më thënë saktësisht: "…Megjithëse ne kemi probleme politike në lidhje me Kosovën, jemi njerëz dhe e shohim njëri-tjetrin në sy. Jemi një kokërr rëre në shkretëtirë, ndaj nuk ka arsye të përzihemi me politikën". Dhe në fund, teksa buzëqeshte, më ofroi një gotë raki pjeshke të ftohtë. I thashë me mirësjellje "zhivjeli" dhe shijova rakinë e bërë vetë, diku në rrethinat e Beogradit. Me pikëllim, më tregoi se si kishte humbur kontaktet pas luftës me një mikeshë të saj shqiptare nga Kosova. Ushqimi që na ofroi me shumë bujari ishte shumë i shijshëm. Po ashtu edhe mikpritja.


***

Një tjetër vizitë mbresëlënëse ishte në shtëpinë e Rijadit, i lindur në Beograd, por me të dy prindërit shqiptarë të Kosovës. Ai sapo ishte kthyer nga Karaibet, ku bënte pjesë në ekuipazhin e një anijeje turistike. Shtëpia e tij, shumë e vogël për të pritur miq të shumtë e të zhurmshëm, na ngrohu me mikpritjen shqiptare. Për një moment, harron se je në Beograd, por diku tek Kodra e Diellit në Prishtinë. Në bisedë me nënën e tij mësova se ajo nuk ndjehej e kërcënuar apo e tensionuar në Beograd, pavarësisht faktit që është shqiptare. Thotë se ndjehet si në shtëpinë e saj. Familja e Rijadit është vendosur në Beograd në vitin 1965 për të mos u larguar asnjëherë. Jetojnë thjeshtë, por siç tregon nëna e Rijadit, janë të kënaqur, dhe se Beogradin e konsiderojnë vendin e tyre. Rrëfen se dihet që të qenit shqiptar nuk është pozitive për serbët, por kjo vetëm në 15 vitet e fundit, pasi më parë diferenca të tilla nuk kanë ekzistuar. Ishte lufta ajo që na armiqësoi, thotë ai. Në Kosovë shkon shpesh e mban lidhje të qëndrueshme me familjarët e saj jashtë shtetit, në Gjermani, Zvicër e Angli. Qëndrojmë me orë të gjata duke biseduar për jetën në Beograd. Më shpjegon se më shumë se problemet etnike, Beogradi ka probleme ekonomike, politike e sociale. Prandaj njerëzit nuk janë më të dhënë pas politikës, si vite më parë.


***

Kthehem me hapa të ngadaltë drejt banesës sime në Beogradin e Ri. Mendoj se pas tri javësh qëndrimi, Beogradi nuk është më një qytet enigmatik, por shumë i parashikueshëm. Është vonë dhe nga ashensori i vjetër që po jep shpirt dita-ditës del një mesoburrë, komshiu i të njëjtit kat. Më përshëndet me mirësjellje dhe në të njëjtën mënyrë ia kthej edhe unë: "Laku Noc!" 




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code