Gazeta Shekulli

Kamerat e survejimit: Hapi i rradhës drejt një shoqërie të kontrolluar

“…Padyshim që nuk kishte asnjë mënyrë për të kuptuar nëse ishe duke u survejuar në çdo moment; sa shpesh, apo në çfarë sistemi “Policia e Mendimit” mund të aktivizonte fishën tënd të përgjimit. Ishte tashmë e kuptueshme se ata shikonin këdo në çdo kohë. Ti duhej të jetoje – dhe jetove nga zakoni që u kthye në instikt – me supozimin se çdo zhurmë që bëje dëgjohej, dhe përveç se në errësirën e plotë,  çdo moment ekzaminohej”           

                                                                                                                                                                            Orwell – “1984”

            Qindra kamera survejimi nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme pritet të pushtojnë së shpejti hapësirat publike në Tiranë e më vonë në të gjithë Shqipërinë. Ishte kjo gjetja unikale e Ministrit Basha për të luftuar krimin në rritje dhe mungesën e sigurisë në vend. Duke propaganduar anët pozitive të mbulimit të Tiranës me një sistem të gjerë video-survejimi, ministri kërkoi të na bënte të ndiheshim të sigurt, por harroi pasiguritë dhe anët e errëta të këtij projekti me ndikim të madh në të drejtat dhe liritë civile të individit.

Gjatë dekadës së fundit, teknologjia ka përparuar në mënyrë dramatike, duke rritur mundësinë e strukturave shtetërore për të survejuar dhe përgjuar qytetarët e saj në kohë reale. Kjo në mënyrë të pashmgangshme bën realitet skenare të asaj që njihet si ´shoqëria Orwelliane´ ku qytetarët janë të survejuar në mënyrë konstante nga një “Big Brother”. Në këto kushte forcimi i pushtetit autoritar shoqërohet me nevojën për kontroll të marrëdhënieve, veprimeve pse jo dhe mendimeve të njerëzve. Dhe ashtu si rënia e besimit në strukturat shtetërore, edhe vet shteti ka humbur besimin tek qytetarët e tij, duke kërkuar t´i ketë ata nën vëzhgim të plotë, 24 orë në 24.

            Shumë prej nesh do të pranonin të hiqnin dorë nga disa të drejta dhe liri personale, me kushtin për t´u ndier më të sigurt në jetën e përditshme. Megjithatë duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë e këtij aksioni masiv në survejimin e pandërprerë të popullsisë, nevojitet të paktën një konsensus minimal në shoqëri. Ndërkohë baza e të gjithë debatit duhet të bazohet në ligj pasi pretendohet se jemi një vend që i ka rrënjët në shtetin ligjor.

Mungesa e kornizës ligjore, hapësirë për abuzim

Ashtu siç rishtaz ndodh, projektet madhore në Shqipëri janë monopol i një grushti njerëzish me pushtet të padiskutuar që natën firmosin vendime dhe ditën nisin implementimin pa shkuar në detaje. Në këtë aspekt, nëse analizojmë kornizën aktuale ligjore për të rregulluar një sistem të gjerë videosurvejimi e për të garantuar të drejtat themelore të njeriut, kuptojmë se është tërësisht i mangët ose gati inekzistent. Një Udhëzim i vitit 2010 (Nr.3, datë 5.3.2010), pa forcën e duhur ligjore, përpiqet të rregullojë në mënyrë vullnetare, pa shkuar në thellësi, përdorimin e kamerave të survejimit në ambjente të ndryshme publike dhe informacionin që vilet nga to. Por ky udhëzim nuk është programuar për një përhapje kaq të gjerë të fenomenit të survejimit por për përdorim të kufizuar.

Korniza ligjore aktuale duket se lejon përdorimin a video-survejimit nga policia, pa ndonjë ndalesë specifike nga gjykatat, siç bëhet në rastin e përgjimeve për shkaqe hetimi. Ndërkohë edhe “Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dështon të mbrojë në mënyrë specifike të drejtat e qytetarëve ndaj aplikimit të kamerave vëzhguese në çdo ambjent publik, apo të limitojë qartë kushtet e përdorimit të tyre në dobi të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ende nuk dihet nëse projekti për të survejuar Tiranën, ka marrë bekimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale apo Avokatit të Popullit, që sipas ligjit duhet të konsultohen para veprimeve të tilla me efekte të jashtëzakonshme në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Në këtë kuadër, aktualisht nuk ka rregulla të detyrueshme legale për të limituar sulmet ndaj privatësisë dhe përdorimit abuzues të sistemeve të video-survejimit. Këto rregulla nevojiten për të ndërtuar konsensus publik mbi çështje të rëndësishme si; nëse video-survejimi do të regjistrohet, në çfarë kushtesh, sa gjatë do të ruhet, kush mund t´i përdorë, cilat janë procedurat që organizata ndër-qeveritare duhet të zbatojnë në shkëmbimin dhe arkivimin e regjistrimeve, si zbatimi i këtyre rregullave do të kontrollohet dhe cilat janë dënimet për abuzuesit.

            Fatkeqësisht në mbrojte nuk të vjen as Kushtetuta e Republikës, e cila nuk përmban asnjë nen në lidhje me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.  Por pavarësisht vështirësisë për të gjetur në ligj një përcaktim të përshtatshëm në mbrojtje të privatësisë, këtë e gjejmë në dokumentat  bazë ndërkombëtare. Kaq do të mjaftojë për ta shpallur antikushtetues këtë aksion. Nenin 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe Neni 12 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut përcaktojnë qartë se “...askush nuk duhet të bëhet objekt i interferencave arbitrare në jetën e tij private, familje apo shtëpi, as sulme ndaj reputacionit apo nderit të tij. Gjithkush ka të drejtën e mbrojtjes me ligj ndaj këtyre sulmeve”. Por ku është ligji në mbrojtje të qytetarit? Aktualisht mungon një platformë kontrolli ligjor dhe gjyqësor ndaj këtij survejimi ashtu siç bëhet në rastin e përgjimit të telefonave apo informacionit elektronik.

Sisteme të tilla masive survejimi duhet të projektohen jo vetëm për të mbrojtur shqiptarët nga krimi dhe terrorizmi, por edhe për ruajtur dhe respektuar të drejtat themelore të njeriut si privatësia, ruajtja e informacionit personal, liria e shprehjes apo liria e grumbullimit dhe e protestës.

Abuzimi i mundshëm dhe keqpërdorimi i sistemit

Një ndër problemet kryesore për të krijuar sisteme kaq të gjera survejimi është se eksperienca na tregon se ato mund të abuzohen, për vetë faktin se këto ato janë tepër të fuqishme e mbartin në vetvete mjaft informacion delikat. Në këtë aspekt ekzistojnë disa mënyra abuzimi apo keqpërdorimi. Kërcënimi kryesor është arkivimi dhe përdorimi i të dhënave të rregjistruara, në dëm të personave apo grupeve të veçanta, nga individë apo institucione për qëllime përfitimi, denigrimi apo pse jo shantazhi. Kamerat e survejimit shtetëror në hapësira publike mund të synojnë jo vetëm aktet kriminale, por në një sistem abuziv mund të përdoren edhe ndaj oponentëve të pushtetit apo kritikëve që lehtësisht mund të bien viktimë e kamerës së fshehtë ku thonjëzat mungojnë. Për sa kohë do të mungojë një kontroll public, i pavarur e transparent i këtij sistemi, qytetarët do të jenë të kërcënuar.

E keqja wshtw se sapo krijohen, sisteme të tilla survejimi me siguri ato zgjerohen edhe më tej në të ardhmen, në një kohë që cilësia e përgjimit do të rritet, me zë apo me rezolucion të lartë që me lehtësi do të identifikojë gjithçka mbi një person, me kilometra larg. Më tragjikja qëndron në faktin se shqiptrarët nuk do të survejohen, por më keq akoma; do të përgjohen. Në respektim të të drejtave të tyre, njerëzit duhet të informohen se janë duke u kontrolluar nga kamera survejimi me shenja dalluese nëse kamerat nuk janë të ekspozuara. Kjo do të lejonte zgjedhje të bazuara në informim si dhe përgjegjshmërinë e qytetarëve që janë subjekt survejimi. Por në rastin e Shqipërisë, kamerat do të vihen kudo dhe në vende të fshehta, në përgjim të kriminelëve të mundshëm dhe jo vetëm.

 

Video-survejimi, një mënyrë e papërshtatshme?

Por a janë kamerat masive të survejimit të popullsisë, një mjet efektiv për të parandaluar krimin dhe aktet ilegale. Teorikisht po, pasi keqbërësit do të jenë nën vëzhgim të plotë dhe do të hezitojnë të kryejnë një krim që regjistrohet në kamera. Por statistikat nuk provojnë të njëjtën gjë. Një pjesë e mirë e studimeve janë realizuar në Britaninë e Madhe, e cila më shumë se çdo vend tjetër ka përqafuar përdorimin në masë të gjerë të kamerave të survejimit. Rrjeti britanik i survejimit publik është më i madhi në botë dhe përbëhet nga rreth 4.2 milionë kamera ose një për çdo 14 persona. Studimet e shumta në fushë kanë treguar se video-survejimi nuk ka patur ndonjë ndikim të madh nga ana statistikore në uljen e krimit. Disa studime individuale tregojnë sukses të rezultateve në uljen e kriminalitetit në disa tipe krimi si vjedhja e automjeteve. Por, pjesa dërrmuese e këtyre studimeve tregojnë se përdorimi i kamerave nuk ka patur ndikim esencial në uljen e numrit të përgjithshëm të kriminalitetit. Madje në këtë kuadër pretendohet se kamerat e survejimit aktualisht nuk e reduktojnë krimin, por e zhvendosin atë diku tjetër.

Ndërkohë vlen të përmendet se këto sisteme operohen nga njerëz të cilët sjellin me vete edhe paragjykime dhe anshmëri tw pashmangshme, duke targetuar grupe të veçanta dhe lënë hapësira për diskriminim. Në Britaninë e Madhe psh. bazuar në një studim, njerëzit me ngjyrë kishin rreth dy herë më shumë gjasa që të survejoheshin. Ky fakt duhet të shqetësojë grupet e të drejtave të njeriut në vend.

Një tjetër argument është se prezenca në rritje e kamerave të survejimit ka edhe efekte negative psikologjike tek njerëzit. Kur individë apo grupe të caktuara janë të ndërgjegjshëm se po survejohen apo përgjohen me paralajmërim apo fshehurazi, tregojnë ankth, sjellje të kushtëzuara dhe të kufizuara nga frika se mund të tërheqin vëmendjen e kamerave disiplinuese. Kjo shkakton frenim të vullnetit dhe sjelljes së lirë në publik. Kujtojmë se e drejta e privatësisw minimale, nuk duhet të kufizohet vetëm në shtëpi apo ambjente të izoluara, por edhe në ambjente të hapura.

Epilogu …

Pasi na damkosën me çipin në pasaportë e kartë identiteti, ku ruhen të dhënat personale, duke arritur kontroll virtual mbi ne, tashmë Ai/Ata mund të na gjurmojnë edhe vizualisht. Kjo sipërmarrje mund të pranohej nëse do të ndodhte në një vend të zhvilluar europian, të përgjegjshëm e me standarte të larta të transparencës dhe kontrollit demokratik në përdorimin e sistemeve të zhvilluara të survejimit, ku implementimi është paraprirë nga një proçes i detajuar e gjithëpërfshirës në përgatitjen e kornizës ligjore, trajtimin e rreziqeve të mundshme, konsultimin me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Por në rastin tonë realizimi i këtij projekti po bëhet në Shqipëri, një vend i njohur për një sistem politik të korruptuar e pushtet abuziv. Po bëhet me një proçes të mbyllur, të fshehtë pas dyerve të kyçura të ministrive, kur befas mësojmë gjatë një fjalimi politik lajmin sensacional, mbi shpikjen e re që do të “…çojë Shqipërinë drejt Europës”. E gjithë kjo lë vend për mjaft diskutim.

Mendohet se së shpejti burokratët do të kontrollojnë çdo lëvizje tonën, me pretendimin se gjithçka bëhet në dobi të sigurisë kombëtare, në një kohë që kërcënimi kryesor i sigurisë kombëtare mbetet korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor, abuzimi i pushtetit, lufta politike e varfëria. Një pyetje që të shkon ndërmend është: Përse nuk propozohet vendosja e kamerave të survejimit në çdo zyrë të administratës publike për të ndaluar korrupsionin?


(Link ne shkrim te ngashme

 
 
Gazeta Shqip

Lufta politike në Shqipëri me të gjitha elementet e saj është zhvendosur nga sheshet e Parlamenti, në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave, të cilat më shumë se kurrë gjatë 20 viteve tranzicion janë bërë palë me politikën, duke funksionuar si marioneta që ulërasin në duart e elitave politike. Arsyet dhe faktorët e kësaj situate nuk janë të rëndësishme, më tepër se ndikimi që mediat kanë tek audienca. Të gjithë jemi konsumatorë të lajmeve, kronikave e spoteve televizive, të pasura me doza të larta agresiviteti politik, me luftë, vrasje, pa kursyer gjakun e dhunën që të pështjellon e të prek. Shumëfishimi marramendës i dhunës që ndodh në rrugë, në sheshe, në Parlament, nëpërmjet televizioneve dhe gazetave, nuk mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta në perceptimet dhe ndjenjat tona në jetën e përditshme.

Teksa jemi të ndërgjegjshëm për luftën politike që shohim në media, pak arrijmë të kuptojmë, madje shpesh hezitojmë të perceptojmë dhunën që ajo reflekton te ne, agresivitetin që marrim e japim në jetën tonë, nervozizmin në rritje, pasigurinë për të ardhmen, kërcënimin, mosbesimin te njerëzit e afërt e të largët etj. Ndonëse tërheqja e publikut nga media për qëllime politike konsiderohet esenciale për të arritur mobilizimin e grupeve të ndryshme dhe masave në tërësi, pak flitet për influencën që media ka në sjelljet tona individuale e kolektive, jashtë politikës.

Bombardimi për një kohë të gjatë me informacion të njëanshëm e propagandë nga mediat e varura, bën që të dorëzohemi në përpjekjet tona për të kuptuar se çfarë ndodh në të vërtetë, duke iu nënshtruar manipulimit, duke urryer njërën palë e duke admiruar “shpëtimtarët”´ në anën tjetër. Pikërisht polarizimi politik në ngjyra bardhë e zi ka shkaktuar edhe polarizimin e jetës sonë në të gjitha hallkat e saj. Duket se media tragjikisht ka arritur qëllimin që liderët politikë i kanë diktuar; indinjata dhe nervozizmi që imazhet televizive me ngarkesë emocionale dhe gjuha e urrejtjes sjellin te publiku, supozohet që të zgjojnë dhe motivojnë njerëzit për të vënë në vend një padrejtësi dhe rivendosjen e një balance mes së mirës dhe së keqes, e thënë ndryshe mobilizim. Politika po luan rrezikshëm me median, duke synuar jo vetëm të kontrollojë mendjen e njerëzve tashmë të marxhinalizuar, por të sigurojë ushtarë të bindur për aktet e të nesërmes. Të dyja palët luftojnë hapur si dy grupe ekstremiste duke demonizuar kundërshtarët dhe duke glorifikuar figurën e tyre. Çdo gjë nëpërmjet televizioneve dhe gazetave të cilat synojnë të provokojnë reagim ose aksion kolektiv në mbrojtje të një kauze që nuk duhet të përfaqësohet nga liderë të korruptuar e të dalë boje ndër vite.

Njerëzit përpunojnë informacionin që marrin nëpërmjet burimeve selektive, duke formuar në mendjen e tyre një model për mjedisin që i rrethon, brenda një kornize të interpretimit të ngjarjeve të servirura nga media të veçanta që ata prej kohësh ndjekin. Por duket se tashmë media nuk ka më misionin të informojë e mbulojë ngjarjet në mënyrë të paanshme për audiencën, por të manipulojë publikun duke përdorur efekte psiko-sociale. Me kalimin e kohës kjo kornizë bëhet e ngurtë dhe e vështirë për t’u braktisur. Në mënyrë instiktive e të pavullnetshme njerëzit paragjykojnë informacionin që cenon bindjet e tyre ose nuk u përshtatet kërkesave e zakoneve të brumosura në kohë. Si rrjedhojë publiku u qëndron besnik burimeve të përzgjedhura, të cilat bëhen edhe më agresive për t’ju përshtatur më së miri një kornize të caktuar ideologjike. Ndërkohë të njëjtët njerëz u bëjnë rezistencë burimeve të tjera alternative, duke mos pasur guxim të dyshojnë apo kritikojnë liderët politikë që janë kthyer tashmë në liderë “shpirtëror” nga gazetarët e politizuar. Si rrjedhojë në mënyrë të vazhdueshme thellohet shtrembërimi i realitetit dhe media gjithmonë e më shumë fiton terren ndaj mendjeve e syve të verbër të audienës. Vlen të theksohet se dritarja e vetme e njerëzve të thjeshtë drejt realitetit janë televizioni e gazetat, sot të mbushura me dhunë, gjak, sharje, agresivitet. Në këtë kuadër ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes konflikteve në mbulimin e lajmeve në njërën anë, dhe perceptimeve negative për botën që na rrethon në anën tjetër. Ata që përjetojnë dhunën në media, kanë më tepër gjasa ta shohin botën përreth, si një vend të ndyrë, me plot padrejtësi, çka i bën të ndihen të kërcënuar duke reflektuar sjellje mbrojtëse në aktivitetin e tyre rutinë.

Përhapja e pasigurisë dhe frikës nëpërmjet medias bën që masat popullore të bëhen lehtësisht të manipulueshme për qëllime politike, teksa gjithmonë e më shumë mesazhi mediatik trumbeton “luftën për ekzistencë”, duke e rindërtuar diskursin mediatik në kampe frontale: njerëz të drejtë kundër të padrejtëve, kriminelë kundër mbrojtësve, engjëj kundër djajve. Kjo thellon diferencat, jo më në politikë që tashmë i ka konsoliduar pozicionet e saj, por mes vetë njerëzve të thjeshtë. Media po krijon precedentë të rrezikshëm, se nëse dikush nuk përkrah ideologjinë e një force të caktuar politike, automatikisht mund të stigmatizohet si armik, edhe pse pikëpamjet e tij s’kanë lidhje me forcën kundërshtare.

Aktualisht ndodhemi në një situatë ku televizionet e gazetat përveç gjuhës së urrejtjes, janë të mbushura me imazhe të dhunshme, deri tragjike të aktiviteteve politike. Këto të sponsorizuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qarqet politike në formën e reklamave, ose në mënyrë të tërthortë nëpërmjet mbulimit të anshëm të ngjarjeve. Ndërkohë gjithmonë e më shumë, zërat alternativë që s’përkasin as majtas e as djathtas, gjejnë pak hapësira në media, e cila është në kërkim të megafonave ekstremistë. Ata përbëjnë vërtet lajm për të prodhuar sensacion e për të zgjatur krizën që prodhon lajme të forta. Në këtë perspektivë shtrohet pyetja, nëse janë të aftë shqiptarët për të zotëruar sensin e tyre kritik ndaj asaj që shikojnë, duke kuptuar se imazhet që u serviren janë të selektuara dhe shpesh një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit? Fatkeqësisht media ka minimizuar çdo përpjekje për të pasur një përqasje të balancuar ndaj realitetit, duke qenë një refleksion i situatës politike në vend.

Në vazhdimësi, doza në rritje e ekstremizmit dhe polarizimit në media, ka efekt të drejtpërdrejtë në psikologjinë e njerëzve të pasigurt për të ardhmen, të frikësuar nga ajo që shohin e dëgjojnë lart e poshtë. Kjo ka pasoja, edhe pse jo të dukshme, në jetën tonë të përditshme duke shfaqur sjellje atipike, nervozizëm, panik, pse jo dhe dhunë. Nëse në mënyrë konstante ekspozohemi ndaj këtyre trukeve djallëzore mediatike, mund të krijohen efekte mjaft të dëmshme dhe të pakorrigjueshme te publiku. Shqiptarët e shqetësuar e të acaruar në mënyrë kronike nga mesazhi mediatik, mund mos të zotërojnë më aftësinë dhe mekanizmin për t’i eliminuar efektet negative të medias gjatë jetës së përditshme. Përkundrazi, mund të thellojnë edhe më tej urrejtjen dhe revoltën ndaj demonëve duke e përcjellë frustrimin brenda rrethit të tyre social.

Tragjikisht këto efekte negative mediatike, edhe pse nuk i drejtohen në mënyrë specifike, veprojnë në veçanti te fëmijët. Ata janë më vulnerabël dhe aksidentalisht bëhen viktima të sulmeve psikologjike që televizioni ndërmerr nëpërmjet selektimit të imazheve të dhunshme dhe gjuhës me nota dramatike, tragjike, apo hakmarrëse. Fatkeqësisht kjo nuk mund të shmanget, pasi në televizionet tona imazhet e dhunës politike janë të pranishme në çdo orë të ditës, si në formën e lajmeve, edhe në formën e spoteve/reklamave. Bazuar në studime të ndryshme fëmijët që konsumojnë dhunë mediatike në nivele të larta, kanë më shumë tendencë të shfaqin sjellje agresive kur të rriten, duke bërë që politika e media jonë e polarizuar të jenë shkaktarët për rritjen e një brezi të traumatizuar.

 
 
kosovotwopointzero


Isha vetëm 11-12 vjec kur për herë të parë do të shkoja jashtë shtetit, në Greqinë fqinje. Duhet sqaruar se shprehja “të shkosh jashtë shtetit” kishte (dhe ende ka) një simbolikë të veçantë në kontekstin shqiptar (të trashëguar nga komunizmi), ku shteti ku ne jetonim përfaqësonte njëkohësisht edhe planetin e shqiptarëve, pasi të rrallë ishin ata që kishin patur privilegjin për të udhëtuar jashtë kufijve. Si rrjedhojë edhe unë, si pasojë e kushteve i ndihmuar edhe nga fantazia fëminore, e përjetova si një udhëtim drejt një tjetër planeti:
“…aty ku autobuzi shëmbëllente me një anije kozmike, shoferi si astronaut dhe ushtarët kufitar si krijesa aliene të frikshme që kërkonin medoemos të ndalonin misionin tonë drejt “Henës”. Por ne, rreth 30 fëmijë dhe komananti, ishim të sigurt dhe nuk u stepëm. Me një lejekalim të falsifikuar, me emrin e ndryshuar për të kënaqur sa më shumë kërkesat ortodokse të drejtuesve të kishës greke që e financonin këtë udhëtim, do të shkonim në një kamp veror ‘jashtë shtetit’, në planetin “Patra” pjesë e Universit “Greqi”. Në kaosin dhe rrëmujën e krijuar në pikën kufitare me ankth prisnim urdhërin e oficerit grek ndërkohë që ne shtypeshim njëri pas tjetrit pas derës së hekurit që ndante tokën shqiptare nga toka greke. Kisha parandjenjën se diçka do të shkonte keq e s’do të na jejonin të kalonim. Zgjata me pak vështirësi këmbën përtej hekurave dhe ‘shkela’ tokën greke vjedhurazi; edhe nëse sdo të arrinim të vazhdonim udhëtimin unë e kreva misionin tim: për herë të parë kisha shkelur tokën e huaj’. Cfarë ndjesie...Vitet pasuan dhe lëvizjet jashtë shtetit u shpeshtuan deri në rutinë. Pavarësisht ‘misionit’, edhe pse ‘magjia’ u zhduk, përsëri unë e përjetoj aplikimin për vizë dhe momentet e kalimit të kufirit si një ‘jashtë-planetar’, që viziton një vend që nuk i përket dhe që askush nuk e kishte ftuar.

Rënia e regjimit totalitar shënoi hapjen e Shqipëris drejt Europës. Por përveç mallrave e produkteve që uzurpuan tregun shqiptar, përveç faktit se më në fund na lejuan të gëzonim të drejtat si konsumator produktesh ashtu si europianët e tjerë, asgjë nuk ndryshoi përsa i përket perceptimit për botën e jashtme. Ne vazhduam të mbetemi një komb i kyçur me gardhe hekuri. Megjithëse liria e fjalës u zgjerua, dukej se ishte më tepër e drejtë të çirresh brenda, se jashtë askush stë dëgjon. Regjimi i hekurt i vizave zëvendësoi regjimin komunist, që me fjalë të tjera do të thoshte një tjetër izolim për shqiptarët kësaj rradhe jo më në emër komunizmit por në emër të demokracisë perëndimore. Vizat u bënë kështu bashkudhëtari më i besueshëm i një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm. Për 20 vite ankesat, pakënaqësitë dhe vuajtjet që secili (kush më shumë e kush më pak) hiqte në kurriz na u kthyen në rutinë. Gjatë këtij proçesi edhe më të fortit u nënshtruan. Dikush ishte me fat për të patur një vizë 6 mujore e dikush fatkeq që pagoi 3000 euro për të shkuar me skaf, por rrugës e kapën dhe e kthyen pa i kursyer edhe një trajtim të mirë.

Me një proçedurë diskriminuese, Ata që sot propagandojnë për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me indiferentizmin dhe qetësinë tipike perëndimore shkelën të drejtat e mia si njeri, pasi të drejtat si qytetar nuk i gëzova ndonjëherë. Më lanë të paditur, të pashëtitur, të paparë, më prenë hovin, më shuajtën adrenalinën, më prishën ëndrrat sikur të më hidhnin një kovë me ujë të ftohtë duke më thënë... “ti nuk bën për të shkuar në Europë”.

Miti i vizave për 20 vitet e shkuara na tregoi se ne jemi vetëm njerëz të vegjël në një botë të madhe. Politikanë të pabesë që për 20 vite me rradhë nuk nguruan t’u premtonin shqiptarëve atë që njeriu ka më shumë nevojë: lirinë. Por pas premtimeve qëndronin burokratë që lëvizin me pasaporta diplomatike në ‘bussiness class’ andej këndej për të zgjidhur hallet e popullit. Hipokrizi edhe nga ndërkombëtarët që me receta të gatshme të ‘’testuara” apo në proçes testimi na tregojnë rrugën drejt të ashtëquajturave standarte perëndimore që shpërblehen në kohë. Por ata humbën sensin e kohës. Ndryshe nga ata koha ime është e vlefshme. 20 vjet izolim post-komunist për Europianikët mund të quhet edhe periudha e zbutjes së njeriut shqiptar që Europa pati frikë t’a pranonte për gjithë këto vite. Për 20 vite një tufë burokratësh europianë na denigruan pa mëshirë, na paraqitën në media si “ufo” të rrezikshëm, u sollën siç deshën bazuar në dobi të interesave të tyre politike, ku nuk përjashtohej as ksenofobia dhe racizmi. Sot ata vazhdojnë të buzqeshin dhe më thonë cfarë kavje e mirë jam treguar. Pasi u siguruan se u zbutëm, me zor të madh na dhanë një karrotë që e prisnim prej kohësh; liberalizimi i regjimit të vizave. Sa e kishim ëndërruar këtë ditë. Por në të vërtetë nuk ndjeva gëzim. Ndjeva keqardhje. Për veten time që s’pata mundësi të udhëtoja më shumë e për mijëra e mijëra të tjerë që shpresuan të lëvizin një ditë të lirë jashtë shtetit… Po tani?

Shqipëria pa viza është një mit... që ‘ata’ e shpikën në dobi të interesave të tyre. Njerëzit më shumë se të sillen të lirë kanë nevojë të ndihen të lirë. Dhe pikërisht vala e fundit e liberalizimit të vizave nuk e bëri një gjë të tillë. Instrumentat për ta mbajtur një popull të nënshtruar vazhdojnë të mbeten edhe pas liberalizimit të premtuar të ‘karrotës’. Ne do të vazhdojmë të mbetemi të kërcënuar nga struktura burokratike që në mënyrë rutinë uzurpojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të njëjtat që besohet se qëndrojnë në themel të Bashkimit Europian si entitet. Dhe në vend të përuljes e mirënjohesë për të ashtëquajturën ‘liberalizim i regjimit të vizave për vendet Shengen” dua t’i drejtoj gishtin tim të mesit të gjithë atyre që më gënjyen, u tallën dhe asnjëherë nuk e morën seriozisht faktin se unë kam nevojë të lind e të vdes i lirë për të lëvizur.

 
 
kosovotwopointzero


Freskia e shirat e shtatorit na përmendën e na sollën disi në vete nga javët e gjata të pushimeve verore që aq shumë i pritëm. Secili në mënyrën e vet u përpoq t’i shijojë lirshëm, sa më pranë detit, në mal apo kodër. Të buzëqeshur e me energji të reja ju kthyem rutinës në punë, familje e shoqëri. Çdo gjë shijon më shumë kur je me pushime, sidomos ushqimi dhe pijet për të cilat nuk kursehemi aspak. Por këtu nis edhe fatkeqësia e turizmit shqiptar, pasi përveç njerëzve të pakët, me kapele plazhi e çadra që i drejtohen bregdetit, është zhvilluar në masë edhe një specie e re e kohëve moderne në epokën e konsumatorit që kryesisht zhvillohet në qytete. Kjo specie lëkundet pa identitet mes njeriut dhe kafshës. Për lehtësi le ta quajmë “Humanima” (human-animal) si një nga ato krijesat e marra borxh në filmat fanta-shkencë. “Humanimat” gjithashtu duken të përgatitur mirë për pushime, ashtu si kolegët njerëz; me krem që mos t’i djegë dielli, me syze për të mbrojtur shikimin e për t’u dukur bukur, me makina me kondicionerë që ta bëjnë udhëtimin sa më komod, etj. Por sado të maskuar pas veshjeve të pastra e lëkurës së lëmuar që i bën të dallueshëm nga derrat e pafajshëm, ata tradhëtohen nga sjellja e padenjë me mjedisin dhe nga mungesa e edukatës bazë që ndoshta askush nuk ua mësoi.Të ndryshëm nga kafshët që lënë pas vetëm mbeturina organike, e kaq ndryshe nga njerëzit që në mijëvjecarin e ri kujdesen të mbledhin mbeturinat vetjake në vendet e caktuara e mundësisht edhe t’i riciklojnë, duke i dhënë frymëmarrje mjedisit. Në këtë kontekst “Humanimat” kanë përvetësuar dy aspektet më negative njeri - kafshë; konsumojnë dhe lënë pas mbeturina inorganike.

Ndoshta i kujtoni se si mëngjesi i gjente ata të ngarkuar rëndë me çanta me ushqime, pije e lloj lloj produktesh, duke ecur në drejtim të plazheve të virgjër në zona të ndryshme turistike. Disa orë më vonë kthehen në bazë me duar në xhepa. Kjo pasi mbeturinat më të edukuarit i kanë fshehur pas ndonjë peme apo ferre të rastësishme, ndërsa më “snobët” e pasardhësit e tyre, i kanë lëshuar në ajër për të rënë diku. Kështu ata dallohen, madje edhe gjurmohen lehtë, pavarësisht statusit që mund të gëzojnë në shoqëri. Kjo sepse mbi kokat e tyre fluturon gjithçka që nuk i vlen komoditetit dhe kënaqësisë së çastit. Si rezultat sot kemi një det me paketa cigaresh të mbledhura kruspull e të hedhura kudo, një lumë me shishe plastike të rrudhura e qelqe të ciflosura e thyera, një mal me ambalazhe ushqimesh nga më të larmishmet që zvarriten në ritmin e erës…. Sot, shtator 2010 perlat e bregdetit shqiptar e më gjerë gjenden në një situatë post – anarkie në luftën e pashpallur: Humanima Vs. Natyra.

Pa dashur të mbulojmë fajin e qeveritarëve për të ndërtuar një infrastrukturë për mbledhjen e përpunimin e mbeturinave urbane në pikat turistike, shkaktarët fillestarë të katastrofës duket se jemi ne, të gjithë sëbashku. Me dëshirën për t’u mrekulluar nga bukuritë e Jonit apo Adriatikut, për t’u magjepsur nga peisazhe mahnitëse që vendi ynë bujarisht ofron, në kërkim të paqes pranë natyrës, plehërat në grup apo indivuduale, të përshtjellojnë. Duket si një betejë lufte tashmë e përfunduar me një disfatë ekologjike. Në kërkim të paqes ata sollëm luftën, duke lënë pas katastrofën mjedisore kudo ku shkelën. Aty ku shtegu i dhisë u kthye në rrugë për këmbësorë e më pas, me urdhër nga lart, u asfaltua për makinat, aty nisi edhe mësymja e madhe. Rolin e armëve të shkatërrimit në masë e luajnë tonelatat e mbeturinave urbane të shpërndara ngado, që krijojmë e braktisim rishtaz në 3 muajt e verës. Janë pikërisht plehërat, prova më e mirë e një qytetërimi fallco që ne jetojmë këtu, në Shqipërinë e aspiratave europiane. Mbeturinat sot vajtojnë në anë të detit, e nesër me siguri në fund të tij për të shkaktuar katastrofën ekologjike të rradhës në Gjirin e lodhur të Lalzit, në Jalin dikur të virgjër por sot të kurvëruar si prostitutë e pavlerë, në Gjipenë e vogël të përdhunuar në grup, në Bunecin e keqtrajtuar pa mëshirë për 3 muaj, në Livadhin e pështyrë, në Lukovën e re tashmë të menderosur…

Qershori tjetër duket larg, shumë larg. E deri atëhere natyra e duruar, me forcën e saj të brendshme e të jashtme, do të përpiqet të bëjë pak makiazh e t’iu ofrojë “Humanima-ve” përsëri ambjente çlodhëse. Por e keqia do të mbetet për një kohë të gjatë në fundin e detit apo nën tokë për t’u përsëritur vit pas viti, derisa një ditë hakmarrja e merituar natyrore do të vijë. Dhe do të jesh përsëri ti “Humanima”, sëbashku me njerëzit, kafshët, shpendët, bimët që do të vuash pasojat. Atëhere do të kujtosh plot nostalgji plazhet e bukur që dikur krenoheshe, ndërkohë luginat malore çlodhëse e liqenet e freskët do të kthehen me kalimin e viteve e dekadave, një vegim i largët. Ti me hipokrizi e paturpësi do të thuash se “e prishën” e ti s’ke gisht… por që kot fshihesh e justifikohesh o humanima… ti vetë ishe pjesë e shkatërrimit, me atë bidonin tënd të hedhur pa kujdes pak kohë më parë, në një ferrë rrugës për në plazh, që u pasua nga qindra të tjerë …




Foto nga plazhet e ndotur mund t’i gjeni në http://picasaweb.google.com/besibaka/AlbaniaSouthSept2010#



 
 
Gazeta Shekulli

Prej më se tre muajsh, Italia ka nisur një fushatë promovuese masive për të bindur shqiptarët mbi miqësinë e sinqertë që dy shtetet gëzojnë. 80 aktivitete të ndryshme kulturore, politike, ekonomike e sportive përfshirë këtu edhe vizita të zyrtarëve më të lartë italianë nën siglën "Dy popuj, një det, një miqësi" përbënin mekanizmat e kësaj fushate, që uzurpoi edhe mediat shqiptare. Por, përse nevojitet një fushatë e tillë, me një buxhet kaq të madh? Nëse do ta shikonim në lentet e komunikimit dhe marketingut duhet të dalin në pah disa çështje bazë.
Së pari, cili është qëllimi i fushatës? Një fushatë promovuese bëhet për të krijuar një opinion publik të favorshëm për një çështje të caktuar, në rastin aktual për Italinë si investitor i sigurt. Së dyti, kujt i drejtohet? Mendohet se i drejtohet shqiptarëve (sigurisht, edhe politikanëve vendas, të cilët janë përgjegjës për vendimet strategjike). Cili është mesazhi? Mesazhi duket i qartë: "Italia e do Shqipërinë sepse..."
Aktualisht shqiptarët nuk kanë ndonjë paragjykim negativ për Italinë, pa dashur të hyjmë në detaje historike. Si rrjedhojë kjo fushatë synon të gjenerojë besim për të ardhmen për atë çka Italia si entitet do të bëjë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë kjo fushatë është një mënyrë ideale për të ngopur gojët e uritura me reklama pa fund, duke bërë që zërat kritikë gjithmonë e më pak po dëgjohen në televizione e gazeta vendase.
Në anën tjetër qeveria shqiptare, e varfër e me autoritet të rrënuar, përpiqet të nxisë investimet e huaja duke u mundësuar "miqve" standarde të ulëta mjedisore, kosto të ulët të punës e fitime të majme (kujtojmë këtu fushatën "Shqipëria - 1 Euro"). Kjo praktikë është e njohur në vendet e pazhvilluara. Studiues të njohur si Chomsky dhe Herman analizojnë se si korporatat multinacionale "bëjnë ligjin" në vendet e botës së tretë. Duke u përpjekur të përfaqësohen si mbrojtëse të drejtat të njeriut, nevojave dhe aspiratave të tyre e në veçanti të grupeve vulnerabël, kompani e qeveri, gjenerojnë fitime marramendëse në kurriz të popullit dhe mjedisit. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur politika dhe biznesi bëhen së bashku për përfitime të ndërsjella.
Jo rastësisht, "miqësia e fundit" nisi me projektin mjaft të kundërshtuar të përpunimit të plehrave në Kashar, ku nëpërmjet ndërtimit të një impianti përpunimi nga pala italiane me kosto 6 milionë euro do të bëhej asgjësimi i përbashkët i plehrave italiane e shqiptare. Më tej u pasua nga projekti "Petrolifera" që prej vitesh ka nisur aktivitetin në brigjet e Vlorës. "Mbështetja për popullin shqiptar" vazhdoi me projektet për ndërtimin e impianteve energjetike të erës, ku mund të veçohet ai i Karaburunit. Por shumë shpejt ky projekt u anulua, paçka se ishte me miqësori me mjedisin e shpresojmë që për këtë mos të gjobitemi sërish nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Ndërkohë kompania italiane ENEL hyri fuqishëm në lojë, duke kërkuar të luajë rolin dominues në zhvillimin e sektorit energjetik në vend. Por ndryshe nga sa trumbetohet mbi nxitjen e zhvillimit të energjisë së rinovueshme, së shpejti në Porto-Romano pritet të ndërtohet një central energjetik me djegie qymyri, me fuqi 1300-1600 megavat. Kjo tashmë është vulosur nga Ministri Ruli dhe Fluvio Konti, menaxher i përgjithshëm i ENEL, ndërkohë që një mbështetës i sigurt për këtë vepër është edhe konfidustria shqiptare.
Sipas një studimi të nxjerrë nga organizata EDEN në bashkëpunim me "Bankëatch Netëork", pritet që Shqipëria të rrisë me 2.5 herë shkarkimet e dioksidit të karbonit nga niveli aktual. Plani i ENEL do të thotë importimin drejt Italisë të 85% të energjisë së prodhuar në Shqipëri dhe eksportimin në vendin tonë të të gjithë ndotjes mjedisore që kjo vepër energjetike lë pas. Mendohet se ky central do të pengojë zhvillimin e industrisë së energjisë së ripërtërishme dhe industrinë e turizmit krahas dëmit të pashmangshëm mjedisor. Transferimi i industrisë së ENEL, e jo vetëm nuk është i rastësishëm, por i menduar gjatë e i gatuar prej kohësh nga Berisha e Berluskoni.
E njëjta kompani ka shprehur hapur ambiciet e saj për të ndërtuar një impiant energjetik nuklear në kushte të ngjashme, sapo Shqipëria të "bëjë gati letrat". Projektet e tilla duken se kanë marrë mbështetjen e lidershipit shqiptar që në asnjë moment nuk ka treguar vëmendje e interes ndaj efekteve negative të këtyre projekteve mjaft të diskutueshme. Gjithçka bëhet me konsensusin e plotë të qeveritarëve shqiptarë (për ironi vetëm pak javë më parë, dy ministrat respektivë të Mjedisit, Mediu dhe Prestigiacomo, treguan se si Roma do të "mbështesë" Tiranën në projektet mjedisore).
Kjo miqësi "e sinqertë" e ka një arsye. Italia ka probleme energjetike ashtu si Shqipëria. Sipas rregullave të reja të BE-së, Italia duhet që 20 % të energjisë elektrike ta prodhojë nëpërmjet burimeve të rinovueshme si era, uji, apo dielli. Në rast të kundërt, Italia duhet ta importojë energjinë, çka aktualisht po bën çdo vit. Sipas ekspertëve italianë, në vitin 2020, Italia do të jetë e aftë të prodhojë vetëm gjysmën e energjisë elektrike që i nevojitet. Aktualisht, ajo është importuesi më i madh i energjisë elektrike në Europë. Në vitin 2007, importonte më shumë se 15 % të energjisë e si rrjedhojë çmimi i energjisë është ndër më të lartët në BE. Në anën tjetër puna për kompanitë energjetike është bërë edhe më e vështirë si pasojë e kostos së lartë mjedisore që ato duhet të përballojnë. Kështu Shqipëria është një mundësi ideale shpëtimi. Manovrat me Shqipërinë do të çlirojnë Italinë nga varësia që ka nga energjia e importuar (nukleare) nga Franca, por nëpërmjet fushatave sensibilizuese dhe favoreve politike do të marrë energji të lirë 100% të pastër për veten e saj.
Teksa fushatës "Një det, një miqësi" po i ka ardhur fundi, shumë shpejt pritet të nisë faza e dytë, ajo e vënies në jetë të aferave mes dy vendeve, ku politika dhe biznesi janë bërë bashkë në emër të një "miqësie të veçantë" që qëndron në përfitime dhe mjedis të ndotur. Por për këtë pak thuhet e reklamohet.

 
 
kosovotwopointzero

Mund të ndodh shpesh të pres vizitorë të huaj në Tiranë, miq me të cilët udhëtimet, puna, shkolla apo rastësia më kanë lidhur. Por vizitën e Nadjës, një mikeshë nga Beogradi, mund ta quaj të veçantë pasi kohë më parë, gjatë qëndrimit tim në Beograd, mes euforisë që të jep alkoli sëbashku me një ndjenjë krenarie, e kisha ftuar i sigurt: “Eja në Shqipëri. Do të kalosh shumë bukur dhe do të kuptosh se sa të gabuar ju serbët jeni për Shqipërinë”. Koha kaloi dhe unë u kujtova për këtë deklaratë vetëm kur avjoni i kompanisë Al Italia që vinte nga Roma u ul Aeroportin Nenë Tereza. E dija që ajo do të krahasonte gjithçka me Serbinë, kështu që synimi për ta kënaqur bëhej edhe më i vështirë. Por prova e parë kaloi me sukses, pasi aeroporti shqiptar ishte shumë më luksoz se sa aeroporti i vjetëruar i Beogradit. Por më kot shqetësohesha e s’e kisha menduar që gjithçka do të ishte kaq e lehtë për të entuziazmuar një mik nga Beogradi. Kjo për vet faktin se pritshmëritë e saj për Shqipërinë ishin kaq ulëta. Gjithçka që kishte dëgjuar dhe mësuar për vendin e shqiponjave, kishte qenë e korruptuar me një dozë negativiteti nga një dorë e padukshme. Patjetër që propaganda serbe që kontrollon filtrat e komunikimit dhe informacionit, ishte kujdesur që tja servirte Shqipërinë, asaj dhe të gjithë serbëve të tjerë, si një vend mesjetar, me kulturë tribale që siç e quajti ajo “…ora na ka mbetur në shekullin XII”, të rrezikshëm, me njerëz të shëmtuar, të ngrysur, të pacivilizuar, që jetojnë në kulla ngujimi e të tjera broçkulla si këto. Por ajo gjeti një tjetër atmosferë në Shqipërinë e thjeshtë e të varfër, por të çiltër e të hapur për këdo që na kushton pakëz vëmendje. Në takimin tonë të parë në Beograd para 2 vjetëve, ca nga kurioziteti e ca nga meraku e pyeta se si duhet të ndjehesha unë si shqiptar në kryqytetin serb. Ajo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, për të më mbrojtur, më këshilloi që mos të ekspozohem shumë si shqiptar në ambjente publike, me qëllim për të shmangur ndonjë incident me ndonjë ekstremist (të cilët për hir të së vërtetës mendohet se janë të shumtë në serbi). Kaq mjaftoi që mua të më shoqëronte një ndjesi kërcënimi ngado që shkoja në Serbi. E megjithatë kjo s’më pengoi të njoh njerëz e të vizitoj mjaft vende. Dhe si për ironi të fatit historia përsëritet, dhe sapo mbwrriti nw Tiranw, nuk vonoi të më pyes se si duhej të sillej në Shqipëri. Unë konfident i tregova se është e lirë të sillet si të dojë dhe aspak e kërcënuar nga fakti që është shtetas serb. I tregova se ne kwtu nuk e duam politikën serbe, ama me serbët si popull s’kemi asnjë problem. Përkundrazi, për ne janë njësoj si kroatët, maqedonasit, boshnjakët apo çfarëdo kombësie tjetër. U qetësua, megjithëse u duk hapur që nuk ju mbush mendja plotësisht. Është e vështirë që disa përshtypje të skalitura në kohë, të zhduken kaq lehtë.

Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në kryeqytet dhe në qytezën jugore bregdetare të Dhërmiut, Nadia pati mundësinë të prek një copë të këndshme të Shqipërisë; njëlloj shpërblimi për guximin e saj për të bërë turizëm në vendin tonë, ndryshe nga shumica bashkë-kombasve të saj që e quajnë thjesht aventurë të rrezikshme. Duket se asaj i pëlqeu gjithçka: atmosfera, njerëzit, ngjyrat e pallateve, rrugët e reja që të çojnë drejt jugut dhe më tej u mahnit nga bukuritë e Jonit, nga natyra e egër, nga plazhet e virgjër dhe mikëpritja shqiptare. Si një turist model ajo nuk harroi të ngarkohej me suvenirë që në vendin e saj duhet të jenë të rrallë si psh konjak Skenderbeu, raki rrushi nga gjyshja ime, mjalt i Llogarasw, qeleshe malwsori, zbukurime tradicionale madje edhe një medaljon me flamurin me shqiponjë. Por syve të saj nuk mund t’i shpëtonin as paradokset të cilat ne; shqiptarët, të pa-aftë për t’i fshehur, me indiferentizëm i pranojmë duke ngritur supet. “…do ti them mamasë që unë s’do vdes sepse ndonjë shqiptar do më vrasë, por sepse një makinë do më aksidentojë” e tronditur më tha pasi kaloi plotw frikw një rrugë kryesore në kryeqytet. Unë i buzëqesha si i zënë në faj dhe i thashë se do mësohet shpejt. E në të vërtetë trafiku në Tiranë është prova më e mirë se çdo të thotë kaos urban. Syrit kritik të saj nuk i shpëtuan as plehërat, pritës dhe përcjellës indiferent e të neveritshëm në të gjitha pikat kryesore turistike të vendit. Për të ardhur keq, se sa mund kërkon një imazh për t’u mbajtur i pastër, e sa pak kërkon për t’u prishur. Dhe plehërat janë ndotja më e madhe që mund të njollosë vendin, kulturën, traditën e një populli.

Sidoqoftë një turist e ka të lehtë t’i organizojë eksperiencat e tij në mënyrë që të marrë maksimumin dhe të kënaqet sa më shumë. Kështu që Nadia u largua me përshtypjet më të mira për Shqipërinë, me ide të vërteta se si ne jetojmë, me premtimin se do të kthehej përsëri, kësaj rradhe me miqtë e saj dhe me pritshmëri shume më të larta…

 
 
Gazeta Shekulli
kosovotwopointzero

Tabelat e dorës “ndalim qarkullimi” janë një simbol i njohur që policia apo shërbime të njohura me ligj (si shërbimet e ruajtjes fizike, policitë private etj.) përdorin për të ndërprerë qarkullimin në rrugë. Por në Shqipëri këto vegla kanë edhe një tjetër rol, ndoshta më të rëndësishëm. Të vendosura në xhamin e makinave civile, ato simbolizojnë “(pu)shtetin”. Shtimi i tyre në masë, gjatë kohëve të fundit, ka rritur presionin ndaj atyre që nuk kanë tabelë “speciale” në makinë, madje s’kanë makinë fare. Qytetarët s’kanë si të mos bezdisen nga sjellja arrogante por e privilegjuar, që këto mjete gëzojnë, duke shkelur normat, rregullat, ligjin e madje duke sfiduar vetë autoritetin më të lartë të ruajtes së rendit publik – Policinë e Shtetit. Kjo e fundit edhe pse posedon tabela identike, duket se ka frikë nga ajo që mund të shkaktojë përplasja kokë më kokë e dy simboleve, ku natyrisht do të ketë pasoja për më të dobtin. 

Përse ky fenomen? Në ditët e sotme korrupsioni shikohet si një sulm i hapur ndaj nocionit që “… të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë për të arritur lumturinë nëpërmjet mënyrave legjitime”. Në një sistem politik, për të siguruar aplikimin e rregullave bazë, shoqëria i delegon pushtet përfaqësuesve të shtetit kudo që ata ndodhen; në sistemin e drejtësisë, policisë, shërbimeve publike etj. Natyrisht që nëpunësit nuk mund të përjashtohen nga joshja njerëzore për t’i krijuar vetes mundësi e favore shtesë në mënyra korruptive. Por lehtësia që ata e bëjnë këtë gjë në Shqipëri është fatale. Pavarësisht se çfarë përfaqëson në të vërtetë, ai/ajo e konsideron veten “kre”, “lider”, apo pse jo “mbret”, ndërkohë që njerëzit e tjerë janë thjesht burim për t’u shfrytëzuar në dobi të interesave të tyre. Patjetër që këta njerëz doemos fryehen si kaposha pas kundër-tabelës së policisë, e cila vendosur në cepin e poshtëm, në xhamin e parë të maqinës nga ana e shoferit, u shëmbëllen me stemën apo dekoratën “I PRIVILEGJUARI”.

Në një kohë që “Transparency International” e rendit Shqipërinë ndër vendet me korrupsionin më të lartë në mbarë Europën, vëmendja në këto studime përqëndrohet kryesisht në aspektet formale të pushtetit dhe organizatave politike. Aspektet informale pak dalin në pah, në një kohë që shteti rrezikon të kthehet në një fasadë që fsheh realitetet e marrëdhënieve politike të personalizuara në vite, klientelizmin e forcuar dhe korrupsionin e përhapur. Teoria na thotë se në ndryshim nga regjimet totalitare, sistemet demokratike karakterizohen nga përgjegjshmëria e qeverisë ndaj qytetarëve të saj në tërësi. Po a e ndiejmë se ndodh vërtet kështu në rrugën e demokracisë Shqiptare me plot tabela “ndalim qarkullimi”?

Njeriu karakterizohet nga dy veçanti. Përveç aspektit fizik, gëzon edhe aspektin social, me karakteristika që bazohen në pozicionin, pushtetin, privilegjet, detyrimet e të drejtat që ai gëzon në shoqëri. Besohet se të gjithë e kanë të vështirë të heqin dorë nga privilegjet sociale, madje luftojnë për t’i ruajtur apo rritur ato, me qëllim për të jetuar më mirë. Paralelisht kushtet bëjnë që marrëdhëniet mes të privilegjuarve ose e thënë ndryshe “elitave”, të ndërveprojnë e zhvillohen. Kjo sjell që me kalimin e kohës interesat e tyre të institucionalizohen. Këtë e gjejmë sot në gjykata, polici, institucione publike në nivel qëndror e lokal, ku ne nuk trajtohemi njësoj. Shteti, në një demokraci në tranzicion si Shqipëria, ka institucionalizuar marrëdhëniet midis “(pseudo)elitave”, ku privilegjet janë rregulluar në një mënyrë të tillë që ato të transformohen në “të drejta të elitës” pra të legjitimohen. Si rrjedhojë, sot nuk kemi të bëjmë më me privilegje individuale, por me privilegje që i aplikohen ekskluzivisht elitave, le të themi në mënyrë të barabartë. Në këtë mënyrë bëhet edhe shpërndarja graduale e pushtetit mes tyre, duke e përqëndruar edhe më shumë autoritetin në një rreth sa më të ngushtë. Kush e ndien veten “elitë” për fatin e mirë apo të keq, i përket kësaj sfere që mund të dallohet lehtësisht nga sfera “e paprivilegjuar”. Si rezultat sot jetojmë një lloj rendi feudal në kohët moderne, ku shteti i trajton qytetarët e tij jo më në mënyrë të barabartë e kolektive, por në mënyrë personale, duke marrë në konsideratë përkatësinë sociale, politike apo ekonomike.

Është ironike pasi pretendohet të jemi ne ata që i akordojmë përfaqësusve të institucioneve publike, monopolin e pushtetit për të ushtruar presion dhe forcë ndaj nesh. Jemi ne që u kemi dhënë çelësat e tabelave të “ndalim qarkullimit”. Pra është esenciale për drejtësinë, që ky pushtet të aplikohet pa frikë dhe favore, pa burracakë shtetërorë ose private, që përdorin postin për favore personale, shpesh me arsyen: “…të gjithë kështu do bënin”.

Përveç se praktikat korruptive në shoqërinë shqiptare vazhdojnë të jenë të rrënjosura në kulturën lokale, ato janë në bërthamën e sistemit tonë politik. Reformat që prej kaq vitesh po përpiqemi më kot t’i vëmë në jetë për të forcuar shtetin ligjor e luftuar korrupsionin, kanë dështuar. Arsyeja mund të jetë e thjeshtë: …reformat kërcënojnë apo prekin interesat e elitave të pasura dhe të pushtetshme, teksa “privilegjësia” kërkon të mbrojë e forcojë me fanatizëm pozicionet e favoret që tashmë i konsideron të merituara.

Sot posedimi i një tabele nuk na bën të kuptojmë për një privilegj që dikush e ka, por për një të drejtë akorduar dikujt duke u reflektuar në një padrejtësi për ne. Dhe ajo që është edhe më shqetësuese është legjitimimi i saj. Këto praktika na diferencojnë duke na kategorizuar në klasa sociale. Në këtë mënyrë shteti ligjor nuk drejtohet më nga vlera humane, por nga privilegjet që secili gëzon me ose pa të drejtë, ç’rëndësi ka, të etikuara rëndomë në një “tabelë kundër-qarkullimi”… 


 
 
Kriza ekonomike globale duket se ka pushtuar vëmendjen e gjithsecilit. Jemi të shqetësuar për të ardhmen, kursimet, shtëpinë, makinën tonë. Të gjitha zhvillimet tragjike në tregjet botërore i kemi ndjekur në kohë reale nëpër media. Ky vërshim i mbulimit mediatik i asaj që ka shkaktuar kolaps në tregjet globale, na ka bërë të harrojmë të tjera çështje të cilat duket se kanë kaluar në plan të dytë apo edhe janë harruar. Është koha që të zgjedhim midis Mjedisit apo Ekonomisë…

Kujtojmë se rreth 1 vit më parë ngrohja globale ishte në rend të ditës teksa Al Gore dhe Al Pachaëi sëbashku brohorisnin të kënaqur nobelin për paqe. Me aq sa është thënë në të kaluarën mbi ngrohjen globale, në kohën kur ekonomia botërore ende nuk kishte njohur krizën aktuale, mund të themi të sigurt se efekti serrë ka një rrezik katastrofik për njerëzimin. Por sot, alarmi dhe thirrja për masa të menjëhershme janë të pakonsiderueshme përballë faktit që ekonomia po bie. Dukemi të frikësuar. Dikush mund të priste që të njëjtin reaksion të ketë edhe fakti se sistemi tokësor po degjeneron ashtu si ekonomia: shpyllëzime të shpejta, peshkimi pa kriter, mungesa e ujit të pijshëm, arktiku në zhdukje etj. Por nuk është kështu. Raporte të këtyre fakteve mjedisore gjenden me shumicë por shqetësimi është çuditërisht në nivlet më të ulta. Për pjesën dërrmuese të njerëzve nuk bën asnjë ndryshim fakti se në 50 vitet e ardhëshme temperaturat do të shtohen me 2 grade celcius. Fatkeqësisht në këtë grup njerëzish bëjnë pjesë edhe liderët e politikës dhe biznesit botëror.

Me cfarëdo lloj kostoje, e vendos ekonominë botërore në konflikt të drejtëpërdrejtë me qëndrueshmërinë mjedisore. Pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve, koglomeratet e ekonomistëve në një zë, argumentojnë me fanatizëm kundër përpjekjeve madhore në luftën ndaj ndryshimeve klimaterike. Por në të njëjtën kohë ata nuk hezitojnë aspak që të kërkojnë biliona dollarë për të financuar bankat e falimentuara. Nuk mund të mohohet se kriza aktuale në ekonominë kapitaliste globale mund të ketë përkohësisht një lehtësim në efektin e madh negativ në biosferë, pasi falimentimi i shumë bizneseve, ka reduktuar ndjeshëm konsumin e përgjithshëm të energjisë dhe materialeve natyrore. Por sidoqoftë masat e para të zakonshme për të luftuar krizën ekonomike janë zgjerimi i tolerancës në trajtimin e punëtorëve ose mjedisit. Si rrjedhojë rënia ekonomike ka rrezik të shoqërohet me forma më intensive të shfytëzimit dhe dëmtimit të mjedisit në të ardhmen e afërt.

Si për ironi valën e parë më të madhe të krizës financiare po e ndjejnë ekonomitë dhe industritë më të zhvilluara botërore, që janë njëkohësisht edhe përgjegjësit kryesor të ngrohjes globale. Shenja e parë më domethënëse e minimit të përpjekjeve për të luftuar së bashku ngrohjen globale në nivel ndërkombëtar ishte shmangia deri në braktisje e Protokollit të Kyotos. Tentativa e dështuar për zëvendësimin e këtij të fundit me Partneritetin Azi-Pacifik për Zhvillimin e Pastër dhe Klimën rezultoi një gënjeshtër e madhe.Një aleancë pa detyrime ekonomike, pa qëllime të përbashkëta, pa përgjegjësi ndërkombëtare dhe pa ndonjë nevojë për negociata të hapura dhe realiste. Ky Partneritet, krijim i liderëve të shteteve rebele ndaj “Kyotos”, duket si një varkë e carë nën drejtimin e ish-presidentit amerikan Bush dhe kryeministrit Kanadez Hoëard. E si për ta konfirmuar këtë kryeministri Italian Silvio Berluskoni, disi i turbulluar nga kriza financiare që po thellohet paralajmëroi kohët e fundit se edhe 10 vende të tjera të BE-së kanë mbështetur iniciativën e tij për të bllokuar një plan kimaterik të BE-së. Kjo ka shkaktuar dyshime të forta mbi politikat e përbashkëta të Bashkimit Europian për ngrohjen globale teksa kriza financiare ka coroditur të gjithë. “Partneriteti” i cili mbron idenë e zhvillimit të teknologjisë me qëllim uljen e kostove mjedisore në prodhimin e energjisë, duket se nuk mund të sjellë asnjë të mirë për ambjentaliste në këto kohë të vështira. Kjo pasi kriza globale financiare ka ulur ndjeshëm investimet e kushtueshme në përmirësimin e teknologjisë e cila edhe sikur të arrijë zhvillimin e kërkuar nuk mund të sjellë reduktim të madh të emetimit të gazrave të dëmshëm. Premtimet e gjigandëve të energjisë dhe korporatave ndërkombëtare për të investuar në uljen e ndikimit të tyre në mjedis nuk patën jetë të gjatë. Si mundet që kjo të ndodhë në një kohë që kriza globale ka pushtuar ekonominë botërore. Investimet mjedisore kanë ndalur, cmimet e naftës po bien përsëri, qeveritë janë zbrasur nga planet e optimiste për energji alternative, teksa shpenzojnë miliarda dollarë për të injektuar sistemin financiar në krizë.

Është për tu theksuar fakti se rritja e shpejtë emetimeve të gazrave që shkaktojnë efektin serrë, nuk po vjen më nga vendet e zhvilluara të cilat kanë gjetur një balancë, por nga vendet e pazhvilluara kryesisht superfuqitë aziatike: Kinë, Indi, Tailand, Indonezi. Këto vende tashmë kanë aspiratat për një mirëqënie si ajo në vendet perëndimore. Shembulli më i mirë është Kina e cila në mënyrë të shpejtë në një kohë shumë të shkurtër ka arritur SHBA-në në nivelet e emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Kjo si pasojë e rritjes marramëndëse në ekonomi në vitet e fundit. Kështu, sipas Yvo de Boer, Sekretari Ekzekutiv i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike, në një kohë që vendet e pasura po i kërkojnë botës në zhvillim të luajë një rol më aktiv në ngrohjen globale, kjo mund të shoqërohet edhe me një humbje të interesit të vendeve të pasura në angazhimet e tyre klimaterike .

Tomas Friedman, një ekspert në ekonominë mjedisore, paralajmëron se në parim në të dyja krizat, si në atë ekonomike edhe në atë mjedisore , po bëhen të njëjtat gabime. Teksa në tregjet financiare ku produktet u vlerësuan keq duke mos reflektuar koston reale duke shkaktuar crregullime të tregut. Ashtu po ndodh edhe në tregun energjitik e mjedisor. Për më tepër që këto janë ngushtësisht të lidhura duke patur parasysh se kompanitë energjitike më të mëdha, shërbimet dhe kompanitë e makinave janë të varura nga hidrokarburet e lira që nxisin ndryshimet klimaterike.

Ndoshta strategjia për të marrë borxh nga e ardhmja për të shëruar plagët e së tashmes mund të funksionojë në planin afatshkurtër, por a është e përgjegjëshme për të mbështetur financiarisht industritë që bazohen në teknologjitë e prapambetura të gazit natyror. Do të ishte më mirë që veprimet për të luftuar ndryshimet klimaterike, të formonin një element kryesor në paketat financiare stimuluese për ekonomitë e vendeve të ndryshme

Teksa flasim për zgjidhjet e kushtueshme të krizës financiare që ka pushtuar globin, në strategji duhet të rikujtohen sfidat e kaluarës së afërt të lidhura ngushtë me ngrohjen globale, të cilat ndonëse me efekt më të ngadaltë dhe jo kaq të prekshme nga njerëzit, kanë pasoja të pariparueshme dhe pa vlere monetare.

 
 
peshkupauje
Gazeta Shekulli


Një pedagog i shkencave politike në Universitetin e Bolonjës, vite më parë pa e fshehur keqardhjen gjatë një referati u shpreh: “…revolucionet kanë mbaruar, heronjtë kanë vdekur e të tjerë skanë lindur…”.  E megjithatë rezulton se që nga viti 1991 kanë ndodhur plot 11 revolucione elektorale në mbarë globin me emërtime e ngjyra të ndryshme (Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Etiopi, Gjeorgji, Kirgistan, Madagaskar, Peru, Serbi, Togo, e Ukrainë). “Revolucionin elektoral” përkufizohet nga studiuesi britanik M. McFaul duke përcaktuar katër tipare kryesore: (1) zgjedhjet e manipuluara shërbejnë si katalizator për protesta elektorale; (2) opozita i drejtohet mënyrave të jashtëzakonshme kushtetuese (duke përfshirë protesta masive), (3) pretendimi i bazuar se opozita ka fituar zgjedhjet e ka autoritetin e duhur për të marrë pushtetin, dhe (4) të dy krahët, pozita dhe opozita shmangin përdorimin e dhunës. Nëse zinxhiri i këtyre 4 elementëve prishet, atëhere humbet nocioni revolucion duke u asociuar me të tjera metoda anti-kushtetuese siç është grushti i shtetit. Pikërisht fakti që njerëzit dalin në rrugë për të mbrojtur votën e tyre i jep në vetvete revolucioneve elektorale një sens legjitimiteti në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Por fatkeqësisht një ‘revocuion’ mund të quhet i tillë vetëm nëse është i suksesshëm e nuk mund ta quhet i tillë në proçes. Prandaj për të etiketuar atë që po ndodh në Shqipëri duhet të presim zhvillimet politike.

Bazuar në studime të ndryshme që trajtojnë mbijetesën e regjimeve autoritare post-komuniste apo sukesin e një revolucioni elektoral mund veçohen 3 aktorë kryesorë: Pozita, Opozita dhe Shoqëria.

Studiues si Lucan Way e Barbara Geddes, dalin në përfundimin se stabiliteti i një regjimi autoritar varet më së shumti nga fuqia organizative e partisë që ka pushtetin e kontrollon institucionet publike. Regjimet e bazuara në një parti të vetme të institucionalizuar janë mjaft të qëndrueshme dhe të durueshme, çka provohet edhe në rastin e Shqipërisë. Mungesa e fraksioneve në një parti të institucionalizuar përreth një boshti (lideri) teorikisht e bëjnë më të vështirë përmbysjen politike. Kjo sepse partia në pushtet lehtësisht mund të monopolizojë vendim-marrjen e pushtetin duke shpërndarë shpërblime dhe favore për të besuarit. Në periudha afatgjata këto kanë kosto të lartë pasi duhet të sigurojnë bashkëpunimin e mbështetësve, të parandaljnë ndonjë “tradhëti” të mundshme e në të njëjtën kohë të shfuqizojnë mbështetësit opozitarë. Paralelisht strukturat shteterore e ato mbështetëse, në mënyrë aktive përpiqen të imponojnë politikat e tyre në organizmat e shoqërisë civile që në vendin tonë janë lehtësisht të manipulueshme pasi nuk luajnë një rol kryesor.

Në anën tjetër, lëvizjet opozitare janë jetike për të realizuar ndryshim politik duke u shoqëruar nga sfida për të mbledhur e siguruar mbështetje. Në këtë kornizë s’mund të anashkalojmë faktorin ndërkombëtar. Ndryshe nga Serbia që gjatë revolucionit të saj përjetoi një presion ndërkombëtar drejt demokratizimit, e lidhur ngushtë me shanse reale për integrim europian, Shqipëria ka patur pak ose aspak mbështetje të faktorit ndërkombëtar në këtë proçes. Kjo mund të spiegohet me faktin se që nga viti 1990 donatorët e ndryshëm kanë shpenzuar miliona euro për të promovuar programet e ndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë sipas modelit perëndimor në vendin tonë. Hezitimi i tyre për të mos mbështetur revolucionin “shumëngjyrësh” në Shqipëri vjen pasi nëse kjo ndodh, do të pranohej dështimi i tyre në të gjitha programe e mëparshme për ndërtimin e demokracisë.

Në këtë kontekst edhe shoqëria luan një rol të vendimtar në proçes. Në një kohë që liderët revolucionarë mund të jenë të aftë të sigurojnë një impuls e mund t’i prezantojnë popullit një strukturë intelektuale që i ndihmon ata për të kuptuar kauzën dhe vizionin për të ardhmen, liderët nuk mund të shkojnë më tutje se sa njerëzit presin nga ata në veçanti duke krijuar një tranzicion të ri brenda atij ekzistues. Si rrjedhojë kohëzgjatja e proçesit mund të dëmtojë besimin e njerëzve të cilët po kuptojnë kostot e larta të një revolucioni të shtrirë në kohë që prek interesat e tyre personale, të pavarura nga dëshirat e revolucionarëve. Kontekstet sociale në  botën kapitaliste përgjithësisht pengojnë dëshirën për përmbysje të sistemit, qoftë ky edhe revolucion elektoral, pasi mund të perceptohet si destabilitet për të sotmen e pasiguri për të ardhmen. Sot shoqëritë kontemporane  favorizojnë konkurrencën më shumë se sa unionet, ambicjet personale më shumë se drejtësinë sociale. Në këtë kontekst teksa studiojmë efektet e revolucioneve elektorale nuk duhet të anashkalojmë personalitetin dhe nevojat humane përtej kornizës politike. Prandaj revolucioni “shumëngjyrësh”  kërcënohet nga vet ne, anëtarët e shoqërisë (kapitaliste) që theksojmë interesin vetjak dhe mund të bëhemi pjesë e një grupi vetëm nëse mendojnë se kjo do të rrisë përfitimet personale (mirëqënie dhe pushtet) duke u shqetësuar më pak për përfitimet kolektive.

Çfarë po ndodh në Shqipëri nuk është aspak unikale, përkundrazi duket imitim i revolucioneve që më parë kanë ndodhur. Shumë prej nesh ruajnë në kujtesë mijëra njerëz që demostronin në rrugët e Serbisë, Gjeorgjisë, Ukrainës apo Kirgistanit për zgjedhje të lira e për t’i dhënë fund regjimeve të korruptuara post-komuniste. Por përmbysjet e regjimit nëpërmjet lëvizjeve popullore jo domosdoshmërisht rezultojnë në zhvillimin e demokracisë. Kjo sepse revolucionet elektorale shpesh janë vet simptoma të problemit të demokracive hibride dhe autoritare, më shumë se sa zgjidhje për të patur në vetvete zgjedhje të lira. Zgjedhjet e pandershme janë vetëm një në morinë e mangësive në vendet me pseudo-demokraci. Duke adresuar të metat elektorale dhe ndërrimin e lidershipit nuk është se transformohen shumë tipare që karakterizojnë regjimet hibride dhe autoritare ashtu siç zgjedhjet e lira nuk prodhojnë automatikisht demokraci. Në këtë kornizë revolucionet elektorale kanë një perspektivë mjaft të kufizuar për të adresuar të gjitha çështjet që mbajnë peng demokratizimin në regjimet autoritare.

Teksa fokusohemi në vjedhjet elektorale dhe në shkeljen e të drejtave politike (e drejta e votës), lëmë gati tërësisht në hije zgjidhjen e çështjeve jetike të vendit si korrupsioni, klientelizmi, mungesa e zhvillimit të kulturës politike, mungesa e transparencës në vendim-marrje etj. Duket se zgjedhjet e manipuluara janë vetëm maja e ajsbergut në krizën e demokracisë hibride që Shqipëria ka ndërtuar pa shumë përpjekje gjatë 20 vieteve të fundit.

 
 
Gazeta Shqip
Peshku pa uje

Ndonëse kaluan 20 vjet nga ndryshimet e para demokratike, që shënoi fillimin e  tranzicionit politik dhe ekonomik në vendin tonë, kultura demokratike në Shqipëri jo vetëm lë për të dëshiruar, por ndodhet në kushtet e një erozioni gradual. Që në fillesat e saj, procesi i tranzicionit në Shqipëri u politizua dhe u përdor nga elitat politike që pasuan, për qëllime e interesa personale. Kjo shkaktoi fenomene të njohura e mjaft të rrezikshme për sistemin demokratik: si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, përqendrimi i pushtetit në duart e disa grupeve të vogla etj. Rrjedhimisht këto shkaktuan një gërryerje të vazhdueshme të besimit të publikut të gjerë në institucionet e brishta të shtetit demokratik.
‘Demokratizimi’, në një vend si i yni, me një histori të gjatë në komunizëm, u zhvillua në disa faza. Ky proces në fazën e tij fillestare (kujtojmë vitet 90), u shoqërua me një interes të lartë në popull. Pakënaqësitë publike u reflektuan në aktivizëm e veprimtari politike ku njerëzit perceptonin se veprimet individuale politike mund të kishin ndikim në proceset politike. Kjo i bën qytetarët më të prirur për të marrë pjesë në aktivitete publike që sfidojnë elitat në fuqi. Bazuar në disa teori politike, besohet se sa më e fuqishme të jetë ndjesia e një qytetari se sistemi politik orientohet nga nevojat e tij, aq më tepër ata do ta mbështesin atë duke u bërë pjesë e këtij sistemi dhe rrjedhimisht duke e legjitimuar atë. Por në rastin e vendit tonë, në një perspektivë afatgjatë e shtrirë në dy dekada, apatia dhe mungesa e interesit në çështjet politike dolën në pah dhe u forcuan me kalimin e viteve si pasojë e papërgjegjshmërisë e mungesës së efikasitetit në qeverisje. Për rrjedhojë, ata që zhvillojnë një vlerësim negativ ndaj institucioneve e shoqëruar me sjellje emocionale, janë më të predispozuar për t’u bërë indiferent. Studimet tregojnë se si pasojë e efikasitetit të ulët politik, apatia dhe pasiviteti janë më të larta pikërisht tek ata që edhe janë më të pakënaqurit. Kjo pasi nuk mund të pretendohet se ata qytetarë, të cilët kanë një perceptim negativ ndaj procedurave demokratike dhe institucioneve në vend, të jenë aktiv në proceset politike. “…Nëse ata që janë në pushtet nuk shqetësohen shumë, përse duhet unë të shqetësohem?”. Pra vlen të theksohet se kur ndërtojmë një demokraci, themelimi i institucioneve demokratike nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet që gjithashtu të ekzistojë një besim i gjenerueshëm në këto institucione me qëllim që demokracia të funksionojë dhe të evoluojë. Kjo duket se është edhe sfida kryesore e demokracisë ‘transit’ në Shqipëri.

Rënia e numrit të votuesve dhe mosangazhimi në grupet politike dhe vullnetare është treguesi kryesor i një shoqërie apatike. Kjo interpretohet si sëmundja kryesore e një shteti modern demokratik: “Aty ku pak njerëz marrin pjesë në vendimmarrje, ka shumë pak demokraci ose ndryshe "pushtet i popullit". Kështu zgjedhjet e para të lira në Shqipëri u shoqëruan me një pjesëmarrje të lartë, si dhe numri i partive të pësojë një rritje të shpejtë. Më specifikisht në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1991 pjesëmarrja ishte maksimale, plot 99%, e një vit më vonë 71%. Por me kalimin e viteve vërehet një rënie progresive e mbështetjes sociale në procesin që nga elita politike padrejtësisht pretendohet si “forcim” i demokracisë. Si pasojë, pjesëmarrja në zgjedhje vazhdoi të ulej ndjeshëm e në dekadën e fundit nuk i ka kaluar 55%. Madje, zgjedhjet e fundit rezultuan në një pjesëmarrje më pak se gjysma, vetëm 45%. Pikërisht dobësimi i shoqërisë politikisht aktive, mund të quhet edhe fajtori i drejtpërdrejtë i një shoqërie civile të dobët, dhe nivelit të ulët të besimit ndërpersonal duke reflektuar standarde të ulëta demokratike.

Në të tilla kushte, konsolidimi i demokracisë liberale në një vend në tranzicion si Shqipëria, duket se është peng i mungesës së besimit qytetar tek autoriteti publik. Në këtë perspektivë, në një analizë të shtrirë në vitet e tranzicionit, hendeku midis klasës sociale dhe asaj politike ka pësuar rritje të pandalshme duke minuar bazat e demokracisë populiste. Komunikimi midis dy sferave; asaj politike dhe asaj popullore, është bërë formal, në distancë të largët dhe vendimmarrja tërësisht e njëanshme. Kjo ka ndikuar edhe më tepër në rritjen e apatisë dhe uljen e besimit në sistemin demokratik, pasi qytetarët mendojnë se nuk kanë asnjë efekt në politikat e ndërmarra, duke humbur interesin për ndërveprim dhe shpresën për ndryshim. Në anën tjetër, politikanët nuk përfaqësojnë në vetvete vullnetin dhe nevojat e votuesve duke humbur legjitimitetin e përcaktuar nga principet e një regjimi demokratik.

Besohet se demokracia është i vetmi sistem politik që i jep zë dhe mundësi zgjedhjeje të gjithë qytetarëve, që rrit përgjegjshmërinë politike dhe shpërndarjen e drejtë të pushtetit, dhe që është ndërtuar në mënyrë të veçantë për të realizuar një transferim paqësor të pushtetit. Janë këto elemente të nevojshme që ndalojnë tiraninë. Por gjatë ‘(ç)evoluimit’ të sistemit demokratik në vite, aktualisht në Shqipëri asnjë nga këto hallka të rëndësishme nuk funksionon si duhet, duke na bërë të kuptojmë demokracinë e rreme që mbizotëron në vendin tonë. Për më tepër duhet të përmbushen disa nocione themelore si zgjedhjet e lira, Kushtetuta demokratike, dhe një opozitë funksionale, për të pretenduar se një vend si i yni, me histori të gjatë në regjimin komunist, të përqafojë bazat e një demokracie liberale.

Në praktikë, të qenët në qeveri do të thotë akses te burime të mëdha, madje në shumë raste akses në të gjitha burimet e mundshme. Disa nga këto burime përdoren për të ruajtur e mbajtur kontrollin politik. Mitëmarrja, presionet, kërcënimet me qëllim sigurimin e mbështetjes politike, janë gjithmonë një shqetësim që kanos regjimin demokratik, ndërkohë që korrupsioni, klientelizmi dhe nepotizmi janë dukuri shoqëruese. Në këtë sistem, liritë demokratike ekzistojnë, por liritë liberale janë të kufizuara vetëm për të privilegjuarit. Si pasojë ka më pak stimul për lidershipin, për të hequr dorë nga sjelljet jodemokratike dhe për t’i hapur rrugë një qeverisje transparente. Në këto kushte kontrolli dhe balancat demokratike bëhen të dobëta dhe shpesh rrezikohen seriozisht, duke shkaktuar gërryerje dhe erozion të sistemit qeverisës. Kjo fatkeqësisht pranohet në heshtje dhe indiferentizëm nga komuniteti që bëhet vetë pjesë e këtij procesi degradues.

Së fundi, një tjetër aspekt që dëshmon rrënimin e demokracisë në vend është përpjekja e forcimit të demokracisë nga faktorë të jashtëm (komuniteti ndërkombëtar). Kjo mund të kalojë në disa faza nga të cilat mund të veçojmë dy “kushtëzimin” dhe “nxitjen”. “Kushtëzimi” ka të bëjë pikërisht me ofrimin e një favori në këmbim të hapave konkretë në konsolidimin e demokracisë (siç është në rastin tonë anëtarësimi në BE). Ndërkohë që “nxitja” në këtë kontekst nënkupton një përfitim me qëllim inkurajimin e zhvillimit demokratik siç ishte mundësia e humbur e liberalizimit të vizave për vendin tonë. Të dyja këto instrumente dështuan në rastin e Shqipërisë, duke sjellë apati edhe në nivelin e aktorëve ndërkombëtarë, të cilët kanë humbur besimin në forcimin e demokracisë së vërtetë. Të gjitha vendet në tranzicion si i yni, aspirojnë të përqafojnë modelin e një demokracie perëndimore. Por jo vetëm që jemi larg këtij sistemi, por po i largohemi edhe më shumë dita-ditës duke u fshehur pas fasadës së një demokracie të sajuar alla shqiptarçe.

 

Google Analytics tracking code