Gazeta Shekulli
kosovotwopointzero

Tabelat e dorës “ndalim qarkullimi” janë një simbol i njohur që policia apo shërbime të njohura me ligj (si shërbimet e ruajtjes fizike, policitë private etj.) përdorin për të ndërprerë qarkullimin në rrugë. Por në Shqipëri këto vegla kanë edhe një tjetër rol, ndoshta më të rëndësishëm. Të vendosura në xhamin e makinave civile, ato simbolizojnë “(pu)shtetin”. Shtimi i tyre në masë, gjatë kohëve të fundit, ka rritur presionin ndaj atyre që nuk kanë tabelë “speciale” në makinë, madje s’kanë makinë fare. Qytetarët s’kanë si të mos bezdisen nga sjellja arrogante por e privilegjuar, që këto mjete gëzojnë, duke shkelur normat, rregullat, ligjin e madje duke sfiduar vetë autoritetin më të lartë të ruajtes së rendit publik – Policinë e Shtetit. Kjo e fundit edhe pse posedon tabela identike, duket se ka frikë nga ajo që mund të shkaktojë përplasja kokë më kokë e dy simboleve, ku natyrisht do të ketë pasoja për më të dobtin. 

Përse ky fenomen? Në ditët e sotme korrupsioni shikohet si një sulm i hapur ndaj nocionit që “… të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë për të arritur lumturinë nëpërmjet mënyrave legjitime”. Në një sistem politik, për të siguruar aplikimin e rregullave bazë, shoqëria i delegon pushtet përfaqësuesve të shtetit kudo që ata ndodhen; në sistemin e drejtësisë, policisë, shërbimeve publike etj. Natyrisht që nëpunësit nuk mund të përjashtohen nga joshja njerëzore për t’i krijuar vetes mundësi e favore shtesë në mënyra korruptive. Por lehtësia që ata e bëjnë këtë gjë në Shqipëri është fatale. Pavarësisht se çfarë përfaqëson në të vërtetë, ai/ajo e konsideron veten “kre”, “lider”, apo pse jo “mbret”, ndërkohë që njerëzit e tjerë janë thjesht burim për t’u shfrytëzuar në dobi të interesave të tyre. Patjetër që këta njerëz doemos fryehen si kaposha pas kundër-tabelës së policisë, e cila vendosur në cepin e poshtëm, në xhamin e parë të maqinës nga ana e shoferit, u shëmbëllen me stemën apo dekoratën “I PRIVILEGJUARI”.

Në një kohë që “Transparency International” e rendit Shqipërinë ndër vendet me korrupsionin më të lartë në mbarë Europën, vëmendja në këto studime përqëndrohet kryesisht në aspektet formale të pushtetit dhe organizatave politike. Aspektet informale pak dalin në pah, në një kohë që shteti rrezikon të kthehet në një fasadë që fsheh realitetet e marrëdhënieve politike të personalizuara në vite, klientelizmin e forcuar dhe korrupsionin e përhapur. Teoria na thotë se në ndryshim nga regjimet totalitare, sistemet demokratike karakterizohen nga përgjegjshmëria e qeverisë ndaj qytetarëve të saj në tërësi. Po a e ndiejmë se ndodh vërtet kështu në rrugën e demokracisë Shqiptare me plot tabela “ndalim qarkullimi”?

Njeriu karakterizohet nga dy veçanti. Përveç aspektit fizik, gëzon edhe aspektin social, me karakteristika që bazohen në pozicionin, pushtetin, privilegjet, detyrimet e të drejtat që ai gëzon në shoqëri. Besohet se të gjithë e kanë të vështirë të heqin dorë nga privilegjet sociale, madje luftojnë për t’i ruajtur apo rritur ato, me qëllim për të jetuar më mirë. Paralelisht kushtet bëjnë që marrëdhëniet mes të privilegjuarve ose e thënë ndryshe “elitave”, të ndërveprojnë e zhvillohen. Kjo sjell që me kalimin e kohës interesat e tyre të institucionalizohen. Këtë e gjejmë sot në gjykata, polici, institucione publike në nivel qëndror e lokal, ku ne nuk trajtohemi njësoj. Shteti, në një demokraci në tranzicion si Shqipëria, ka institucionalizuar marrëdhëniet midis “(pseudo)elitave”, ku privilegjet janë rregulluar në një mënyrë të tillë që ato të transformohen në “të drejta të elitës” pra të legjitimohen. Si rrjedhojë, sot nuk kemi të bëjmë më me privilegje individuale, por me privilegje që i aplikohen ekskluzivisht elitave, le të themi në mënyrë të barabartë. Në këtë mënyrë bëhet edhe shpërndarja graduale e pushtetit mes tyre, duke e përqëndruar edhe më shumë autoritetin në një rreth sa më të ngushtë. Kush e ndien veten “elitë” për fatin e mirë apo të keq, i përket kësaj sfere që mund të dallohet lehtësisht nga sfera “e paprivilegjuar”. Si rezultat sot jetojmë një lloj rendi feudal në kohët moderne, ku shteti i trajton qytetarët e tij jo më në mënyrë të barabartë e kolektive, por në mënyrë personale, duke marrë në konsideratë përkatësinë sociale, politike apo ekonomike.

Është ironike pasi pretendohet të jemi ne ata që i akordojmë përfaqësusve të institucioneve publike, monopolin e pushtetit për të ushtruar presion dhe forcë ndaj nesh. Jemi ne që u kemi dhënë çelësat e tabelave të “ndalim qarkullimit”. Pra është esenciale për drejtësinë, që ky pushtet të aplikohet pa frikë dhe favore, pa burracakë shtetërorë ose private, që përdorin postin për favore personale, shpesh me arsyen: “…të gjithë kështu do bënin”.

Përveç se praktikat korruptive në shoqërinë shqiptare vazhdojnë të jenë të rrënjosura në kulturën lokale, ato janë në bërthamën e sistemit tonë politik. Reformat që prej kaq vitesh po përpiqemi më kot t’i vëmë në jetë për të forcuar shtetin ligjor e luftuar korrupsionin, kanë dështuar. Arsyeja mund të jetë e thjeshtë: …reformat kërcënojnë apo prekin interesat e elitave të pasura dhe të pushtetshme, teksa “privilegjësia” kërkon të mbrojë e forcojë me fanatizëm pozicionet e favoret që tashmë i konsideron të merituara.

Sot posedimi i një tabele nuk na bën të kuptojmë për një privilegj që dikush e ka, por për një të drejtë akorduar dikujt duke u reflektuar në një padrejtësi për ne. Dhe ajo që është edhe më shqetësuese është legjitimimi i saj. Këto praktika na diferencojnë duke na kategorizuar në klasa sociale. Në këtë mënyrë shteti ligjor nuk drejtohet më nga vlera humane, por nga privilegjet që secili gëzon me ose pa të drejtë, ç’rëndësi ka, të etikuara rëndomë në një “tabelë kundër-qarkullimi”… 



Google Analytics tracking code