Koha Jone

Pavaresia e Kosoves natyrisht eshte nje ngjarje qe na gezoi pa mase te gjitheve. Na beri te ndihemi me shqiptare se kurre. E shoqeruar me festime te gjata, askush nuk mundi mos te behej pjese e atmosferes inkandeshente, qe solli deklarata e shumepritur e pavaresise. Shqiptaret kudo festuan dhe uruan njeri tjetrin ne mbare boten. Besuan se drejtesia u vu ne vend, sic u shprehen lideret shqiptare, pavaresisht perkatesise shteterore: “Ky ishte nje moment historik qe solli korrigjimin e nje padrejtesie qe iu be kombit shqiptar 100 vjet me pare”. Natyrshem te vjen ne mendje pyetja, nese ky eshte vetem fillimi i sherimit te plageve historike te popullit shqiptar ne veri apo jug te tokes meme? Pavaresia e Kosoves megjithate shenon vetem fillimin e nje shteti te sapolindur plot presione nga faktore te brendshem dhe te jashtem, e me nje armik ne deren e shtepise. Kosova perballet me sfida jetike per te vene ne jete parimet e Marti Ahtisarit si nje shtet i denje multietnik ne rrugen drejt integrimit evropian si dhe per te ndertuar nje ekonomi inekzistente. E megjithate, me ne fund kapitulli mbi statusin e Kosoves duket se u mbyll ne favorin e shqiptareve. Por, pavaresia e Kosoves nuk i perket vetem kosovareve dhe natyrisht nuk mund ta shohim kaq te izoluar ne aspektin e efekteve qe ajo sjell. Shpallja e vonuar e pavaresise ka shenuar nje rritje mjaft domethenese te nacionalizmit shqiptar deri me sot i percare ne disa shtete, e nga shqiptare te emigruar neper bote, i vrare nga ekzistenca e nje motherland (Shqiperia) te lodhur nga problemet e theksuara ekonomike, politike e sociale. Nga nje tranzicion i gjate ku ende lengojme, si dhe nga nje trashegimi komuniste e bazuar ne nacionalizem politik dhe aspak etnik. Nje skenar utopik, rrjedhoje e nacionalizmit te pakontrolluar. Dhe sot ja ku jemi. Me nacionalizem te riperterire nga fillimi e me nje reputacion qe na ben ta cojme koken lart pas nje beteje mjaft domethenese qe ne fituam me Serbine ne kohet moderne. Shqiptaret jane me te bashkuar se kurre dhe ndihen te mbeshtetur e me te sigurt ne Ballkanin e traumatizuar nga konfliktet etnike e prapambetja ekonomike. Por ky pershkallezim mjaft domethenes i nacionalizmit shqiptar mund te kete nje ndikim te drejtperdrejte ne kontekstin e rajonit. Shume lehte ai mund te prishe balancat e brishta ne shtetet multietnike, jo vetem aty ku aktualisht jetojne minoritete shqiptare si Maqedoni e Mal te Zi, por edhe me gjere. Nje shtet i ri i shqiptareve me siguri qe do te forcoje pozitat dhe autoritetin e tyre ne arenen nderkombetare packa perpjekjeve te mundshme te institucioneve nderkombetare per te kontrolluar kete nacionalizem sidomos ne Kosove, ku BE mendon se ka kontroll te plote. Rritja e nacionalizmit shqiptar padyshim qe do te shkaktoje nje kunder veprim te pashmangshem ne nacionalizmin e etniteteve te tjera sidomos ne shtetet multietnike, te cilat do ta ndiejne veten te kercenuara nga aspiratat ne rritje te shqiptareve, duke u kthyer ne nje ceshtje ekzistencializmi. Kjo automatikisht do te reflektohet ne te gjitha marredheniet midis etnive duke prishur ekuilibrat artificiale te krijuara pas shperberjes se Jugosllavise. Rreziku potencial per te shkaktuar konflikte te tjera eshte evident ku kryesisht, fillimet e saj do te evidentohen ne perplasjet e lidereve ekstremist per te perfituar popullaritetin e humbur. E tille lufta per pushtet nuk do te bazohet ne te drejtat e shtetasve, por ne te drejta e etnive, duke krijuar nje polarizim te komuniteteve se kush do te gezoje me shume te drejta brenda te njejtit shtet ose rajon. Mos te harrojme ketu hakmarrjen e pashmangshme serbe, e xhindosur nga pavaresia e Kosoves ne masat e saj nuk ka cfare te humb me. Per te bindur komunitetin nderkombetar se lejimi i pavaresise se Kosoves ishte nje gabim dhe padrejtesi qe asaj iu be, do te perdore te gjitha forcat ne mobilizim te komuniteteve serbe ne Kosove, Bosnje e me gjere per te krijuar katalizatore konfliktesh e konfrontimi. Kjo do te tensionoje edhe me shume dialogun nderetnik ne nje kohe qe do te krijoje tendenca te minoriteteve per t’ju bashkuar tokes meme rrjedhoje e nje pasigurie te pretenduar. Ne kushte te tilla bashkejetesa me serbet e Kosoves te ushqyer drejtperdrejt nga Beogradi vihet ne rrezik, ndersa ne anen tjeter interesimi i shqiptareve per ti perfshire serbet ne nje shoqeri multietnike eshte dhe do te behet edhe me i vogel. Nderkohe ne Maqedonine fqinje, shqiptaret kane nje tjeter pozicion i cili eshte lekundur ndjeshem nga ngjarja e pavaresise. Shume prej tyre jane te pakenaqur duke e ndiere veten qytetare te dyte ne shtetin maqedonas, do te aspirojne per me shume te drejta qe historikisht u jane privuar dhe natyrshem i meritojne. Kjo mund te interpretohet ndryshe nga elita maqedonase qe nuk ka hezituar t’i quaj shqiptaret terroriste e ekstremiste ne aspiratat e tyre per me shume liri e te drejta. Levizjet per me shume te drejta te shqiptareve pas shpalljes se pavaresise se Kosoves do te perkthehen si levizje separatiste duke ashpersuar ne kulm dialogun politik. Gjate diteve te fundit ne shtypin e perditshem kosovar, shqiptar e diaspore, media elektronike, ne forumet e faqeve shqiptare te internetit deri ne Facebook, Youtube e Blog-e shqipfoles, shume lehte mund te verejme nje nacionalizem me doza te larta dhe mungesen e theksuar e kontrollit te ushtrimit te ketij nacionalizmi. Nuk kane munguar edhe terma denigruese ndaj serbeve, sharjeve e fyerjeve publike, thirrjet te pamoderuara nacionaliste. Tashme flamujt shqiptare, koret patriotike, gezimi i pamase po del me ze te larte, duke bucitur si nje sirene alarmi per serbet, maqedonasit, malazezet apo edhe greket bashkejetesa e te cileve me shqiptaret nuk ka qene paqesore. E ndersa Kosova shpalli pavaresine, shqiptaret larguan nga vetja nje frike te madhe se mos shqetesojne serbet dhe komunitetin nderkombetar. Se mos si pasoje e ndonje gabimi privohen nga pavaresia. Pikerisht kjo ka mbajtur per vite me radhe lideret dhe popullaten shqiptare nen nje auto-censure dhe heshtje solidariteti per hir te ceshtjes kombetare. Tashme mundesia e privimit te pavaresise nuk ekziston dhe te gjithe jemi te lire te bertasim shqiptarizmin tone. Nacionalizmi ka qellime, e ndersa Kosova u shpall Republike kush mund te etiketohet si kauza e radhes. Kush eshte korrigjimi i padrejtesise se radhes qe i eshte bere kombit shqiptar? Nacionalizmi si term bazohet ne deshirat per vetevendosje dhe pavaresi. Prandaj ai eshte mjaft i rrezikshem, sidomos ne shtete te njohura per perberje te larte multietnike. E ndersa shqiptaret historikisht kemi qene popull nacionalist si pasoje e kercenimit periodik te ekzistences sone ne shume momente te historise, treguam se ne ditet e fundit kemi me shume se kurre nevoje, deshire dhe mundesi per te ushtruar nacionalizmin dhe identitetin tone. Kjo rrezikon te kthehet ne nje bumerang, folur per mundesine qe vete ne te shnderrohemi pa dashje ne iniciues te te tjera konflikteve te brendshme ne rajonin e percare nga inatet e urrejtjet nderetnike. Kosova si shtet i formuar ne kushte te veshtira ka nevoje per nje kontroll dhe moderim te nacionalizmit tone qe duhet te jete promovues i nje shteti te ri multietnik bazuar ne tolerancen dhe pranimin e tjetrit. Kjo eshte shume e rendesishme ne frenimin e ketij ”rizgjimi” te pergjithshem te nacionalizmit shekullor qe ne rrethana te caktuara nga aktore te ndryshem mund te interpretohet si ekstremizem. (*) Master, Gazetaria Globale - Universiteti i Oslos, Norvegji Kosova si shtet i formuar ne kushte te veshtira, ka nevoje per nje kontroll dhe moderim te nacionalizmit tone qe duhet te jete promovues i nje shteti te ri multietnik bazuar ne tolerancen dhe pranimin e tjetrit. Kjo eshte shume e rendesishme ne frenimin e ketij ”rizgjimi” te pergjithshem te nacionalizmit shekullor qe, ne rrethana te caktuara nga aktore te ndryshem, mund te interpretohet si ekstremizem







Leave a Reply.


Google Analytics tracking code