Security Issues 12

Hyrje

Vitet e fundit në vendin tonë, gjithmonë e më shumë filozofia e policimit në komunitet ka nisur të trumbetohet si një model që do të mund të eleminojë hendekun e thellë që ka ekzistuar midis policisë dhe komunitetit. Në këtë dokument do të trajtohen në mënyrë të përmbledhur çështjet kryesore që kanë të bëjnë pikërisht me ndryshimin e modelit të policimit nga ai tradicional-konservator në teorinë dhe praktikën e policimit komunitar duke i kushtuar një vëmendje të veçantë pengesave dhe veçorive në aplikimin dhe implementimin e këtij modeli. Mënyra se si policimi është organizuar reflekton marrëdhënien midis popullsisë civile dhe shtetit duke patur parasysh se autoriteti dhe legjitimiteti për përdorimin e forcës që oficerët e policisë gëzojnë, sigurohet nga shteti. Në këtë perspektivë roli i shtetit mund të shihet si garantues dhe njëkohësisht një kërcënim serioz për lirinë nëse abuzon me autoritetin e tij. Në të gjitha shoqëritë janë dy interesa që kryesisht konkurojnë “më shumë liri” do të thotë “më pak rend” dhe anasjelltas. Është pikërisht detyra e vështirë e politikave të policisë që vendos njëfarë balance në këtë sistem dinamik.

Në rradhë të parë policimi në komunitet ka të bëjë me një filozofi, ideologji të përcaktuar ku synohet që policia të jetë në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të komunitetit, ndryshe nga e kaluara ku policia i shërbente dhe mbronte interesat e shtetit. Policimi në Komunitet synon të shndërrojë ”...policimin e komunitetit në policim për komunitetin.”[1] E megjithatë nga shumë studiues, pranohet në mënyra të ndryshme supozimi se policimi në komunitet është një model i përshtatshëm për t’u aplikuar vetëm në shoqëritë e zhvilluara dhe me një demokraci të qëndrueshme, ndërkohë që në vendet në tranzicion ku zhvillimi i shtetit ligjor nuk është i konsoliduar, këshillohet të ndiqet modeli tradicional ose i njohur si “anglo-sakson” i bazuar në praktikat autoritare.[2] Sipas studiuesve të ndryshëm teoria e “policimit në komunitet” sado që prezanton një risi në parandalimin dhe kapjen e shkeljeve ligjore vuan nga mangësi të theksuara si në aspektin praktik edhe në atë konceptual. Si e tillë edhe aplikimi i modelit të policimit në komunitet në Shqipëri ngre mjaft pikëpyetje mbi funksionimin e përshtatshëm të kësaj metode si dhe proçesin e edukimit jo vetëm të uniformave blu por edhe të qytetarëve të cilët duhet të njihen me detyrat dhe praktikat e reja të policisë jo më si strukturë e ngurtë në ndëshkimin e autorëve që shkelin ligjin por si një strukturë që bashkëpunon me qytetarët në ruajtjen e rendit. Kujtojmë se krimi mund të quhet produkt i kushteve sociale dhe si rrjedhoje ai mund të pengohet vetëm nëpërmjet kontrollit dhe manipulimit të kushteve sociale[3] çka e bën policimin në komunitet një prioritet.

Bashkëpunimi ndër-Institucional dhe korniza ligjore

Në Shqipëri filozofia e policimit në komunitet bazohet në 2 dokumenta të rëndësishëm: Ligji 9479, datë 4.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”[4] dhe në “Strategjinë e Policisë së Shtetit 2007-2013”[5]. Strategjia e Policisë së Shtetit, në mënyrë të veçantë prezanton policimin në komunitet si një risi dhe prioritet kryesor të aktivitetit të policisë në vitet e ardhëshme. Në këtë strategji aplikimi i policimit në komunitet shtron si domosdoshmëri ndërtimin e partneritetit me qytetarët, duke e konsideruar këtë të fundit si elementin më të rëndësishëm të këtij modeli ende në zhvillim. Duke ju referuar këtij dokumenti strategjik si rreziqe të mundshme të identifikuara që mund të sjellin dështimin e realizimit të prioriteteve të këtij dokumenti vlerësohen:

• Ndikimi politik në Policinë e Shtetit.

• Mungesa e vullnetit të duhur brenda policisë dhe kryesisht në nivelin drejtues për të orientuar veprimtarinë drejt realizimit të këtyre prioriteteve.

• Mungesa e dëshirës për të pranuar dhe përshtatur ndryshimet dhe risitë që sjell ky dokument.

• Paqëndrueshmëria e personelit në të gjitha nivelet.

• Mbështetje jo e plotë financiare për realizmin e këtyre prioriteteve.

E megjithatë përshkrimi i situatës në dokument mbetet ende shumë larg realitetit të policimit në komunitet. Ndonëse në Strategjinë e Policisë parashikohet hartimi i treguesve matës së performancës strukturore dhe individuale, si dhe vlerësimi i vazhdueshëm i veprimtarisë së organizatës në këtë drejtim mbetet ende shumë për t’u bërë.

Edhe në nenin 122 të ligjit “Mbi Policinë e Shtetit” parashikohet që në zbatim të strategjisë së policimit në komunitet, çdo drejtor i Drejtorive të Policisë në qarqe harton një strategji vjetore të policimit në qark për sigurinë në komunitet, pas këshillimeve me prefektin, kyetarin e bashkisë, përfaqësues nga drejtoritë e institucioneve të qarkut, përfaqësues nga grupet e interesit etj. Ndonëse strategjia e policimit në komunitet ka hyrë në vitin e tretë të aplikimit, ende nuk ka një raport që të analizojë implementimin e modelit të policimit në komunitet nga drejtues të policisë. Kjo e bën edhe më të vështirë vlerësimin e situatës dhe rrjedhimisht reflektimin, përsa i përket aplikimit të një modeli të ri perëndimor të policimit siç është ai i policimit në komunitet. Pavarësisht vizionit dhe detyrave  të prezantuara në Strategjinë 7-vjeçare të Policisë por edhe në parashikimet ligjore të përcaktuara në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” ajo çka konstatohet është mungesa e rezultateve që shprehet në një mungesë të theksuar mbledhjeje informacioni, analizë profesionale e ekspertizë dhe pamundësi për të dalë në rekomandime e iniciativa konkrete për përhapjen e ideologjisë së policimit në komunitet jo si një alternativë por si një domosdoshmëri.

Nëse strategjia 7-vjeçare e Policisë së Shtetit është parë thjesht në këndvështrimin institucional të Policisë së Shtetit, atëhere del nevoja e ligjshme për krijimin e strukturave koordinuese në nivel vendor apo kombëtar për politika dhe plane veprimi që do t’i hapin rrugë bashkëpunimeve ndërinstitucionale për parandalimin e kriminalitetit.[6] Kompleksiteti i problematikës komunitare dhe ndërvarësia e zgjidhjes së tyre sjell natyrshëm ekzistencën e shumë pikave të përbashkëta mes aktivitetit të Policisë së Shtetit dhe e Pushtetit Vendor. Përmbushja e këtij misioni mund të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi reciprok të të gjithë aktorëve të tjerë në fushat e interesit të përbashkët. Strategjia Kombëtare e Policisë, parashikon se policia nuk është institucioni i vetëm përgjegjës për parandalimin e krimit dhe ruajtjen e rendit. Por megjithatë e reja që ofron ky dokument mbetet në filozofinë dhe metodologjinë e policimit në komunitet pa trajtuar mundësitë reale dhe një plan të detajuar për ta vënë në jetë këtë filozofi. Si pasojë mund të pranojmë se ky dokument nuk çon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në bashkëpunimin ndër-institucional për hartimin e politikave si në nivel qëndror ashtu edhe në atë vendor për parandalimin e krimit.[7]


E ndërsa strategjia 7 vjeçare e policisë, ndonëse në mënyrë sipërfaqësore, prek mundësinë e bashkëpunimit ndër-institucional në dobi të implementimit të policimit në komunitet, Ligji për Policinë e Shtetit, në nenin 122 “Për policimin në Komunitet”  që trajton marrëdhëniet e oficerëve vendorë të policisë në nivel qarku, nuk parashtron nevojën e partneriteteve jashtë institucionale. Për më tepër ky nen nuk përcakton detyrimet ligjore të tilla që do të përafronin apo hapnin rrugë praktikave të orientimit drejt ngritjes së partneriteteve dhe zgjidhjes së problemit në komunitet.[8]

Policimi në komunitet: nga Teoria në Praktikë -

Shoqëritë demokratike janë themeluar duke u bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. Si i tillë policimi në komunitet është një mënyrë të menduari, dhe një strategji organizative që i lejon policisë dhe njëkohësisht komunitetit të punojnë së bashku duke përdorur mënyra të reja për zgjidhjen e problemeve të krimit, rendit publik dhe çështjeve të sigurisë në përmirësim të jetës në komunitet.[9] Në Shqipëri ndonëse mund të veçojmë një dëshirë konstante, të paktën në letër, për të themeluar një praktikë të besueshme të policimit në komunitet, duhet theksuar se trashëgimia ose ndryshe praktikat e shkuara autoritare që policia ka përdorur në të kaluarën, e bëjnë këtë sipërmarrje shumë të vështirë ndonëse jo të pamundur. Kjo edhe për shkak se në perceptimin e qytetarëve[10] ekziston një tendencë e përhapur mungese besimi tek policia që kryesisht shikohet si një strukturë e ngurtë që i impononohet komunitetit me rregullat e saj rigoroze për respektimin e ligjit nëpërmjet  procedurave autoritare e detyruese. Përqasja mbizotëruese shumëvjecare që ka ekzistuar në vendin tonë, e që mbron idenë e zbatimit rigoroz të ligjit nëpërmjet teknikave autoritare ka ushqyer një ndarje aspak të shëndetshme midis policisë the komunitetit. [11]

Studiues të ndryshëm vënë në dukje se policimi në komunitet nuk mund të jetë kaq i thjeshtë e i shpejtë duke patur parasysh shndërrimin e plotë të praktikave të punës nga një model tradicional i bazuar në teknikat autoritare ndaj komunitetit, në një model liberal ku komuniteti është pjesë e policimit dhe jo i nënshtruar nga rregullat e strukturave të policisë. Si i tillë jo rrallherë policimi në komunitet përbëhet nga oficerë të policisë të cilët pavarësisht dëshirës për të qenë progresiv dhe synimeve të mira për të rritur bashkëpunimin me komunitetin, realisht nuk kanë kapacitetin dhe aftësinë e nevojshme për të braktisur modelin tradicional të policimit, që ata kanë perfeksionuar aq mirë gjatë punës së tyre shumëvjeçare.[12] Sipas Ish-Ministrit të Rendit Publik Igli Toska, gjatë konferencës së tretë “Besimi Publik – Sfidë për Policinë”, që IDN zhvilloi në Prill 2004, rezulton se deri në vitin 2004 vetëm 5% e stafit të policisë ishin të angazhuar në policim aktiv në terren. Në anën tjetër vet qytetarët janë skeptikë dhe të pamotivuar për t’u kthyer në partnerë të policisë duke marrë në konsideratë faktin se në të kaluarën një urë mirëkuptimi polici – qytetar ka munguar dhe qytetarët vetëm përgjigjeshin para institucioneve përkatëse dhe aspak e anasjellta.

Në aspektin ligjor, një ndër sfidat e para që kjo platformë mund të përballet është edhe çështja e interpretimit të ndryshëm të ligjit dhe situatave gjatë aktivitetit të policimit në komununitet. Aplikimi i modelit të policimit në komunitet, sidomos në hapat e parë të vënies në jetë,  mund të sjellë paqartësi në mënyrën e respektimit dhe imponimit të ligjit. E thënë ndryshe mbetet ende një detyrë e vështirë aftësia e oficerëve të policisë për interpretimin e gjerë dhe të papërcaktuar të normave, rregullave dhe principeve të oficerit të policisë në terren, në komunikim të drejtëpërdrejtë me banorët dhe grupet e interesit. Si rrjedhojë policimi në komunitet është më i sofistikuar, llogjik dhe fleksibël dhe si i tillë nuk ka një axhendë dhe praktikë të përcaktuar qartë. Interpretimi i praktikave të saj në pjesën më të madhe i është lënë në dorë oficerëve të policisë, pjesa dërrmuese e të cilëve, ashtu sic edhe përmendëm, nuk kanë një përgatitje të përshtatshme e janë me një eksperiencë të gjatë shumëvjeçare në modelin e policimit autoritar. Si rrjedhojë policimi në komunitet e bën më pak të qartë autoritetin dhe koopetencat e policisë për të ndërhyrë në jetën sociale të komunitetit. Kjo krijon një konflikt që mund të kthehet në një pengesë serioze duke marrë në konsiderëtë se pikërisht çështja e sjelljes së papërshtatshme të policisë është më kritike në shoqëritë të cilat kalojnë periudhën e tranzicionit drejt një demokracie të konsoliduar.[13]

Në një tjetër këndvështrim vlen për t’u theksuar se policimi në komunitet është një filozofi relativisht e re dhe që ka nisur fillimisht të vihet në jetë në Angli e Amerikë në vitet 70’ dhe më pas në mjaft vende të Europës duke aplikuar procedura të ndryshme por të njëjtën filozofi. Si i tillë, ky model vjen në Shqipëri duke marrë në konsideratë eksperiencat e huaja dhe modele të gatshme, relativisht të suksesshme, të aplikuara në të tjera vende perëndimore. Por në aspektin teorik e praktik mund të vihen re disa çështje të diskutueshme. Probleme të mëdha mund të shkaktohen kur modelet perëndimore të policimit në komunitet, artificialisht i imponohen vendeve me realitete të ndryshme sociale, ekonomike e politike[14]. Si pasojë mund të ndodh skenari ku përgatitja dhe trajnimi i strukturave të policisë për një model krejtësisht të ri përsa i përket procedurave dhe praktikave të policimit në komunitet mund të krijojë vështirësi në implementimin e saj. Trajnimet janë esenciale por duhet të fokusohen në nevojat e vërteta të policisë dhe shoqërisë duke qenë të vetëdijshëm për praktikat e brendshme dhe format legjitimuese ekzistuese. Edhe proçesi i edukimit të drejtuesve dhe oficerëve të policisë paraqitet aspak i lehtë nëse kuptojmë se oficerëve të policisë u nevojitet një botëkuptim dhe një mendësi e re. Duke ju referuar disa studimeve kuptojmë se organizatat e policisë e kanë më të thjeshtë përforcimin e traditave dhe strukturave burokratike ndërkohë që  kanë më pak tendencë dhe dëshirë për të përqafuar ndryshimet që sfidojnë strukturën ekzistuese.[15] Si pasojë policimi në komunitet, duke vënë theksin në nevojën për decentralizim, padyshim që sfidon në mënyrë të hapur sistemin burokratik të organizimit aktual të policisë. Kjo është ngushtësisht e lidhur me të ashtëquajturën ‘sub-kulturë’ tradicionale të policëve në detyrë të cilët kanë një tendencë për ta vlerësuar policimin autoritar dhe luftën kundër krimit me metoda të ashpra. Në këto kushte oficerët e policisë të cilët besojnë se autoriteti i tyre duhet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar respektin dhe prodhuar qytetarë të bindur, mund të kenë vështirësi të mëdha për të hequr dorë nga pushteti që gëzojnë e për ta ndarë atë me qytetarët. Kjo në veçanti bëhet edhe më e vështirë në zonat e njohura për mungesën e rendit publik dhe aktivitet të lartë kriminal. Në këto kushte, lehtësisht strukturat shtetërore të policisë mund të gjykohen se përdorin praktika diskriminuese ndaj anëtarëve të komuniteteve të veçanta ose të pretendohet aplikimi i standardeve të dyfishta që rrjedhin nga vënia në funksion e filozofisë së policimit në komunitet për lokalitete të ndryshme. Si pasojë policimi nuk kufizohet apo zgjerohet vetvetiu, por ka tendencën për të qenë më i përmbajtur me disa anëtarë të popullsisë civile dhe më autoritar me të tjerë individë apo grupe të shoqërisë. Kjo tërheq vëmendjen se si statusi qytetar zhvillohet në mënyrë të pabarabartë përsa i përket popullsisë civile.[16]


Rekomandime:

Siç u analizua më sipër filozofia e policimit në komunitet mbetet ende një sfidë e largët por jo e pamundur për vendin tonë. Në kuadër të bashkëpunimit ndër-institucional, kërkohet përpjekje realiste për një partneritet më të ngushtë të institucioneve shtetërore me strukturat e policisë për të koordinuar punën në zhvillimin dhe konsolidimin e praktikave të policimit në komunitet. Për të vlerësuar një përqasje reale të policimit në komunitet, bazuar në eksperiencat e deritanishme nevojitet një rishikim i detajuar i strategjisë së policisë në nivele të zbatueshme dhe reale për kushtet e vendit tonë.

Një vëmendje të veçantë duhet ti kushtohet rritjes së kapaciteteve të oficerëve të policisë duke marrë parasysh nevojat dhe kontekstin shqiptar të zhvillimit të këtij modeli. Në këtë kuadër mund të organizohen edhe takime që mund të ndërtojnë platformën bazë të policimit në komunitet bazuar në kërkesat dhe nevojat e vërteta të komunitetit ku synohet krijimi e një strukturë që do të lehtësonte ndjeshëm implementimin e strategjisë së policimit në komunitet që janë Grupet Konsultative-Polici Komunitet. Këto mund të konceptohen si një strukturë jozyrtare dhe tërësisht vullnetare dhe që kanë për qëllim rritjen e shkallës së bashkëpunimit mes policisë dhe komunitetit. Ky proçes mund të shoqërohet edhe me masa më drastike por mjaft efektive siç është rifreskimi i rradhëve të policisë me elementë të rinj në këtë strukturë të cilët janë të aftë të përvetësojnë dhe praktikojnw teknikat e reja të policimit në komunitet.

Por duke qenë të vetëdijshëm se Shqipëria konsiderohet një vend ende në tranzicion me një demokraci të brishtë mund të rekomandohet që proçesi i shndërrimit të policisë nga një model policimi tradicional (me një trashëgimi të gjatë në sistemet autoritare), në një model të policimit në komunitet, të jetë i kujdesshëm e gradual, kjo me qëllim shmangien e konfliktit mes dy praktikave në fjalë që mund të krijnë konfuzion në rradhë e policisë por edhe tek publiku.

[1] Waddington, P. A. J. Policing Citizens : Authority and Rights. London, UK: Routledge, 1998. p 30. http://site.ebrary.com/lib/universitetsbiblioteket/Doc?id=10054941&ppg=39

[2] Dixon in "Horses for Courses" and "Thin Blue Lines": Community Policing in Transitional Society Mike Brogden, Police Quarterly 2005; 8; 64

[3] Trojanowicz et al, “Community Policing”, Anderson publishing 2002

[4]Ligji 9479, datë 4.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”

[5] Strategjia e Policisë së Shtetit 2007-2013”

[6] QSS & IDN, “Drejt një Qasje të re në parandalimin e krimit”, Çështje të sigurisë, Nr. 7, Pranverë 2008. IDN

[7] QSS & IDN, “Drejt një Qasje të re në parandalimin e krimit”, Çështje të sigurisë, Nr. 7, Pranverë 2008. IDN

[8] Alikaj. Erion, Për një bashkëpunim real Polici e shtetit – Pushtet Vendor, Polict Brief No.2, Instituti për Ndërmjetësim dhe Demokraci, Maj 2008, Tiranë

[9] “Strategjia Kombëtare e Policisë 2007-2013”

[10] Besimi Publik Sfidë për Policinë, Konferenca IV Kombëtare, botim i IDN-së, 2005, Pyetesor i IDN-së, studentëve të Akademisë së Policisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale UT me punonjës policie, punonjës të pushtetit vendor dhe qytetarë të territorit të Komisariateve 1,2,3,6 në Tiranë e atyre Durrës, Shkodër, Lushnje, Krujë, Kavajë

[11] Mark Morrison Moore, Problem Solving and community policing. Heinonline – Journal of Crime and Justice 99. 1992 – The University of Chicago

[12] Hunter & Barker inCommunity Policing: The Middle Manager’s Perspective,Gennaro F. Vito, Ëilliam F. Ëalsh and Julie Kunselman

[13] Pino, Nathan(Editor). Democratic Policing in Transitional and Developing Countries. Abingdon, Oxon, GBR: Ashgate Publishing, Limited, 2006. p 73. http://site.ebrary.com/lib/universitetsbiblioteket/Doc?id=10211418&ppg=86

[14] Mike Brogden, Horses for Courses" and "Thin Blue Lines": Community Policing in Transitional Society, Police Quarterly 2005; 8; 64

[15] Ëeisburd et al në Allison & Chappell, The Philosophical Versus Actual Adoption of Community Policing: A Case Study

[16] Ëaddington, P. A. J. Policing Citizens : Authority and Rights. London, UK: Routledge, 1998. p 29. http://site.ebrary.com/lib/universitetsbiblioteket/Doc?id=10054941&ppg=38




Leave a Reply.


Google Analytics tracking code