kosovotwopointzero

Mund të ndodh shpesh të pres vizitorë të huaj në Tiranë, miq me të cilët udhëtimet, puna, shkolla apo rastësia më kanë lidhur. Por vizitën e Nadjës, një mikeshë nga Beogradi, mund ta quaj të veçantë pasi kohë më parë, gjatë qëndrimit tim në Beograd, mes euforisë që të jep alkoli sëbashku me një ndjenjë krenarie, e kisha ftuar i sigurt: “Eja në Shqipëri. Do të kalosh shumë bukur dhe do të kuptosh se sa të gabuar ju serbët jeni për Shqipërinë”. Koha kaloi dhe unë u kujtova për këtë deklaratë vetëm kur avjoni i kompanisë Al Italia që vinte nga Roma u ul Aeroportin Nenë Tereza. E dija që ajo do të krahasonte gjithçka me Serbinë, kështu që synimi për ta kënaqur bëhej edhe më i vështirë. Por prova e parë kaloi me sukses, pasi aeroporti shqiptar ishte shumë më luksoz se sa aeroporti i vjetëruar i Beogradit. Por më kot shqetësohesha e s’e kisha menduar që gjithçka do të ishte kaq e lehtë për të entuziazmuar një mik nga Beogradi. Kjo për vet faktin se pritshmëritë e saj për Shqipërinë ishin kaq ulëta. Gjithçka që kishte dëgjuar dhe mësuar për vendin e shqiponjave, kishte qenë e korruptuar me një dozë negativiteti nga një dorë e padukshme. Patjetër që propaganda serbe që kontrollon filtrat e komunikimit dhe informacionit, ishte kujdesur që tja servirte Shqipërinë, asaj dhe të gjithë serbëve të tjerë, si një vend mesjetar, me kulturë tribale që siç e quajti ajo “…ora na ka mbetur në shekullin XII”, të rrezikshëm, me njerëz të shëmtuar, të ngrysur, të pacivilizuar, që jetojnë në kulla ngujimi e të tjera broçkulla si këto. Por ajo gjeti një tjetër atmosferë në Shqipërinë e thjeshtë e të varfër, por të çiltër e të hapur për këdo që na kushton pakëz vëmendje. Në takimin tonë të parë në Beograd para 2 vjetëve, ca nga kurioziteti e ca nga meraku e pyeta se si duhet të ndjehesha unë si shqiptar në kryqytetin serb. Ajo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, për të më mbrojtur, më këshilloi që mos të ekspozohem shumë si shqiptar në ambjente publike, me qëllim për të shmangur ndonjë incident me ndonjë ekstremist (të cilët për hir të së vërtetës mendohet se janë të shumtë në serbi). Kaq mjaftoi që mua të më shoqëronte një ndjesi kërcënimi ngado që shkoja në Serbi. E megjithatë kjo s’më pengoi të njoh njerëz e të vizitoj mjaft vende. Dhe si për ironi të fatit historia përsëritet, dhe sapo mbwrriti nw Tiranw, nuk vonoi të më pyes se si duhej të sillej në Shqipëri. Unë konfident i tregova se është e lirë të sillet si të dojë dhe aspak e kërcënuar nga fakti që është shtetas serb. I tregova se ne kwtu nuk e duam politikën serbe, ama me serbët si popull s’kemi asnjë problem. Përkundrazi, për ne janë njësoj si kroatët, maqedonasit, boshnjakët apo çfarëdo kombësie tjetër. U qetësua, megjithëse u duk hapur që nuk ju mbush mendja plotësisht. Është e vështirë që disa përshtypje të skalitura në kohë, të zhduken kaq lehtë.

Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në kryeqytet dhe në qytezën jugore bregdetare të Dhërmiut, Nadia pati mundësinë të prek një copë të këndshme të Shqipërisë; njëlloj shpërblimi për guximin e saj për të bërë turizëm në vendin tonë, ndryshe nga shumica bashkë-kombasve të saj që e quajnë thjesht aventurë të rrezikshme. Duket se asaj i pëlqeu gjithçka: atmosfera, njerëzit, ngjyrat e pallateve, rrugët e reja që të çojnë drejt jugut dhe më tej u mahnit nga bukuritë e Jonit, nga natyra e egër, nga plazhet e virgjër dhe mikëpritja shqiptare. Si një turist model ajo nuk harroi të ngarkohej me suvenirë që në vendin e saj duhet të jenë të rrallë si psh konjak Skenderbeu, raki rrushi nga gjyshja ime, mjalt i Llogarasw, qeleshe malwsori, zbukurime tradicionale madje edhe një medaljon me flamurin me shqiponjë. Por syve të saj nuk mund t’i shpëtonin as paradokset të cilat ne; shqiptarët, të pa-aftë për t’i fshehur, me indiferentizëm i pranojmë duke ngritur supet. “…do ti them mamasë që unë s’do vdes sepse ndonjë shqiptar do më vrasë, por sepse një makinë do më aksidentojë” e tronditur më tha pasi kaloi plotw frikw një rrugë kryesore në kryeqytet. Unë i buzëqesha si i zënë në faj dhe i thashë se do mësohet shpejt. E në të vërtetë trafiku në Tiranë është prova më e mirë se çdo të thotë kaos urban. Syrit kritik të saj nuk i shpëtuan as plehërat, pritës dhe përcjellës indiferent e të neveritshëm në të gjitha pikat kryesore turistike të vendit. Për të ardhur keq, se sa mund kërkon një imazh për t’u mbajtur i pastër, e sa pak kërkon për t’u prishur. Dhe plehërat janë ndotja më e madhe që mund të njollosë vendin, kulturën, traditën e një populli.

Sidoqoftë një turist e ka të lehtë t’i organizojë eksperiencat e tij në mënyrë që të marrë maksimumin dhe të kënaqet sa më shumë. Kështu që Nadia u largua me përshtypjet më të mira për Shqipërinë, me ide të vërteta se si ne jetojmë, me premtimin se do të kthehej përsëri, kësaj rradhe me miqtë e saj dhe me pritshmëri shume më të larta…




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code