Gazeta Shqip
Peshku pa uje

Ndonëse kaluan 20 vjet nga ndryshimet e para demokratike, që shënoi fillimin e  tranzicionit politik dhe ekonomik në vendin tonë, kultura demokratike në Shqipëri jo vetëm lë për të dëshiruar, por ndodhet në kushtet e një erozioni gradual. Që në fillesat e saj, procesi i tranzicionit në Shqipëri u politizua dhe u përdor nga elitat politike që pasuan, për qëllime e interesa personale. Kjo shkaktoi fenomene të njohura e mjaft të rrezikshme për sistemin demokratik: si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, përqendrimi i pushtetit në duart e disa grupeve të vogla etj. Rrjedhimisht këto shkaktuan një gërryerje të vazhdueshme të besimit të publikut të gjerë në institucionet e brishta të shtetit demokratik.
‘Demokratizimi’, në një vend si i yni, me një histori të gjatë në komunizëm, u zhvillua në disa faza. Ky proces në fazën e tij fillestare (kujtojmë vitet 90), u shoqërua me një interes të lartë në popull. Pakënaqësitë publike u reflektuan në aktivizëm e veprimtari politike ku njerëzit perceptonin se veprimet individuale politike mund të kishin ndikim në proceset politike. Kjo i bën qytetarët më të prirur për të marrë pjesë në aktivitete publike që sfidojnë elitat në fuqi. Bazuar në disa teori politike, besohet se sa më e fuqishme të jetë ndjesia e një qytetari se sistemi politik orientohet nga nevojat e tij, aq më tepër ata do ta mbështesin atë duke u bërë pjesë e këtij sistemi dhe rrjedhimisht duke e legjitimuar atë. Por në rastin e vendit tonë, në një perspektivë afatgjatë e shtrirë në dy dekada, apatia dhe mungesa e interesit në çështjet politike dolën në pah dhe u forcuan me kalimin e viteve si pasojë e papërgjegjshmërisë e mungesës së efikasitetit në qeverisje. Për rrjedhojë, ata që zhvillojnë një vlerësim negativ ndaj institucioneve e shoqëruar me sjellje emocionale, janë më të predispozuar për t’u bërë indiferent. Studimet tregojnë se si pasojë e efikasitetit të ulët politik, apatia dhe pasiviteti janë më të larta pikërisht tek ata që edhe janë më të pakënaqurit. Kjo pasi nuk mund të pretendohet se ata qytetarë, të cilët kanë një perceptim negativ ndaj procedurave demokratike dhe institucioneve në vend, të jenë aktiv në proceset politike. “…Nëse ata që janë në pushtet nuk shqetësohen shumë, përse duhet unë të shqetësohem?”. Pra vlen të theksohet se kur ndërtojmë një demokraci, themelimi i institucioneve demokratike nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet që gjithashtu të ekzistojë një besim i gjenerueshëm në këto institucione me qëllim që demokracia të funksionojë dhe të evoluojë. Kjo duket se është edhe sfida kryesore e demokracisë ‘transit’ në Shqipëri.

Rënia e numrit të votuesve dhe mosangazhimi në grupet politike dhe vullnetare është treguesi kryesor i një shoqërie apatike. Kjo interpretohet si sëmundja kryesore e një shteti modern demokratik: “Aty ku pak njerëz marrin pjesë në vendimmarrje, ka shumë pak demokraci ose ndryshe "pushtet i popullit". Kështu zgjedhjet e para të lira në Shqipëri u shoqëruan me një pjesëmarrje të lartë, si dhe numri i partive të pësojë një rritje të shpejtë. Më specifikisht në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1991 pjesëmarrja ishte maksimale, plot 99%, e një vit më vonë 71%. Por me kalimin e viteve vërehet një rënie progresive e mbështetjes sociale në procesin që nga elita politike padrejtësisht pretendohet si “forcim” i demokracisë. Si pasojë, pjesëmarrja në zgjedhje vazhdoi të ulej ndjeshëm e në dekadën e fundit nuk i ka kaluar 55%. Madje, zgjedhjet e fundit rezultuan në një pjesëmarrje më pak se gjysma, vetëm 45%. Pikërisht dobësimi i shoqërisë politikisht aktive, mund të quhet edhe fajtori i drejtpërdrejtë i një shoqërie civile të dobët, dhe nivelit të ulët të besimit ndërpersonal duke reflektuar standarde të ulëta demokratike.

Në të tilla kushte, konsolidimi i demokracisë liberale në një vend në tranzicion si Shqipëria, duket se është peng i mungesës së besimit qytetar tek autoriteti publik. Në këtë perspektivë, në një analizë të shtrirë në vitet e tranzicionit, hendeku midis klasës sociale dhe asaj politike ka pësuar rritje të pandalshme duke minuar bazat e demokracisë populiste. Komunikimi midis dy sferave; asaj politike dhe asaj popullore, është bërë formal, në distancë të largët dhe vendimmarrja tërësisht e njëanshme. Kjo ka ndikuar edhe më tepër në rritjen e apatisë dhe uljen e besimit në sistemin demokratik, pasi qytetarët mendojnë se nuk kanë asnjë efekt në politikat e ndërmarra, duke humbur interesin për ndërveprim dhe shpresën për ndryshim. Në anën tjetër, politikanët nuk përfaqësojnë në vetvete vullnetin dhe nevojat e votuesve duke humbur legjitimitetin e përcaktuar nga principet e një regjimi demokratik.

Besohet se demokracia është i vetmi sistem politik që i jep zë dhe mundësi zgjedhjeje të gjithë qytetarëve, që rrit përgjegjshmërinë politike dhe shpërndarjen e drejtë të pushtetit, dhe që është ndërtuar në mënyrë të veçantë për të realizuar një transferim paqësor të pushtetit. Janë këto elemente të nevojshme që ndalojnë tiraninë. Por gjatë ‘(ç)evoluimit’ të sistemit demokratik në vite, aktualisht në Shqipëri asnjë nga këto hallka të rëndësishme nuk funksionon si duhet, duke na bërë të kuptojmë demokracinë e rreme që mbizotëron në vendin tonë. Për më tepër duhet të përmbushen disa nocione themelore si zgjedhjet e lira, Kushtetuta demokratike, dhe një opozitë funksionale, për të pretenduar se një vend si i yni, me histori të gjatë në regjimin komunist, të përqafojë bazat e një demokracie liberale.

Në praktikë, të qenët në qeveri do të thotë akses te burime të mëdha, madje në shumë raste akses në të gjitha burimet e mundshme. Disa nga këto burime përdoren për të ruajtur e mbajtur kontrollin politik. Mitëmarrja, presionet, kërcënimet me qëllim sigurimin e mbështetjes politike, janë gjithmonë një shqetësim që kanos regjimin demokratik, ndërkohë që korrupsioni, klientelizmi dhe nepotizmi janë dukuri shoqëruese. Në këtë sistem, liritë demokratike ekzistojnë, por liritë liberale janë të kufizuara vetëm për të privilegjuarit. Si pasojë ka më pak stimul për lidershipin, për të hequr dorë nga sjelljet jodemokratike dhe për t’i hapur rrugë një qeverisje transparente. Në këto kushte kontrolli dhe balancat demokratike bëhen të dobëta dhe shpesh rrezikohen seriozisht, duke shkaktuar gërryerje dhe erozion të sistemit qeverisës. Kjo fatkeqësisht pranohet në heshtje dhe indiferentizëm nga komuniteti që bëhet vetë pjesë e këtij procesi degradues.

Së fundi, një tjetër aspekt që dëshmon rrënimin e demokracisë në vend është përpjekja e forcimit të demokracisë nga faktorë të jashtëm (komuniteti ndërkombëtar). Kjo mund të kalojë në disa faza nga të cilat mund të veçojmë dy “kushtëzimin” dhe “nxitjen”. “Kushtëzimi” ka të bëjë pikërisht me ofrimin e një favori në këmbim të hapave konkretë në konsolidimin e demokracisë (siç është në rastin tonë anëtarësimi në BE). Ndërkohë që “nxitja” në këtë kontekst nënkupton një përfitim me qëllim inkurajimin e zhvillimit demokratik siç ishte mundësia e humbur e liberalizimit të vizave për vendin tonë. Të dyja këto instrumente dështuan në rastin e Shqipërisë, duke sjellë apati edhe në nivelin e aktorëve ndërkombëtarë, të cilët kanë humbur besimin në forcimin e demokracisë së vërtetë. Të gjitha vendet në tranzicion si i yni, aspirojnë të përqafojnë modelin e një demokracie perëndimore. Por jo vetëm që jemi larg këtij sistemi, por po i largohemi edhe më shumë dita-ditës duke u fshehur pas fasadës së një demokracie të sajuar alla shqiptarçe.




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code