kosovotwopointzero


Freskia e shirat e shtatorit na përmendën e na sollën disi në vete nga javët e gjata të pushimeve verore që aq shumë i pritëm. Secili në mënyrën e vet u përpoq t’i shijojë lirshëm, sa më pranë detit, në mal apo kodër. Të buzëqeshur e me energji të reja ju kthyem rutinës në punë, familje e shoqëri. Çdo gjë shijon më shumë kur je me pushime, sidomos ushqimi dhe pijet për të cilat nuk kursehemi aspak. Por këtu nis edhe fatkeqësia e turizmit shqiptar, pasi përveç njerëzve të pakët, me kapele plazhi e çadra që i drejtohen bregdetit, është zhvilluar në masë edhe një specie e re e kohëve moderne në epokën e konsumatorit që kryesisht zhvillohet në qytete. Kjo specie lëkundet pa identitet mes njeriut dhe kafshës. Për lehtësi le ta quajmë “Humanima” (human-animal) si një nga ato krijesat e marra borxh në filmat fanta-shkencë. “Humanimat” gjithashtu duken të përgatitur mirë për pushime, ashtu si kolegët njerëz; me krem që mos t’i djegë dielli, me syze për të mbrojtur shikimin e për t’u dukur bukur, me makina me kondicionerë që ta bëjnë udhëtimin sa më komod, etj. Por sado të maskuar pas veshjeve të pastra e lëkurës së lëmuar që i bën të dallueshëm nga derrat e pafajshëm, ata tradhëtohen nga sjellja e padenjë me mjedisin dhe nga mungesa e edukatës bazë që ndoshta askush nuk ua mësoi.Të ndryshëm nga kafshët që lënë pas vetëm mbeturina organike, e kaq ndryshe nga njerëzit që në mijëvjecarin e ri kujdesen të mbledhin mbeturinat vetjake në vendet e caktuara e mundësisht edhe t’i riciklojnë, duke i dhënë frymëmarrje mjedisit. Në këtë kontekst “Humanimat” kanë përvetësuar dy aspektet më negative njeri - kafshë; konsumojnë dhe lënë pas mbeturina inorganike.

Ndoshta i kujtoni se si mëngjesi i gjente ata të ngarkuar rëndë me çanta me ushqime, pije e lloj lloj produktesh, duke ecur në drejtim të plazheve të virgjër në zona të ndryshme turistike. Disa orë më vonë kthehen në bazë me duar në xhepa. Kjo pasi mbeturinat më të edukuarit i kanë fshehur pas ndonjë peme apo ferre të rastësishme, ndërsa më “snobët” e pasardhësit e tyre, i kanë lëshuar në ajër për të rënë diku. Kështu ata dallohen, madje edhe gjurmohen lehtë, pavarësisht statusit që mund të gëzojnë në shoqëri. Kjo sepse mbi kokat e tyre fluturon gjithçka që nuk i vlen komoditetit dhe kënaqësisë së çastit. Si rezultat sot kemi një det me paketa cigaresh të mbledhura kruspull e të hedhura kudo, një lumë me shishe plastike të rrudhura e qelqe të ciflosura e thyera, një mal me ambalazhe ushqimesh nga më të larmishmet që zvarriten në ritmin e erës…. Sot, shtator 2010 perlat e bregdetit shqiptar e më gjerë gjenden në një situatë post – anarkie në luftën e pashpallur: Humanima Vs. Natyra.

Pa dashur të mbulojmë fajin e qeveritarëve për të ndërtuar një infrastrukturë për mbledhjen e përpunimin e mbeturinave urbane në pikat turistike, shkaktarët fillestarë të katastrofës duket se jemi ne, të gjithë sëbashku. Me dëshirën për t’u mrekulluar nga bukuritë e Jonit apo Adriatikut, për t’u magjepsur nga peisazhe mahnitëse që vendi ynë bujarisht ofron, në kërkim të paqes pranë natyrës, plehërat në grup apo indivuduale, të përshtjellojnë. Duket si një betejë lufte tashmë e përfunduar me një disfatë ekologjike. Në kërkim të paqes ata sollëm luftën, duke lënë pas katastrofën mjedisore kudo ku shkelën. Aty ku shtegu i dhisë u kthye në rrugë për këmbësorë e më pas, me urdhër nga lart, u asfaltua për makinat, aty nisi edhe mësymja e madhe. Rolin e armëve të shkatërrimit në masë e luajnë tonelatat e mbeturinave urbane të shpërndara ngado, që krijojmë e braktisim rishtaz në 3 muajt e verës. Janë pikërisht plehërat, prova më e mirë e një qytetërimi fallco që ne jetojmë këtu, në Shqipërinë e aspiratave europiane. Mbeturinat sot vajtojnë në anë të detit, e nesër me siguri në fund të tij për të shkaktuar katastrofën ekologjike të rradhës në Gjirin e lodhur të Lalzit, në Jalin dikur të virgjër por sot të kurvëruar si prostitutë e pavlerë, në Gjipenë e vogël të përdhunuar në grup, në Bunecin e keqtrajtuar pa mëshirë për 3 muaj, në Livadhin e pështyrë, në Lukovën e re tashmë të menderosur…

Qershori tjetër duket larg, shumë larg. E deri atëhere natyra e duruar, me forcën e saj të brendshme e të jashtme, do të përpiqet të bëjë pak makiazh e t’iu ofrojë “Humanima-ve” përsëri ambjente çlodhëse. Por e keqia do të mbetet për një kohë të gjatë në fundin e detit apo nën tokë për t’u përsëritur vit pas viti, derisa një ditë hakmarrja e merituar natyrore do të vijë. Dhe do të jesh përsëri ti “Humanima”, sëbashku me njerëzit, kafshët, shpendët, bimët që do të vuash pasojat. Atëhere do të kujtosh plot nostalgji plazhet e bukur që dikur krenoheshe, ndërkohë luginat malore çlodhëse e liqenet e freskët do të kthehen me kalimin e viteve e dekadave, një vegim i largët. Ti me hipokrizi e paturpësi do të thuash se “e prishën” e ti s’ke gisht… por që kot fshihesh e justifikohesh o humanima… ti vetë ishe pjesë e shkatërrimit, me atë bidonin tënd të hedhur pa kujdes pak kohë më parë, në një ferrë rrugës për në plazh, që u pasua nga qindra të tjerë …




Foto nga plazhet e ndotur mund t’i gjeni në http://picasaweb.google.com/besibaka/AlbaniaSouthSept2010#






Leave a Reply.


Google Analytics tracking code