kosovotwopointzero


Isha vetëm 11-12 vjec kur për herë të parë do të shkoja jashtë shtetit, në Greqinë fqinje. Duhet sqaruar se shprehja “të shkosh jashtë shtetit” kishte (dhe ende ka) një simbolikë të veçantë në kontekstin shqiptar (të trashëguar nga komunizmi), ku shteti ku ne jetonim përfaqësonte njëkohësisht edhe planetin e shqiptarëve, pasi të rrallë ishin ata që kishin patur privilegjin për të udhëtuar jashtë kufijve. Si rrjedhojë edhe unë, si pasojë e kushteve i ndihmuar edhe nga fantazia fëminore, e përjetova si një udhëtim drejt një tjetër planeti:
“…aty ku autobuzi shëmbëllente me një anije kozmike, shoferi si astronaut dhe ushtarët kufitar si krijesa aliene të frikshme që kërkonin medoemos të ndalonin misionin tonë drejt “Henës”. Por ne, rreth 30 fëmijë dhe komananti, ishim të sigurt dhe nuk u stepëm. Me një lejekalim të falsifikuar, me emrin e ndryshuar për të kënaqur sa më shumë kërkesat ortodokse të drejtuesve të kishës greke që e financonin këtë udhëtim, do të shkonim në një kamp veror ‘jashtë shtetit’, në planetin “Patra” pjesë e Universit “Greqi”. Në kaosin dhe rrëmujën e krijuar në pikën kufitare me ankth prisnim urdhërin e oficerit grek ndërkohë që ne shtypeshim njëri pas tjetrit pas derës së hekurit që ndante tokën shqiptare nga toka greke. Kisha parandjenjën se diçka do të shkonte keq e s’do të na jejonin të kalonim. Zgjata me pak vështirësi këmbën përtej hekurave dhe ‘shkela’ tokën greke vjedhurazi; edhe nëse sdo të arrinim të vazhdonim udhëtimin unë e kreva misionin tim: për herë të parë kisha shkelur tokën e huaj’. Cfarë ndjesie...Vitet pasuan dhe lëvizjet jashtë shtetit u shpeshtuan deri në rutinë. Pavarësisht ‘misionit’, edhe pse ‘magjia’ u zhduk, përsëri unë e përjetoj aplikimin për vizë dhe momentet e kalimit të kufirit si një ‘jashtë-planetar’, që viziton një vend që nuk i përket dhe që askush nuk e kishte ftuar.

Rënia e regjimit totalitar shënoi hapjen e Shqipëris drejt Europës. Por përveç mallrave e produkteve që uzurpuan tregun shqiptar, përveç faktit se më në fund na lejuan të gëzonim të drejtat si konsumator produktesh ashtu si europianët e tjerë, asgjë nuk ndryshoi përsa i përket perceptimit për botën e jashtme. Ne vazhduam të mbetemi një komb i kyçur me gardhe hekuri. Megjithëse liria e fjalës u zgjerua, dukej se ishte më tepër e drejtë të çirresh brenda, se jashtë askush stë dëgjon. Regjimi i hekurt i vizave zëvendësoi regjimin komunist, që me fjalë të tjera do të thoshte një tjetër izolim për shqiptarët kësaj rradhe jo më në emër komunizmit por në emër të demokracisë perëndimore. Vizat u bënë kështu bashkudhëtari më i besueshëm i një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm. Për 20 vite ankesat, pakënaqësitë dhe vuajtjet që secili (kush më shumë e kush më pak) hiqte në kurriz na u kthyen në rutinë. Gjatë këtij proçesi edhe më të fortit u nënshtruan. Dikush ishte me fat për të patur një vizë 6 mujore e dikush fatkeq që pagoi 3000 euro për të shkuar me skaf, por rrugës e kapën dhe e kthyen pa i kursyer edhe një trajtim të mirë.

Me një proçedurë diskriminuese, Ata që sot propagandojnë për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me indiferentizmin dhe qetësinë tipike perëndimore shkelën të drejtat e mia si njeri, pasi të drejtat si qytetar nuk i gëzova ndonjëherë. Më lanë të paditur, të pashëtitur, të paparë, më prenë hovin, më shuajtën adrenalinën, më prishën ëndrrat sikur të më hidhnin një kovë me ujë të ftohtë duke më thënë... “ti nuk bën për të shkuar në Europë”.

Miti i vizave për 20 vitet e shkuara na tregoi se ne jemi vetëm njerëz të vegjël në një botë të madhe. Politikanë të pabesë që për 20 vite me rradhë nuk nguruan t’u premtonin shqiptarëve atë që njeriu ka më shumë nevojë: lirinë. Por pas premtimeve qëndronin burokratë që lëvizin me pasaporta diplomatike në ‘bussiness class’ andej këndej për të zgjidhur hallet e popullit. Hipokrizi edhe nga ndërkombëtarët që me receta të gatshme të ‘’testuara” apo në proçes testimi na tregojnë rrugën drejt të ashtëquajturave standarte perëndimore që shpërblehen në kohë. Por ata humbën sensin e kohës. Ndryshe nga ata koha ime është e vlefshme. 20 vjet izolim post-komunist për Europianikët mund të quhet edhe periudha e zbutjes së njeriut shqiptar që Europa pati frikë t’a pranonte për gjithë këto vite. Për 20 vite një tufë burokratësh europianë na denigruan pa mëshirë, na paraqitën në media si “ufo” të rrezikshëm, u sollën siç deshën bazuar në dobi të interesave të tyre politike, ku nuk përjashtohej as ksenofobia dhe racizmi. Sot ata vazhdojnë të buzqeshin dhe më thonë cfarë kavje e mirë jam treguar. Pasi u siguruan se u zbutëm, me zor të madh na dhanë një karrotë që e prisnim prej kohësh; liberalizimi i regjimit të vizave. Sa e kishim ëndërruar këtë ditë. Por në të vërtetë nuk ndjeva gëzim. Ndjeva keqardhje. Për veten time që s’pata mundësi të udhëtoja më shumë e për mijëra e mijëra të tjerë që shpresuan të lëvizin një ditë të lirë jashtë shtetit… Po tani?

Shqipëria pa viza është një mit... që ‘ata’ e shpikën në dobi të interesave të tyre. Njerëzit më shumë se të sillen të lirë kanë nevojë të ndihen të lirë. Dhe pikërisht vala e fundit e liberalizimit të vizave nuk e bëri një gjë të tillë. Instrumentat për ta mbajtur një popull të nënshtruar vazhdojnë të mbeten edhe pas liberalizimit të premtuar të ‘karrotës’. Ne do të vazhdojmë të mbetemi të kërcënuar nga struktura burokratike që në mënyrë rutinë uzurpojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të njëjtat që besohet se qëndrojnë në themel të Bashkimit Europian si entitet. Dhe në vend të përuljes e mirënjohesë për të ashtëquajturën ‘liberalizim i regjimit të vizave për vendet Shengen” dua t’i drejtoj gishtin tim të mesit të gjithë atyre që më gënjyen, u tallën dhe asnjëherë nuk e morën seriozisht faktin se unë kam nevojë të lind e të vdes i lirë për të lëvizur.




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code