kosovotwopointzero


Freskia e shirat e shtatorit na përmendën e na sollën disi në vete nga javët e gjata të pushimeve verore që aq shumë i pritëm. Secili në mënyrën e vet u përpoq t’i shijojë lirshëm, sa më pranë detit, në mal apo kodër. Të buzëqeshur e me energji të reja ju kthyem rutinës në punë, familje e shoqëri. Çdo gjë shijon më shumë kur je me pushime, sidomos ushqimi dhe pijet për të cilat nuk kursehemi aspak. Por këtu nis edhe fatkeqësia e turizmit shqiptar, pasi përveç njerëzve të pakët, me kapele plazhi e çadra që i drejtohen bregdetit, është zhvilluar në masë edhe një specie e re e kohëve moderne në epokën e konsumatorit që kryesisht zhvillohet në qytete. Kjo specie lëkundet pa identitet mes njeriut dhe kafshës. Për lehtësi le ta quajmë “Humanima” (human-animal) si një nga ato krijesat e marra borxh në filmat fanta-shkencë. “Humanimat” gjithashtu duken të përgatitur mirë për pushime, ashtu si kolegët njerëz; me krem që mos t’i djegë dielli, me syze për të mbrojtur shikimin e për t’u dukur bukur, me makina me kondicionerë që ta bëjnë udhëtimin sa më komod, etj. Por sado të maskuar pas veshjeve të pastra e lëkurës së lëmuar që i bën të dallueshëm nga derrat e pafajshëm, ata tradhëtohen nga sjellja e padenjë me mjedisin dhe nga mungesa e edukatës bazë që ndoshta askush nuk ua mësoi.Të ndryshëm nga kafshët që lënë pas vetëm mbeturina organike, e kaq ndryshe nga njerëzit që në mijëvjecarin e ri kujdesen të mbledhin mbeturinat vetjake në vendet e caktuara e mundësisht edhe t’i riciklojnë, duke i dhënë frymëmarrje mjedisit. Në këtë kontekst “Humanimat” kanë përvetësuar dy aspektet më negative njeri - kafshë; konsumojnë dhe lënë pas mbeturina inorganike.

Ndoshta i kujtoni se si mëngjesi i gjente ata të ngarkuar rëndë me çanta me ushqime, pije e lloj lloj produktesh, duke ecur në drejtim të plazheve të virgjër në zona të ndryshme turistike. Disa orë më vonë kthehen në bazë me duar në xhepa. Kjo pasi mbeturinat më të edukuarit i kanë fshehur pas ndonjë peme apo ferre të rastësishme, ndërsa më “snobët” e pasardhësit e tyre, i kanë lëshuar në ajër për të rënë diku. Kështu ata dallohen, madje edhe gjurmohen lehtë, pavarësisht statusit që mund të gëzojnë në shoqëri. Kjo sepse mbi kokat e tyre fluturon gjithçka që nuk i vlen komoditetit dhe kënaqësisë së çastit. Si rezultat sot kemi një det me paketa cigaresh të mbledhura kruspull e të hedhura kudo, një lumë me shishe plastike të rrudhura e qelqe të ciflosura e thyera, një mal me ambalazhe ushqimesh nga më të larmishmet që zvarriten në ritmin e erës…. Sot, shtator 2010 perlat e bregdetit shqiptar e më gjerë gjenden në një situatë post – anarkie në luftën e pashpallur: Humanima Vs. Natyra.

Pa dashur të mbulojmë fajin e qeveritarëve për të ndërtuar një infrastrukturë për mbledhjen e përpunimin e mbeturinave urbane në pikat turistike, shkaktarët fillestarë të katastrofës duket se jemi ne, të gjithë sëbashku. Me dëshirën për t’u mrekulluar nga bukuritë e Jonit apo Adriatikut, për t’u magjepsur nga peisazhe mahnitëse që vendi ynë bujarisht ofron, në kërkim të paqes pranë natyrës, plehërat në grup apo indivuduale, të përshtjellojnë. Duket si një betejë lufte tashmë e përfunduar me një disfatë ekologjike. Në kërkim të paqes ata sollëm luftën, duke lënë pas katastrofën mjedisore kudo ku shkelën. Aty ku shtegu i dhisë u kthye në rrugë për këmbësorë e më pas, me urdhër nga lart, u asfaltua për makinat, aty nisi edhe mësymja e madhe. Rolin e armëve të shkatërrimit në masë e luajnë tonelatat e mbeturinave urbane të shpërndara ngado, që krijojmë e braktisim rishtaz në 3 muajt e verës. Janë pikërisht plehërat, prova më e mirë e një qytetërimi fallco që ne jetojmë këtu, në Shqipërinë e aspiratave europiane. Mbeturinat sot vajtojnë në anë të detit, e nesër me siguri në fund të tij për të shkaktuar katastrofën ekologjike të rradhës në Gjirin e lodhur të Lalzit, në Jalin dikur të virgjër por sot të kurvëruar si prostitutë e pavlerë, në Gjipenë e vogël të përdhunuar në grup, në Bunecin e keqtrajtuar pa mëshirë për 3 muaj, në Livadhin e pështyrë, në Lukovën e re tashmë të menderosur…

Qershori tjetër duket larg, shumë larg. E deri atëhere natyra e duruar, me forcën e saj të brendshme e të jashtme, do të përpiqet të bëjë pak makiazh e t’iu ofrojë “Humanima-ve” përsëri ambjente çlodhëse. Por e keqia do të mbetet për një kohë të gjatë në fundin e detit apo nën tokë për t’u përsëritur vit pas viti, derisa një ditë hakmarrja e merituar natyrore do të vijë. Dhe do të jesh përsëri ti “Humanima”, sëbashku me njerëzit, kafshët, shpendët, bimët që do të vuash pasojat. Atëhere do të kujtosh plot nostalgji plazhet e bukur që dikur krenoheshe, ndërkohë luginat malore çlodhëse e liqenet e freskët do të kthehen me kalimin e viteve e dekadave, një vegim i largët. Ti me hipokrizi e paturpësi do të thuash se “e prishën” e ti s’ke gisht… por që kot fshihesh e justifikohesh o humanima… ti vetë ishe pjesë e shkatërrimit, me atë bidonin tënd të hedhur pa kujdes pak kohë më parë, në një ferrë rrugës për në plazh, që u pasua nga qindra të tjerë …




Foto nga plazhet e ndotur mund t’i gjeni në http://picasaweb.google.com/besibaka/AlbaniaSouthSept2010#



 
Gazeta Shekulli

Prej më se tre muajsh, Italia ka nisur një fushatë promovuese masive për të bindur shqiptarët mbi miqësinë e sinqertë që dy shtetet gëzojnë. 80 aktivitete të ndryshme kulturore, politike, ekonomike e sportive përfshirë këtu edhe vizita të zyrtarëve më të lartë italianë nën siglën "Dy popuj, një det, një miqësi" përbënin mekanizmat e kësaj fushate, që uzurpoi edhe mediat shqiptare. Por, përse nevojitet një fushatë e tillë, me një buxhet kaq të madh? Nëse do ta shikonim në lentet e komunikimit dhe marketingut duhet të dalin në pah disa çështje bazë.
Së pari, cili është qëllimi i fushatës? Një fushatë promovuese bëhet për të krijuar një opinion publik të favorshëm për një çështje të caktuar, në rastin aktual për Italinë si investitor i sigurt. Së dyti, kujt i drejtohet? Mendohet se i drejtohet shqiptarëve (sigurisht, edhe politikanëve vendas, të cilët janë përgjegjës për vendimet strategjike). Cili është mesazhi? Mesazhi duket i qartë: "Italia e do Shqipërinë sepse..."
Aktualisht shqiptarët nuk kanë ndonjë paragjykim negativ për Italinë, pa dashur të hyjmë në detaje historike. Si rrjedhojë kjo fushatë synon të gjenerojë besim për të ardhmen për atë çka Italia si entitet do të bëjë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë kjo fushatë është një mënyrë ideale për të ngopur gojët e uritura me reklama pa fund, duke bërë që zërat kritikë gjithmonë e më pak po dëgjohen në televizione e gazeta vendase.
Në anën tjetër qeveria shqiptare, e varfër e me autoritet të rrënuar, përpiqet të nxisë investimet e huaja duke u mundësuar "miqve" standarde të ulëta mjedisore, kosto të ulët të punës e fitime të majme (kujtojmë këtu fushatën "Shqipëria - 1 Euro"). Kjo praktikë është e njohur në vendet e pazhvilluara. Studiues të njohur si Chomsky dhe Herman analizojnë se si korporatat multinacionale "bëjnë ligjin" në vendet e botës së tretë. Duke u përpjekur të përfaqësohen si mbrojtëse të drejtat të njeriut, nevojave dhe aspiratave të tyre e në veçanti të grupeve vulnerabël, kompani e qeveri, gjenerojnë fitime marramendëse në kurriz të popullit dhe mjedisit. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur politika dhe biznesi bëhen së bashku për përfitime të ndërsjella.
Jo rastësisht, "miqësia e fundit" nisi me projektin mjaft të kundërshtuar të përpunimit të plehrave në Kashar, ku nëpërmjet ndërtimit të një impianti përpunimi nga pala italiane me kosto 6 milionë euro do të bëhej asgjësimi i përbashkët i plehrave italiane e shqiptare. Më tej u pasua nga projekti "Petrolifera" që prej vitesh ka nisur aktivitetin në brigjet e Vlorës. "Mbështetja për popullin shqiptar" vazhdoi me projektet për ndërtimin e impianteve energjetike të erës, ku mund të veçohet ai i Karaburunit. Por shumë shpejt ky projekt u anulua, paçka se ishte me miqësori me mjedisin e shpresojmë që për këtë mos të gjobitemi sërish nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Ndërkohë kompania italiane ENEL hyri fuqishëm në lojë, duke kërkuar të luajë rolin dominues në zhvillimin e sektorit energjetik në vend. Por ndryshe nga sa trumbetohet mbi nxitjen e zhvillimit të energjisë së rinovueshme, së shpejti në Porto-Romano pritet të ndërtohet një central energjetik me djegie qymyri, me fuqi 1300-1600 megavat. Kjo tashmë është vulosur nga Ministri Ruli dhe Fluvio Konti, menaxher i përgjithshëm i ENEL, ndërkohë që një mbështetës i sigurt për këtë vepër është edhe konfidustria shqiptare.
Sipas një studimi të nxjerrë nga organizata EDEN në bashkëpunim me "Bankëatch Netëork", pritet që Shqipëria të rrisë me 2.5 herë shkarkimet e dioksidit të karbonit nga niveli aktual. Plani i ENEL do të thotë importimin drejt Italisë të 85% të energjisë së prodhuar në Shqipëri dhe eksportimin në vendin tonë të të gjithë ndotjes mjedisore që kjo vepër energjetike lë pas. Mendohet se ky central do të pengojë zhvillimin e industrisë së energjisë së ripërtërishme dhe industrinë e turizmit krahas dëmit të pashmangshëm mjedisor. Transferimi i industrisë së ENEL, e jo vetëm nuk është i rastësishëm, por i menduar gjatë e i gatuar prej kohësh nga Berisha e Berluskoni.
E njëjta kompani ka shprehur hapur ambiciet e saj për të ndërtuar një impiant energjetik nuklear në kushte të ngjashme, sapo Shqipëria të "bëjë gati letrat". Projektet e tilla duken se kanë marrë mbështetjen e lidershipit shqiptar që në asnjë moment nuk ka treguar vëmendje e interes ndaj efekteve negative të këtyre projekteve mjaft të diskutueshme. Gjithçka bëhet me konsensusin e plotë të qeveritarëve shqiptarë (për ironi vetëm pak javë më parë, dy ministrat respektivë të Mjedisit, Mediu dhe Prestigiacomo, treguan se si Roma do të "mbështesë" Tiranën në projektet mjedisore).
Kjo miqësi "e sinqertë" e ka një arsye. Italia ka probleme energjetike ashtu si Shqipëria. Sipas rregullave të reja të BE-së, Italia duhet që 20 % të energjisë elektrike ta prodhojë nëpërmjet burimeve të rinovueshme si era, uji, apo dielli. Në rast të kundërt, Italia duhet ta importojë energjinë, çka aktualisht po bën çdo vit. Sipas ekspertëve italianë, në vitin 2020, Italia do të jetë e aftë të prodhojë vetëm gjysmën e energjisë elektrike që i nevojitet. Aktualisht, ajo është importuesi më i madh i energjisë elektrike në Europë. Në vitin 2007, importonte më shumë se 15 % të energjisë e si rrjedhojë çmimi i energjisë është ndër më të lartët në BE. Në anën tjetër puna për kompanitë energjetike është bërë edhe më e vështirë si pasojë e kostos së lartë mjedisore që ato duhet të përballojnë. Kështu Shqipëria është një mundësi ideale shpëtimi. Manovrat me Shqipërinë do të çlirojnë Italinë nga varësia që ka nga energjia e importuar (nukleare) nga Franca, por nëpërmjet fushatave sensibilizuese dhe favoreve politike do të marrë energji të lirë 100% të pastër për veten e saj.
Teksa fushatës "Një det, një miqësi" po i ka ardhur fundi, shumë shpejt pritet të nisë faza e dytë, ajo e vënies në jetë të aferave mes dy vendeve, ku politika dhe biznesi janë bërë bashkë në emër të një "miqësie të veçantë" që qëndron në përfitime dhe mjedis të ndotur. Por për këtë pak thuhet e reklamohet.


Google Analytics tracking code